Mungesa e reshjeve atmosferike gjatë dimrit ka bërë që në një pjesë kodrinore të tokës, të komunës së Prizrenit, gruri i mbjellur të zbehet. Ndërkaq ekspertët e bujqësisë thonë se nëse vazhdohet me këto temperatura rreziku mund të shtohet sa u përket mbjelljeve vjeshtore, e veçanërisht kur janë në pyetje ngricat. Në tokat e komunës së Prizrenit vjeshtën që shkoi janë mbjellur 4 mijë hektarë grurë, por siç edhe parashohin ekspertët e bujqësisë bazuar në mungesën e të reshurave, pasojat në pranverën e hershme do të jenë të mëdha. Jakup Kastrati ekspert i Drejtorisë së bujqësisë në komunën e Prizrenit thotë se tashmë ka filluar të vërehet zverdhja e grurit në mungesë të lagështisë. “Në ato parcela ku edhe nuk është bërë përgatitja mirë vërehet se gruri ka një zverdhje, kjo tregon shenjat e para që gruri nuk do të jetë mirë nëse në të ardhmen nuk do të ketë reshje“, thotë Kastrati.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.