Shqipëria tashmë ka marrë vëmendjen e turistëve ndërkombëtarë. Alternativat e ndryshme në turizmin e aventurës, bregdeti dhe çmimet e lira janë vetëm disa nga arsyet që portalet e huaja raportojnë se po tërheqin turistë, nga Europa dhe jo vetëm.
Përveç natyrës, edhe eventet kulturore po tërheqin turistë. Në portalin broadwayworld.com është njoftuar një festival i ri që do të organizohet në Shqipëri.
Ndryshe nga herët e tjera, ku të tilla organizime janë bërë në rivierë, këtë herë festivali do të bëhet në plazhin e Shëngjinit.
Prej 31 majit – 2 qershor 2019, në bregun shqiptar do të zhvillohet një festival i ri i muzikës elektronike në natyrë “UNUM”, njofton portali. UNUM në latinisht do të thotë “Një”.
Duke kombinuar muzikën, rërën, pishat, detin dhe malet, festivali do të mbahet te Rana e Hedhun, në qytetin e Shëngjinit, në bregdetin idilik të Shqipërisë.
Shqipëria është një vend i vogël në Evropën Juglindore me brigjet e Adriatikut dhe Jonit, pasi kalon nga Alpet Shqiptare.
Riviera Shqiptare është panorama e fundit e paprekur në Europë. Rana e Hedhun ndodhet në cepin veriperëndimor të vendit.
Në plazhin e Ranës së Hedhun, një plazh unik, edhe emri i festivalit merr kuptim. Muzika dhe skena vijnë së bashku si një ëndërr.
Megjithatë ky nuk do të jetë festivali i vetëm që do të zhvillohet në Shqipëri. Në datat 12-19 qershor 2019 do të organizohet edhe festivali Kala në Dhërmi për herë të dytë në Shqipëri. Biletat për të marrë pjesë në këtë festival kanë të përfshirë edhe akomodimin. Për turistët nga Londra ato variojnë nga 50 deri në 150 paund.
Një vit më parë Kala u zhvillua në fund të qershorit (20 – 27 qershor) në pesë vende në Dhërmi, kryesisht me hotele me bare buzë detit. Në dispozicion u vunë 2,000 bileta, kështu që kishte mjaftueshëm hapësirë në plazh, ujë të pastër si kristal, si dhe restorante të qeta (linguinet me fruta deti te restorant Luciano ishin më të pëlqyerat).
Biletat e festivalit përfshinin paketat e akomodimit, nga shtëpizat e plazhit, B & B te hotelet luksoze, të gjitha brenda rrezes së zhvillimit të festivalit. Me një program Wellness (yoga dhe banja me gong përballë detit Jon) i cili ofrohet paralelisht me eventet muzikore, festivali siguron hapësirë edhe për ata që janë të interesuar për pushime të qeta (i ngjashëm me festivalin veror të Kroacisë, Obonjan) ndërsa për ata që dëshirojnë të festojnë gjatë gjithë natës (ka muzikë deri në orën 6:00 të mëngjesit çdo ditë).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.