Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se buxheti dy miliardësh, i cili u aprovua në Kuvendin e Republikës së Kosovës, siguron zhvillim të qëndrueshëm dhe reflekton në mënyrë të drejtpërdrejt programin e koalicionit qeveritar.
“Ky Buxhet, i cili do të zbatohet me përkushtim maksimal, mundëson realizimin e objektivave tona të përbashkëta për zhvillimin e vendit, për rritje ekonomike, për krijimin e vendeve të reja të punës, për mirëqenie sociale dhe po ashtu për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit. 2017 është vit i mundësive të reja për avancim në të gjitha fushat. Urime”, ka shkruar ai në rrjetin social Facebook.
Ndërsa ministri i Financave Avdullah Hoti tha se ka rritje të buxhetit për arsim, por cilësia është problem tjetër. Rritja e borxhit publik është më e vogël se në rajon.” Kemi klauzolën për projekte të rëndësishme për huazime me norma të interesit me 0.5 përqind, të ulëta. Ka një gatishmëri të madhe për financimin e projekteve nga institucionet financiare ndërkombëtare. Rritja ekonomike kemi kapërcime reale me një rritje mbi 4.4 për qind. Ky buxhet e stabilizon zhvillimin ekonomik. Punësimi po rritet, mbi 18 mijë veta kontribuues të rinj në Trust”, tha Hoti.Sipas tij të hyrat janë të larta edhe nga mbledhja e TVSH-së”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.