Projekti masiv i Kinës ka implikime të mëdha për Greqinë dhe Europën…
Tetë mijë kilometra të kulturave antike lidhin djepin e qytetërimit perëndimor dhe lindor. Pikërisht mes këtyre rrugëve – që për herë të parë u quajt Silk Road (Rruga e Mëndafshit) në vitin 1870 – Genghis Kahn mbërriti në Europë dhe Aleksandri i Madh arriti pothuajse provincën kineze të Xinjiang. Bota helene dhe Europa Lindore përgjatë këtyre gjurmëve kanë ‘gdhendur’ matematikën dhe gjuhën indoeuropiane, ndërsa ‘fuzioni’ greko-budis influencoi zhvillimin e artit dhe filozofisë në Kinë dhe Indi.
Sot, Kina është tepër e angazhuar që t’i rikthejë Rrugës së Mëndafshit prestigjin e saj të mëparshëm. Projekti One Belt One Road (OBOR) përfshin më shumë se 140 miliardë dollarë në investime, i cili synon të lidhë më shumë se 20 vende përmes ndërtimit të korridoreve të reja të infrastrukturës detare dhe tokës midis Kinës dhe Europës. Një studim i fundit Carnegie-Tsinghua shtron çështjen nëse kjo urë e lashtë kulturore do të mundet të ndikojë pozitivisht Eurozonën, duke nxitur rimëkëmbjen e ekonomisë greke.
Pavarësisht kolapsit të investimeve ndërkombëtare, Kina ka vazhduar të tregojë se nuk ka hequr dorë nga Greqia. Në të vërtetë, Greqia përfaqëson për Kinën, sikundër është përcaktuar nga ‘New York Times’ dhe ‘Wall Street Journal’, një nga nismat e saj më të suksesshme të tregtisë së jashtme.
Porti grek i Pireut është ndalesa e parë në Europë për pasagjerët e shumtë dhe Greqia mburret me flotën më të madhe tregtare në botë, që llogarit 60% të eksporteve kineze në mbarë botën. Që nga viti 2000, falë Cosco, Kina ka shfrytëzuar në mënyrë efektive madhësinë dhe rëndësinë e portit të Pireut, që kontrollon dy të tretat e trafikut të saj të përgjithshëm. Në vitin 2013, Pekini ra dakord të investojë 258 milionë dollarë në zhvillimin e portit, duke rritur fitimet greke me 12% dhe duke lehtësuar valën e privatizimeve që synonin e ashtuquajtura Trojka e FMN-së, BQE-ja dhe KE-ja.
Bankat kineze kanë përcaktuar edhe kredi në shifra të konsiderueshme për pronarët grekë të anijeve, të cilët kanë rënë dakord për të ndërtuar anijet e tyre të reja në Kinë. Bashkëpunime të tjera inkurajojnë programet kërkimore detare dhe të zhvillimit mes universiteteve të dy vendeve.
Ndërkohë, përmes kompanisë së ndërtimit të anijeve ‘Fujian Shipbuilding’, Pekini ka për qëllim të sigurojë akses në teknologjinë europiane, sidomos atë ushtarake, duke financuar marrëveshjet detare të armatimit vlerësuar në më shumë se 3 miliardë dollarë, që në këtë rast përfaqësojnë 7% të PBB-së greke dhe sigurojnë 190,000 vende pune.
Kina ka investuar gjithashtu 6.7 milionë dollarë në rikonstruktimin e aeroportit të Athinës dhe 1 miliard dollarë në ndërtimin dhe menaxhimin e aeroportit të Kretës, i cili do të bëhet aeroporti i dytë më i madh në Greqi. Ndërkohë janë rritur turistët kinezë në Greqi, ‘duke kërcyer’ 70% vetëm në vitin 2014, në 100,000 vizitorë.
