Flet Z. Seyhan Pencapligil, drejtor i Bankës Kombëtare Tregtare
Sistemi bankar pritet të ketë ecuri pozitive në vitin 2019 në drejtim të uljes së mëtejshme të kredisë me probleme dhe përfitueshmërisë.
Megjithatë, z. Seyhan Pencapligil, drejtor i Bankës Kombëtare Tregtare, më të madhes në vend, pohon se bankat po hasen me mungesë të projekteve të mira nga biznesi dhe shton se shumica e tyre janë gati për të financuar projektet e duhura.
Si e prisni ecurinë e sektorit bankar në vitin 2019?
Ne kemi pritshmëri pozitive për industrinë bankare. Presim përmirësim të mëtejshëm në treguesin e kredisë me probleme dhe një rritje të përfitueshmërisë. Nivelet e ulëta rekord të normave të interesit i bëjnë huatë tërheqëse për bizneset dhe individët. Vështirësia kryesore me të cilën po përballen bankat është mungesa e investimeve të reja fizibël.
Gjithashtu, konkurrenca për mbajtjen e konsumatorëve po rritet. Ne parashikojmë që projektet publike, ose projektet e lidhura me punët publike (të tilla si PPP-të) mund të krijojnë një kërkesë shtesë për hua. Tregu i depozitave mund të shënojë stanjacion ose edhe të tkurret, për shkak të normave shumë të ulëta të interesit. Diferenca në normat e interesit mes Shqipërisë dhe vendeve që janë burim i remitancave është e papërfillshme. Kjo mund të shkaktojë një kalim të investimeve në Greqi, Itali ose shtete të tjera.
Sistemi bankar ka hyrë në një fazë të shitblerjeve. Si e vlerësoni këtë dhe si pritet të ndikojnë këto procese në ecurinë e tij?
Disa banka ndërkombëtare hynë në tregun shqiptar si pjesë e strategjisë së tyre në atë kohë. Tashmë, sërish, si pjesë e strategjisë së tyre aktuale, ato kanë vendosur që të largohen. Disa prej tyre nuk po realizonin fitime që prej një kohe të gjatë. Ne besojmë se në një ekonomi si Shqipëria, është ideale të ketë rreth 10 banka.
Si e shpjegoni ecurinë e dobët të kreditimit të ekonomisë vitet e fundit, pavarësisht politikës lehtësuese monetare të Bankës së Shqipërisë?
Së pari, pjesa më e madhe e huave janë dhënë në euro. Kur analizohet tendenca vjetore në totalin e huave të industrisë bankare, në rast se do të merrej në konsideratë vetëm vlera në lekë në 2018-n, kjo mund të ishte keqorientuese.
Vlerësimi i fortë i lekut ndaj euros (nga 135 në 123) krijon një ide false rreth shifrës totale të huasë, sikur nuk ka rritje, por rënie. Një tjetër parametër i rëndësishëm për t’u konsideruar është amortizimi i huave. Nëse marrim në konsideratë që mesatarja e huasë është katër vite, në rast se nuk jepen hua të reja, totali i portofolit mund të tkurret me 25%, megjithatë nuk është ky rasti.
Për më tepër, ka një mungesë kërkese dhe ka pak projekte të mira që mund t’u jepet hua, siç e përmenda edhe më lart. 2018-a ishte një tjetër vit ku investimet private ishin veçanërisht të ulëta. Rezultati është mungesa e projekteve të shëndetshme dhe fizibël për investime. Duke thënë këtë, ne besojmë se shumica e bankave janë gati për të financuar projektet e duhura. Gjithashtu duhet përmendur se degët e grupeve ndërkombëtare bankare janë prekur nga vendimet e selive qendrore ose autoriteteve domethënëse.
Si ka ndikuar dhe pritet të ndikojë strategjia e de-euroizimit të Bankës së Shqipërisë në sistemin bankar?
Banka e Shqipërisë ka zbatuar strategjinë e de-euroizimit për të promovuar përdorimin më të madh të monedhës vendase, Lek. Arsyeja pas de-euroizimit, ka qenë të rritet efektshmëria e mekanizimit të transmetimit të politikës monetare dhe për të ulur rreziqet e mëdha me të cilat klientët dhe institucionet financiare mund të përballen për shkak të mospërputhjes së monedhave.
Në mënyrë që të promovojë përdorimin e monedhës vendase, Banka e Shqipërisë e ka bërë më të lirë koston e përdorimit të monedhës vendase, por gjithashtu e ka bërë më të shtrenjtë përdorimin e euros për bankat, duke ndryshuar normën rregullatore të rezervës për bankat.
Pjesa më e madhe e popullsisë vendase kanë kursime në euro. 53.4% e depozitave në sistemin bankar deri në shtator 2018 janë në monedhë të huaj, kryesisht në euro. Për më tepër, këto depozita në monedhë të huaj janë rritur me 1.6% që nga shtatori 2018, krahasuar me fundin e 2017-s. Ndërkohë, depozitat në lekë janë rritur me 0.3%, për të njëjtën periudhë.
Monedha vendase është forcuar në mënyrë domethënëse kundrejt euros që nga fundi i vitit 2017 dhe rritja aktuale e depozitave në euro në sistemin bankar ka qenë edhe më e lartë, duke qenë se shifra e depozitave totale llogaritet në lekë. Nga ana tjetër, forcimi i ndjeshëm i lekut shqiptar, ose me fjalë të tjera, rënia në çmimin euro/lek është një tregues se ka një rritje të ofertës në euro në tregun vendas.
Ekonomia shqiptare është e lidhur ndjeshëm me Bashkimin Europian dhe monedhën euro. Ky është një rezultat i natyrshëm i pozicionit gjeografik dhe dëshirës së fortë të shqiptarëve për t’u integruar me Europën. Përdorimi i drejtë i kursimeve të tepërta në euro mund të sjellë shumë përfitime në ekonominë shqiptare.
Si ka qenë ecuria e bankës suaj dhe pritshmëritw për të ardhmen?
2018-a ishte një tjetër vit i suksesshëm për BKT. Ne kemi ruajtur tendencën tonë për rritje stabël dhe të qëndrueshme. Fokusi ynë kryesor ka qenë të rritet huadhënia dhe të përmirësohet cilësia e huadhënënies, duke rritur në këtë mënyrë përfitueshmërinë. Ne mund të vlerësojmë që i kemi arritur objektivat tona. Një tjetër prioritet për ne është të përmirësojmë cilësinë e shërbimeve dhe kënaqësinë e klientëve. Në këtë drejtim, ne kemi ndërmarrë hapa drejt progresit të vendosjes së klientit në qendër të biznesit, përmes qasjes së drejtuar nga efikasiteti.
Ne kemi investuar vazhdimisht në teknologjinë e fundit për të sjellë zgjidhjet më të përparuara dhe cilësinë më të mirë të shërbimeve. Ne madje i kemi vënë vetes një mision për të trajnuar klientët tanë dhe t’u mësojmë atyre përdorimin e teknologjisë. Ne presim një zhvendosje graduale në përdorimin e kanaleve të shpërndarjes dhe përqasjes së shërbimit në të ardhmen e afërt që mund të rrisë eficiencën dhe përfitueshmërinë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.