Departamenti i Tregtisë në SHBA ka paralajmëruar se prodhuesit janë përballur me rënie të stoqeve të gjysmëpërçuesve, si rrjedhojë e mungesës globale të çipave.
Një studim që përfshiu më shumë se 150 firma zbuloi se furnizimet kishin rënë, nga një mesatare e mjaftueshme për 40 ditët në vijim në vitin 2019, në një mesatare furnizimesh të mjaftueshme për vetëm 5 ditë në fund të vitit 2021.
Shitjet e pajisjeve elektronike u rritën shumë gjatë pandemisë, duke i bërë prodhuesit e gjysmëpërçuesve që të kishin vështirësi për të plotësuar të gjithë kërkesën.
Këto mungesa kanë shkaktuar ndërprerje të punës në industritë kryesore.
Miliona produkte – makina, lavatriçe, telefona smart e shumë të tjera – funksiojnë me anë të këtyre çipave, të njohur gjithashtu si gjysmëpërçues.
“Në një kohë kur kërkesa është në rritje dhe kapaciteti i fabrikave ekzistuese të prodhimit ka arritur maksimumin, është e qartë se e vetmja zgjidhje afatgjatë për këtë krizë është rritja e aftësive tona prodhuese në vend,” tha në një deklaratë sekretarja amerikane e tregtisë, Gina Raimondo.
Studimi zbuloi gjithashtu se kërkesa për gjysmëpërçues ishte plot 17% më e lartë vitin e kaluar se sa në vitin 2019.
Ndërkohë, Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA shpalosën të martën legjislacionin që synon rritjen e konkurrencës së SHBA-së me Kinën dhe shpenzimin e 52 miliardë dollarëve për prodhimin e gjysmëpërçuesve dhe kërkimin në këtë fushë, pasi Senati miratoi financimin në qershor.
Administrata e Presidentit Joe Biden po përpiqet të bindë Kongresin që të miratojë fondet të cilat do të ndihmojnë rritjen e prodhimit të çipave në SHBA, pasi mungesat e komponentëve kryesorë kanë përkeqësuar problemet në zinxhirët e furnizimit.
Javën e kaluar, Intel tha se do të investonte 20 miliardë dollarë për të ndërtuar një kompleks për prodhimin e çipave në Ohio, i cili mund të jetë më i madhi në botë.
Në nëntor, Samsung njoftoi se kishte përzgjedhur një zonë pranë qytetit amerikan të Taylor në Teksas për një fabrikë të re për prodhimin e çipave për kompjutera, e cila do të kushtojë 17 miliardë dollarë.
Pritet që fabrika do të jetë funksionale në gjysmën e dytë të vitit 2024. Ky është investimi më i madh në SHBA nga gjiganti elektronik koreano-jugor./ BBC