Porti i Pireut, së bashku me aeroportet greke, përfaqësojnë një mundësi të madhe që Kina të zgjerojë praninë në Europë. Duke pasur parasysh përmasat e këtyre projekteve, qeveritë janë të detyruara të zbatojnë politika të hartuara për të rritur bashkëpunimin dhe bashkëfinancimin mes kompanive, aktorëve turistikë dhe aksionerëve ndërkombëtarë që synojnë fonde të Bankës Europiane të Investimeve. Kjo është veçanërisht e rëndësishme tani që, pavarësisht presionit nga Uashingtoni, Banka Aziatike e Investimeve të Infrastrukturës ka fituar bekimin e Brukselit.
Projekti i ri, Silk Road, përfshin edhe ndërtimin e një linje hekurudhore që do të lidhë Portin e Pireut me Europën Qendrore. Sipas studiuesve Zhang Lihua dhe Vasilis Trigkas, ky projekt do të financohet bashkërisht nga fondi i BE-së për investime propozuar nga presidenti i Komisionit Europian Junker dhe Fondi i Rrugës së Mëndafshit njoftuar nga presidenti kinez,Xi Jinping. Ky veprim jo vetëm që do të rrisë PBB-në greke, por gjithashtu mbart potencialin për të ripërcaktuar marrëdhëniet gjeopolitike në Europën Qendrore dhe Lindore.
Kjo është një zonë me interes të madh strategjik në Kinë, sikundër u demonstrua nga Samiti Kinezo-Ballkanik në Beograd pak më shumë se një vit më parë. Hekurudha e re do të ndikonte pozitivisht ekonomitë e Ballkanit dhe do të rilidhte korridoret infrastrukturore që do të përshkojnë Ukrainën dhe Rusinë nga lindja.
Rusia po rrit investimet në Greqi, për të krijuar një tubacion që do të përfitojë nga depozitat e mëdha të gazit në Detin Egje. Kryeministri grek, Alexis Tsipras, duket se ka qenë në dijeni të këtyre tendencave, dhe është fokusuar në një politikë të jashtme më agresive, duke ndërhyrë fuqishëm mbi rinegocimin e marrëveshjeve të rëndësishme mes institucioneve publike dhe investitorëve europianë, amerikanë, kinezë dhe atyre rusë.
Pavarësisht dështimit të këtyre bisedimeve dhe dorëheqjes së mëvonshme të kryeministrit (pasuar nga rizgjedhja e tij), prania e Kinës në Greqi dhe në Europën Lindore vazhdon të rritet. As dobësimi i fundit i renminbi (monedha zyrtare e Republikës së Kinës) nuk duket se ka ndikuar investimet e huaja të Pekinit atje.
Për më skeptikët, strategjia kineze kërkon të shfrytëzojë dobësitë europiane në mënyrë që të rrisë praninë e saj dhe të pengojë procesin e integrimit. Për më optimistët, nga ana tjetër, siç pasqyrohet në partneritet strategjik Kinë-BE, Kina dëshiron të zgjerojë ndikimin e saj, por ajo ka nevojë për një Europë që është në gjendje të bashkohet dhe të jetë e pavarur nga SHBA në mënyrë që të mund të sigurojë konsensusim e Uashingtonit.
OBOR i Pekinit, jo vetëm që ka potencialin të stimulojë rimëkëmbjen në Greqi dhe në Eurozonë, por gjithashtu mund të ketë pasoja të rëndësishme për dialogun europian me Rusinë mbi situatën në Ukrainë dhe me SHBA-në, në lidhje me negociatat për Tregtinë Transatlantike dhe Partneritetit në Investime.
Për më tepër, rruga e re Silk Road bazohet në të ashtuquajturin Rritja paqësore e Partisë Komuniste që duke predikuar për harmoni neoliberale të interesave thekson se si paqja është mbrojtja më e mirë për investimet e saj. Investimet të paktën tani për tani dhe në teori, janë një nxitje e madhe për një euro të paqëndrueshme.
Icarus fluturoi larg nga labirinti i Kretës, Minotaur me krahë që Daedalus ia bashkëngjiti trupit të tij duke përdorur dyllë. Kushedi nëse Athina do të vendosë të fluturojë kaq lart dhe nëse flatrat e ofruara nga Pekini do të përfundojnë, si në mit, të shkrira nga dielli.