Thuajse 40 vite më parë, për Eliminatoret e Botërorit të Futbollit 1986, skuadra kombëtare shqiptare iu afrua, si kurrë më parë, kualifikimit për fazën finale.
Kjo përpjekje kulmoi me fitoren e famshme me rezultatin 2-0 me Belgjikën, e cila do të arrinte vendin katërt në atë Botëror. Ishte një fitore që propaganda e kohës e përdori për disa ditë me radhë, për të treguar nivelin e supozuar të zhvillimit të vendit.
E megjithëse shumëçka që përshkruante ajo propagandë ishte një trillim totalisht imagjinar, një nga elementet e saj kishte diçka, sadopak të vërtetë: shumica e asaj kombëtare ishin produkt i fushave sportive të shumta të qytetit të Tiranës. Emrat legjendarë si Josa, Kola, Minga, Muça e Demollari ishin tërësisht produkt i ekipeve zinxhir të kryeqytetit.
Në një kohë kur kryeqyteti nuk përbënte as 10% të popullsisë së vendit, djemtë e dalë prej tij zinin thuajse gjysmën e kombëtares së futbollit. Përtej aftësive dhe talentit individual, ky ishte dhe një tregues i përpjekjes së qeverisë komuniste për të krijuar hapësira sa më të shumta për popullsinë në qendrën e vendit.
Dyzet vite më vonë, Shqipëria ka ndryshuar shumë. Vendi është zhvilluar, megjithëse jo me ritmet që shumë ëndërronin dikur. Mundësitë ekonomike i kanë bërë qytetet e rretheve të jenë në vazhdën e një shpopullimi masiv. Thuajse 1/3 e popullsisë së mbetur sot jeton rreth e përqark kryeqytetit. Të tjerë janë larguar jashtë vendit, aty ku mundësitë janë edhe më të mëdha.
Këto fenomene nuk kishin si të mos reflektoheshin edhe në sport. Sot, të paktën kombëtarja e futbollit, ndryshe nga ish-kolegët e tyre të para viteve ‘90, nuk mund të ankohet më për mungesë kushtesh. Investimet në infrastrukturën elitare (sërish, të paktën në futboll) janë të dukshme.
Një popull i shpërndarë nëpër botë ka krijuar një kombëtare kozmopolite, ku shumica e lojtarëve janë lindur ose rritur jashtë, e ku kanë përfituar edhe nga mundësi më të mira stërvitje të vazhdueshme.
Por, një nga ndryshimet, të paktën në shikimin e parë, nuk bën sens: sot kryeqyteti është thuajse komplet i papërfaqësuar në kombëtare. Në grumbullimin e fundit, vetëm një nga lojtarët, Albi Doka, mund të quhet produkt i akademive zinxhir të kryeqytetit. Kjo nuk është një anomali statistikore.
Edhe në kombëtaren e famshme të 2016-s, vetëm një lojtar, ish-kapiteni Ansi Agolli, ishte vërtet produkt i ekipeve zinxhir të Tiranës. Fenomeni do të ishte, deri-diku, i kuptueshëm nëse në kombëtare do të kishte vetëm lojtarë të lindur apo të rritur jashtë, por kjo nuk është tërësisht e vërtetë. Sado në numra të vegjël, qytete si Shkodra, Kavaja, Fieri, Berati kanë kontribuar thuajse me po aq lojtarë sa Tirana në kombëtaren e viteve të fundit, megjithëse kjo e fundit sot ka popullsi shumë herë më të madhe se të gjithë këto qytete.
Pse vallë ndodh e gjithë kjo? Kuptohet që për një përgjigje të saktë do të duhej një studim më i thelluar, por nuk është e paarsyeshme të mendosh se arsyeja kryesore është humbja totale e të gjithë atyre terreneve sportive që dikur krijuan plejadën e Kombëtares së 1986-s.
Nga një prej qyteteve europiane me më shumë hapësira të gjelbra për frymë para 1990-s, Tirana e vitit 2022 është një kryeqytet europian me më pak hapësira të gjelbra për frymë! Thuajse të gjithë terrenet sportive të dikurshme të Tiranës kanë rënë viktima të zhvillimit urban agresiv të kryeqytetit. Pavarësisht rrugëtimit ligjor të ndjekur, sot terrenet sportive janë të gjitha të mbushura me pallatet e reja shumëkatëshe që dominojnë kryeqytetin.
Në një vlerësim të vitit 2018, të rinjtë shqiptarë, të cilët jetojnë kryesisht në Tiranë, janë më pak të predispozuar për t’u angazhuar në aktivitete sportive se moshatarët e tyre në Ballkan, e shumë më pak se ata në pjesën tjetër të Europës. Megjithëse studimi nuk i zbulon arsyet, mungesa e hapësirave (ose thënë në gjuhë teknike, mungesa e aksesit) është, me shumë gjasa, një nga faktorët kryesorë.
Shqipëria, me të drejtë, u gëzohet sot disa arritjeve sportive të muajve të fundit: mikpritja e finales së Conference League në stadiumin e ri kombëtar, medaljeve të arta të Luiza Gegës dhe Zelimkhan Abakarov. Në historinë e sportit shqiptar, arritje të tilla kanë qenë të rralla, ose krejtësisht të munguara.
Por, nga ana tjetër, këto arritje duken më shumë si produkte krejtësisht të shkëputura nga zhvillimet shoqërore të vendit. Kombëtarja e futbollit është produkt i shqiptarëve të lindur e të rritur jashtë vendit. Disa paketa financiare po afrojnë atletë të huaj, nga rajone problematike, të konkurrojnë për vendin tonë.
Ndërkohë Luiza Gega nuk ka as një pistë ku të stërvitet në kryeqytet. Shqipëria e 2022-shit është më e pasur se ajo e 1986-s. Fatmirësisht kjo po fillon të reflektohet edhe në investimet sportive. Por aksesi në sport, për ata që jetojnë në Shqipëri sot, ironikisht, është më larg se kurrë!
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
BRAVO