Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, po kërkon që deputetët e Kuvendit të Kosovës të votojnë pro heqjes së taksës ndaj mallrave Serbe. Mustafa ka shkruar në Facebook se SHBA është aleati më u fuqishëm i Kosovës, prandaj duhet të respektohet kërkesa që taksa të hiqet. Ai ka theksuar se partia e tij e mbështet plotësisht heqjen e menjëhershme të tarifës.
Kurse, i deleguari Special i Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, e ka përkrahur Isa Mustafën në qëndrimin e tij se të hënën duhet të hiqet plotësisht tarifa ndaj produkteve serbe. Ka thënë se Isa Mustafa është lideri i guximshëm. E kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka thënë se nga dita e hënë do të diskutohet më hollësisht për çështjen e taksës.
Kreu i LDK-së, Isa Mustafa përmes një postimi në Facebook ka kërkuar që taksa të hiqet krejtësisht, ashtu siç po kërkon SHBA-ja.
Në një postim në Facebook ai ka thënë se taksa e vendosur nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj nuk kishte arsyetim ekonomik, por LDK-ja e kishte përkrahur për të ndalur hovin e presidentëve, Thaçi – Vuçiq, për pazaret për territorin e Kosovës.
“Që nga fillimi jam shprehur haptas, ndoshta ndër të vetmit, se tarifa së pari 10 për qind e pastaj 100 për qind, e caktuar nga Qeveria Haradinaj, nuk kishte arsyetim ekonomik por ishte vënë për t’u mbrojtur nga dështimet, sidomos në politikën e jashtme. Presidenti i Serbisë, Vuçiq, i dha tarifës dimension të kushtëzimit të dialogut. Prandaj kur doli në pah mundësia e pazareve me territorin ndërmjet dy presidentëve, atij të Serbisë dhe të Kosovës, tarifa rrëshqiti në levën e pengimit të këtij dialogu të dëmshëm. Atëherë e kam përkrahur ish-kryeministrin Haradinaj për vazhdimin e tarifës”, ka shkruar Mustafa.
Mustafa tutje ka shtuar se pas angazhimit të SHBA-së për dialogun, taksa ka mbetur si relikt dhe po i shërben Serbisë për t’u paraqitur si viktimë.
“Pas zgjedhjeve të vitit të kaluar të Komisionit Evropian dhe sidomos pas angazhimit shumë aktiv të SHBA-së me përfaqësuesin special të Presidentit Trump, ambasadorin Grenell, tarifa objektivisht mbetet vetëm si relikt, i cili po i shërben Serbisë të paraqitet si viktimë në arenën ndërkombëtare dhe disave në Kosovë si mjet i vetëm i një kauze të paqëndrueshme politike”, ka thënë Mustafa.
Tutje ai ka shtuar se askujt nuk i mbushet mendja se Kosova e detyron Serbinë që ta njohë përmes tarifës.
“Por, shumicës dërmuese iu mbushet mendja se SHBA-të, në rend të parë, dhe BE mund ta bindin Serbinë, përmes procesit të dialogut, ta njohë shtetin e Kosovës. Dëshiroj të besoj se mbledhja e nesërme e Kuvendit do t’i japë përkrahje Qeverisë dhe Kryeministrit Kurti të hiqet tarifa. Të hiqet ashtu siç po kërkojnë SHBA-të”, ka thënë Mustafa. “Nuk jam i sigurt që dikush nga grupet parlamentare ose deputetët e Kuvendit apo qeveritarët ta kenë gjetur një partner më të fortë, më meritor dhe më të përkushtuar sesa SHBA-të për shtetin dhe shtetësinë e Kosovës. E as një rrugë më me perspektivë se ajo e integrimit evropian dhe euroatlantik”.
Ai thotë se LDK-ja e dëshiron heqjen e taksës, jo vetëm pse e do SHBA-ja, por sepse është i bindur se kjo është në interes të Kosovës.
“Nëse dikush luhatet, LDK, deputetët e saj dhe anëtarët e Qeverisë do të mbështesin pa asnjë rezervë dhe me besim e bindje të plotë heqjen e menjëhershme të tarifës, dhe atë jo vetëm se po e kërkon partneri ynë strategjik SHBA, por se jemi të bindur se kjo është në interes të shtetit të Kosovës”, ka shkruar ai.
Ai ka paralajmëruar se do të vendoset reciprociteti nëse nuk ndryshon Serbia qasje ndaj Kosovës.
“Në qoftë se Serbia, nuk e ndal fushatën kundër Kosovës dhe nuk mënjanon pengesat tregtare dhe ekonomike, LDK mbetet e përkushtuar për aplikimin e masave të reciprocitetit pas një periudhe që Qeveria e akordon me SHBA-të dhe BE-në”, ka shkruar Mustafa.
I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka komentuar kërkesën e liderit të LDK-së, Isa Mustafa, që tarifa ndaj mallrave të Serbisë të hiqet tërësisht, sipas kërkesës së SHBA-së.
Duke komentuar postimin e Mustafës në Tëitter, Grenelli ka thënë se heqja e tarifës ndaj këtyre mallrave do të ishte fillim i mirë për më shumë progres.
“Postim shumë i mirë. Isa Mustafa është lider i guximshëm. Heqja e tarifës nesër do të ishte fillim i shkëlqyeshëm për më shumë progres – dhe do të kishte lëvizje të shpejtë. Por zhvillimi ekonomik nuk mund të ecën përpara derisa të mos hiqet tarifa”, ka shkruar Grenelli.
Richard Grenell kishte reaguar rreth paralajmërimit të heqjes së taksës nga kryeministri Albin Kurti.
Ai ka thënë se nuk i mbështesin masat gjysmake të Kurtit, por duan heqjen e plotë të taksës.
“Ne nuk e mbështesim masën gjysmake të kryeministrit Kurti. Pozicioni ynë është mjaft i qartë: tarifat duhet të bien plotësisht. Kurti është duke bërë një gabim serioz – dhe kjo iu bë e qartë Presidentit Thaçi në Shtëpinë e Bardhë sot”.
Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka thënë se nga dita e hënë do të diskutohet më hollësisht për çështjen e taksës 100 për-qind të vendosur ndaj produkteve që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Ajo ka bërë të ditur se për të njëjtën çështje është diskutuar edhe të premten (28 shkurt).
“Për taksën jemi takuar të premten, kurse nga e hëna mund të flasim më në detaje për këtë çështje”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.