Një muze në nder të një prej stilistëve më të njohur të shekullit të 20-të, Yves Saint Laurent, do të hapet në Marrakesh të Marokut.
Studioja KO, një zyrë arkitekture me bazë në Paris e drejtuar nga Olivier Marty dhe Karl Fournier, është përzgjedhur për të ndërtuar muzeun e stilistit të njohur, në të cilin do të ketë mbi 5,000 veshje haute-couture, 15,000 aksesorë, mbi mijëra foto të ekspozuara dhe shumë objekte të tjera, pjesë e sfilatave të ndryshme.
Muzeu Yves Saint Laurent është pjesë e një projekti internacional për të ruajtur punën e stilitit të famshëm për gjeneratat që do të vijnë. Muzetë do të jenë dy, ai i Parisit dhe i Marrakeshit. Ky i fundit do të ndërtohet pranë Jardin Majorelle, një prej shtëpive më të famshme në Marok, e ndërtuar sipas stilit të artit islam dhe e rrethuar me një gjelbërim mbresëlënës.
Ky muze ka një sipërfaqe prej 4000 m2, ku do te ketë një sallë për sfilatat me 130 vende për të ftuarit, një librari, nje restorant-kafe dhe një bibliotekë gjigande e cila do të përdoret edhe për punë të ndryshme kërkimore.