Elon Musk ka kërcënuar se do të heqë dorë nga oferta e tij prej 44 miliardë dollarësh për të blerë Twitter, duke akuzuar kompaninë se ka refuzuar që t’i japë atij informacion në lidhje me llogaritë spam dhe ato të rreme.
Avokatët e CEO-s të Tesla dhe të SpaceX e bënë këtë kërcënim nëpërmjet një letre drejtuar Twitter ditën e hënë. Twitter e zbuloi këtë shkresë në Komisionin e Letrave me Vlerë dhe të Shkëmbimeve të SHBA.
Sipas kësaj letre, Musk ka kërkuar vazhdimisht informacion që nga data 9 maj, rreth një muaj pas ofertës së tij për të blerë kompaninë, në mënyrë që të mund të vlerësojë se sa nga 229 milionë llogaritë e kompanisë janë të rreme.
CEO i Twitter, Parag Agrawal, ka thënë se Twitter ka vlerësuar vazhdimisht që vetëm më pak se 5% e llogarive janë të rreme. Por Musk e ka kundërshtuar këtë, duke pretenduar në një postim në muajin maj se llogaritë e rreme përbëjnë 20% ose edhe më shumë të totalit.
Aksionet e Twitter Inc. pësuan një rënie prej 3% të hënën, duke zemëruar kështu aksionerët e Twitter të cilët ngritën një padi kundër Musk në fund të muajit të kaluar për uljen e qëllimshme të çmimit të aksioneve. Aksionet e Twitter kanë rënë me 23% në muajin e fundit.
Twitter tha në një deklaratë të hënën se “kompania ka ndarë dhe do të vazhdojë të ndajë informacione duke bashkëpunuar me zotin Musk, për të përfunduar transaksionin në përputhje me kushtet e marrëveshjes së blerjes”.
“Ne synojmë që të mbyllim transaksionin dhe që të zbatojmë marrëveshjen në çmimin dhe kushtet e dakordësuara,” thuhej në këtë deklaratë.
Në muajin prill, Musk ra dakord për të blerë Twitter me ҫmimin 54.20 dollarë për aksion. Një sërë veprimesh të ndërmarra nga Musk që nga ai moment, duke përfshirë përplasjet publike me CEO-n e Twitter për llogaritë e rreme, ka bërë që shumë ekspertë të dyshojnë nëse miliarderi synon që të vazhdojë me marrëveshjen, ose të paktën nëse po kërkon të reduktojë ofertën e tij.
Avokatët e Musk thonë në letër se Twitter është ofruar vetëm për të dhënë detaje rreth metodave të testimit të kompanisë. Por ata pretendojnë se kjo gjë është “e barabartë me refuzimin e kërkesës së zotit Musk për të marrë të dhëna” dhe përbën një “shkelje materiale” të marrëveshjes që i jep Musk të drejtën për ta anuluar atë, nëse ai dëshiron.
“Kjo është një shkelje e qartë materiale e detyrimeve të Twitter sipas marrëveshjes dhe zoti Musk rezervon të gjitha të drejtat që rrjedhin prej saj, duke përfshirë të drejtën e tij për të mos përfunduar transaksionin dhe për të anuluar marrëveshjen”, thuhet në letër.
Musk i ka kërkuar këto të dhëna bazë sepse dëshiron të bëjë disa verifikime për ato që ai i konsideron si “metodologjitë e dobëta” të Twitter.
Marrëveshja e shitjes në Twitter i jep Musk të drejtën për të anuluar marrëveshjen nëse ka një “efekt negativ material” të shkaktuar nga kompania. Kjo përcaktohet si një ndryshim që ndikon negativisht në biznesin apo kushtet financiare të Twitter. Twitter ka thënë gjatë gjithë kohës se do të vazhdojë me marrëveshjen e dakordësuar, megjithëse nuk ka planifikuar një votim të aksionerëve për këtë marrëveshje.
Muajin e kaluar, Musk tha se ai e kishte vendosur marrëveshjen “në pritje” në mënyrë të njëanshme, gjë që, sipas ekspertëve, ai nuk ka të drejtë ta bëjë. Nëse Musk anulon marrëveshjen, ai mund të duhet të paguajë një tarifë prej rreth 1 miliard dollarësh.
Manovra e fundit e Musk tregon se si ai “po kërkon një rrugëdalje nga marrëveshja ose diçka që do t’i japë mundësinë për të rinegociuar çmimin”, tha Brian Quinn, profesor i drejtësisë në Kolegjin e Bostonit.
“Dyshoj se ata do të lejonin Musk që të anulonte marrëveshjen,” tha Quinn. “Do të vijë momenti që bordi i Twitter do të lodhet nga kjo situatë dhe do të ngrejë një padi ndaj tij” duke i kërkuar gjykatës që të detyrojë Musk që t’i përmbahet marrëveshjes.
Twitter ka dorësuar për vite me radhë vlerësimet e veta për llogaritë e rreme në Komisionin e Letrave me Vlerë dhe të Shkëmbimeve të SHBA-së, duke paralajmëruar gjithashtu se këto vlerësime mund të jenë shumë të ulëta.
“Nëse Twitter është i sigurt në vlerësimet e publikuara në lidhje me llogaritë spam, zoti Musk nuk e kupton ngurrimin e kompanisë për të lejuar zotin Musk që të vlerësojë në mënyrë të pavarur këto shifra”, thuhet në letrën e Musk, duke shtuar se ai pranon që të mos i bëjë publike këto të dhëna.
Problemi i llogarive të rreme është një fiksim i vjetër i Musk, një nga përdoruesit e famshëm më aktiv të Twitter, emri dhe ngjashmëria e të cilit shpesh imitohen nga llogari të rreme që promovojnë mashtrimet me kriptomonedha. Musk duket se mendon që këto llogari të rreme janë gjithashtu një problem për shumicën e përdoruesve të tjerë të Twitter, si dhe për reklamuesit që nxjerrin reklama në këtë platformë duke u bazuar te numri i njerëzve të vërtetë që pritet ta shikojnë këtë reklamë.
Letra e nënshkruar nga avokati i Musk, Mike Ringler, tregon për një përplasje në lidhje me një letër të datës 1 qershor nga Twitter, ku kompania thotë se duhet të jepte vetëm informacione që lidhen me mbylljen e procesit të shitjes. Sipas kësaj letre, Twitter është i detyruar të sigurojë të dhëna për çdo qëllim të arsyeshëm biznesi që nevojitet për të përfunduar me marrëveshjen.
Twitter gjithashtu duhet të bashkëpunojë me përpjekjet e Musk për të marrë financimin për këtë marrëveshje, duke përfshirë sigurimin e informacionit që është “kërkuar në mënyrë të arsyeshme” nga Musk, thuhet në letër.
Letra pretendon se Musk nuk ka nevojë të shpjegojë arsyetimin e tij për të kërkuar të dhëna ose për t’iu nënshtruar “kushteve të reja që kompania është përpjekur të vendosë” ndaj të drejtës së tij për të marrë shifrat që kërkon.
Në letër pretendohet se Musk ka të drejtën që të marrë të dhëna në lidhje me thelbin e modelit të biznesit të Twitter, në mënyrë që të mund të përgatitet për kalimin e kompanisë në pronësinë e tij./AP