Kryeministri i vendit, Isa Mustafa, ka përshëndetur ndihmën që do të akordojë Fondi Monetar Ndërkombëtar për Kosovën.
FMN-ja, sipas Mustafës, i ka distribuuar 100 milionë euro buxhetit të Kosovës, duke marrë në konsideratë disiplinën, korrektësinë dhe menaxhimin shembullor të financave nga Qeveria e Kosovës.
“Ky është si rezultat i koordinimit ndërmjet institucioneve dhe menaxhimit të mirë të disa proceseve shumë të ndjeshme që u përmbyllën suksesshëm, me mirëkuptimin dhe kontributin e të gjithëve”, ka shkruar në Facebook, Mustafa.
Postimi i plotë:
“Sot, Bordi i FMN-së, duke marrë në konsideratë disiplinën, korrektësinë dhe menaxhimin shembullor të financave nga Qeveria e Kosovës, ka distribuuar 100 milionë euro për Buxhetin e shtetit të Kosovës, që shkojnë në mbështetje direkte buxhetore.
Pas rishikimit të programit, FMN-ja ka konkluduar se të gjitha kushtet në kuadër të programit janë plotësuar nga ana e institucioneve të Kosovës.
Përtej përfitimit të konsiderueshëm dhe shumë të vlefshëm financiar, ky vlerësim është dëshmi për partnerët tanë ndërkombëtarë për kredibilitetin, aftësinë dhe potencialet tona qeverisëse.
Kjo e arritur është rezultat i koordinimit ndërmjet institucioneve dhe menaxhimit të mirë të disa proceseve shumë të ndjeshme që u përmbyllën suksesshëm, me mirëkuptimin dhe kontributin e të gjithëve.
Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të çoj përpara proceset vitale për shtetin, në partneritet me SHBA-në dhe vendet tjera mike si dhe me organizatat ndërkombëtare euroatlantike dhe më gjerë./Telegrafi/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.