Bankers Petroleum Albania parashikon të prodhojë në vitin aktual 670 mijë ton naftë.
Kjo shifër është rreth 33% më pak sesa prodhimi i kompanisë në vitin 2019, kur ishte një vit normal pa efektet e pandemisë së COVID-19.
Detajet u dhanë nga kompania publike e prodhimit të naftës Albpetrol, pas miratimit të programit të punës dhe buxhetit të kompanisë për 2021.
Në mbledhjen e Komitetit Këshillimor midis shoqërisë Albpetrol sh.a dhe “Bankers Petroleum Albania” Ltd” që zhvillon aktivitetin në Vendburimit Patos-Marinëz u nënvizua se nëse koniunktura e tregut hidrokarbur do të jetë e favorshme atëherë do të vijohet me investime në Shpimin e Puseve të Reja.
Një tjetër element i parashikuar është ai për një shtesë investimi lidhur me rehabilitimin e Gropave Ekologjike.
Bankers Petroleum është prodhuesi më i madh i naftës në vend, me mbi 90% të totalit. Kompania u prek nga pandemia në pjesën e parë të 2020-s, duke u detyruar të ndërpresë aktivitetin në prill, për më shumë se një muaj, për herë të parë në histori, teksa nafta zbriti në 20 dollarë për fuçi, konsumi global ra dhe aktiviteti i rafinerive partnere u reduktua në minimum. Si pasojë, planet ambicioze të ‘Bankers’ për intensifikim të aktivitetit hidrokarbur u ndalën gjatë kësaj periudhe, duke ndikuar negativisht në planet për hapjen e puseve të reja. Bankers ka deklaruar se pret që prodhimi këtë vit të jetë në të njëjtat nivele si në 2020.
Paralelisht me Bankers duket se është vijuar edhe me diskutimet me një tjetër kompani që ushtron aktivitetet në zonën e Kuçovës.
Albpetrol bëri me dije se “Sherwood International Petroleum” Ltd” pritet të prezantojë edhe ajo planin e punës dhe investimeve por aktualisht po bëhen konsultime për të dalë në një program të përmirësuar.
Situata e sektorit në 2020 dhe çmimet në bursa sot
Në vitin 2020 shumica e kompanive që operonin në nxjerrjen e naftës kaluan vështirësi për shkak se kërkesa në tregje ra në mënyrë dramatike e për rrjedhojë edhe çmimi. Ngadalësimi i ekonomisë ku shumica e globit u përfshi nga vendosja e karantinave të njëpasnjëshme si dhe kufizimeve në orare bëri që industritë më të mëdha të pushonin aktivitetin. Gradualisht situata ndryshoi në muajt e verës dhe vjeshtës. Në vitin 2020 eksporti i naftës në vend ishte 737 mijë tonë me një rënie 12 për qind në raport me vitin 2019, sipas INSTAT. Ndërkohë që sinjalet e para të vitit 2021 tregojnë për rritje të çmimit në tregje për shkak të rënies së prodhimit.
Për shembull pas ngricës së Teksasit çmimet e naftës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës arritën pikun e 13 muajve të fundit me një fuçi që u shit me 61.05 dollarë të hënën e kësaj jave.
Kjo lëvizje erdhi pak ditë pasi Goldman Sachs parashikoi se çmimet e naftës do të kapërcejnë mbi 70 dollarë fuçia në muajt e ardhshëm si rezultat i situatës së krijuar në Teksas dhe kohës që do tju duhet rafinerive të marrin veten e të rikthehen në prodhimin normal.
Në muajin e ardhshëm pritet edhe një takim mes OPEC+ Alliance, Arabia Saudite dhe Rusia do të diskutojnë mbi të ardhmen e sektorit. Ulja e prodhimit me rreth 1 milionë fuçi në ditë nga Arabia Saudite ka dhënë efektet e saj të para me çmimet që janë rritur në mesatarisht 60 dollarë për fuçi por ende kërkesa vlerësohet të jetë e dobët në tregje./ N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.