Shqiptarët sot paguajnë 7 taksa tek nafta dhe me shumë gjasa, numri i tyre do të arrijë në 9 brenda këtij viti. Një nismë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për rezervën e sigurisë sanksionon se për çdo litër karburant do të vilet një tarifë që do të përcaktohet me VKM. Kjo do të shkojë për krijimin dhe mbajtjen e rezervës dhe do të menaxhohet nga një agjenci e re.
Nga Nertila Maho
Në çdo një litër karburant, sot në Shqipëri paguhet 65% taksa dhe vetëm 35% për produktin. Por kur kishit menduar se tashmë tek nafta janë të mjaftueshme 7 taksa, ndoshta duhet të mendoheni dy herë. Qeveria ka vendosur të befasojë me një tjetër nismë, që është një tarifë shtesë mbi karburantet për të krijuar atë që quhet rezerva e sigurisë. Bëhet fjalë për një tarifë që do të vendoset me një vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave dhe që do të taksohet në çdo një litër karburant që shoqëritë e shumicës shesin, ndërkohë që pjesë e këtij cikli janë edhe rafineritë.
Nga ana tjetër, taksa e 9 brenda çmimit është thuajse gati. Ministria e Financave dhe Ekonomisë tashmë ka marrë autorizimin nga Komisioni i Prokurimit Publik për të vijuar me koncesionin që lidhet me kolaudimin e pompave të karburanteve. Kjo do të thotë që deri në fund të vitit, nëse procedurat për të dyja nismat do të mbyllen me sukses, Shqipëria mund të kthehet në një vend që thyen rekordin për numrin e taksave brenda një produkti siç është nafta, me 9 të tilla.
Vendosja e taksave apo tarifave të njëpasnjëshme duket se është kthyer në një normalitet, të cilit shqiptarët i janë dorëzuar pa kushte dhe që reflektohet në “dhimbje” koke sa herë të duhet të furnizosh mjetin me atë që këtu më mirë se kudo mund t’ia njohësh zhargonin “ari i zi”.
Rezerva e sigurisë sot dhe sipas projektligjit, çfarë ndryshimesh sjell
Ministria për Infrastrukturën dhe Energjinë ka paraqitur së fundmi për konsultim një draft, i cili parashikon krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave minimale të sigurisë së naftës bruto dhe nënprodukteve të saj. Por çfarë është në fakt kjo rezervë. Sipas shpjegimit në projektligj, këto rezerva janë sasitë e rezervave të naftës dhe nënprodukteve të saj të krijuara, për të siguruar një nivel të lartë të sigurisë së furnizimit të Republikës së Shqipërisë dhe për të përmbushur detyrimet e marrëveshjeve përkatëse ndërkombëtare. Ato mund të përdoren në kohë krizash prodhimi apo lufte.
Por krijimi i rezervës së sigurisë nuk është diçka e re për Shqipërinë. Me ligjin numër 8450 të vitit 1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, sanksionohet detyrimi për rezervën e sigurisë, por kjo bie në kurriz të rafinerive dhe shoqërive të tregtimit me shumicë. Praktikisht në nenin 9, pika 1, thuhet se “për mbulimin e nevojave të konsumit kombëtar në periudha krize dhe situatash të jashtëzakonshme brenda territorit të vendit, rafineritë e naftës dhe shoqëritë e tregtimit me shumicë janë të detyruara të mbajnë rezerva sigurie. Këshilli i Ministrave përcakton kategoritë e naftës dhe të nënprodukteve të saj, për të cilat duhet mbajtur rezerva e sigurisë”. Për të krijuar këtë rezervë, shoqërive në vitet e para iu kërkua që të mbanin 30 ditë mesatare shitjeje dhe më pas ky proces do të shtrihej nga viti në vit deri në plotësimin e 90 ditëve mesatare shitjeje.
“Duke filluar nga viti 2007 deri në vitin 2010, rezerva e sigurisë do të jetë e barabartë me 60 ditë mesatare shitjeje, ndërsa nga viti 2010 e në vazhdim, rezerva e sigurisë do të jetë e barabartë me 90 ditë mesatare shitjeje”, thuhet në ligj. I njëjti nënvizon se çfarë njihet si rezervë sigurie në kuptimin e mbajtjes së gjendjes, duke theksuar se rafineritë 50% mund ta mbajnë në formën e naftës bruto në rezervuarët e tyre ose të shoqërive të prodhimit të naftës, kurse shoqëria e tregtimit me shumicë mban rezervuarët pronë të shoqërisë apo të marra prej saj në bazë kontrate.
Mënyra sesi është hartuar ky nen u ka lënë hapësira kompanive që të mbajnë rezervën në format që u krijon më pak kosto, pra të konsiderojnë rezervë gjendjen në depozita, atë në anije që është në udhëtim apo gjendjen në pikat e karburanteve.
Por forma e re e konceptuar e depozitave është që sasia 90 ditë mesatare shitjeje të jetë gjendje brenda territorit të vendit, duke mos marrë në konsideratë anijet. Këtë ministria e saktëson në nenin 8 të projektligjit të ri, ku thuhet se nuk konsiderohet rezervë sigurie nafta bruto e paprodhuar, produktet energjetike hidrokarbure të ruajtura në tubacione, cisterna, stacionet e shitjes së karburanteve, anijet në det.
Krijohet një agjenci e re, të ardhurat nga një tarifë mbi karburantet
Në projektligjin e nxjerrë për konsultim, sanksionohet se krijimi dhe mbajtja e rezervës së sigurisë do të ndahet mes industrisë dhe një enti publik. Ky i fundit do të ketë edhe shumicën e kësaj rezerve të paktën 60 ditë mesatare shitjeje, kurse kompanitë dhe rafineritë 30 ditë mesatare shitjeje. Agjencia Shtetërore e Rezervave të Sigurisë të Naftës është institucioni i ri që do të krijohet në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Kjo e fundit do të funksionojë me vetëfinancim përmes një tarife që do të mblidhet në çdo një litër karburant tek rafineritë dhe shoqëritë e shumicës.
Tagrin për të vendosur këtë tarifë do ta ketë Këshilli i Ministrave. Në nenin 17, pika 1 e draftit, thuhet se fondet e dedikuara për mbulimin e shpenzimeve për krijimin, ruajtjen, mirëmbajtjen, inspektimin e rezervave të sigurisë, si dhe për aktivitetet e tjera të rregullta të agjencisë, sigurohen së pari nga tarifat e krijimit dhe mbajtjes së rezervës së sigurisë që aplikohen mbi sasitë e produkteve energjetike hidrokarbure që shiten në Republikën e Shqipërisë, së dyti nga kredi të mundshme të marra në përputhje me legjislacionin në fuqi, së treti nga të ardhurat nga shitja e rezervave, së katërti, të ardhurat nga shitja e shërbimeve, së pesti burime të tjera.
“Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit, vendos tarifat e përmendura në pikën 1.1 të këtij neni. Shuma e tarifave mbi produktet energjetike hidrokarbure në lekë / litër ose lekë / kg për çdo kategori të produkteve energjetike hidrokarbure (ose e përbashkët për të gjitha kategoritë), përcaktohet në bazë të nevojave të financimit për vitin fiskal përkatës për aktivitetin e Agjencisë. Fondet e papërdorura nga viti i kaluar mbarten për përdorim për vitin e ardhshëm”, thuhet në draft. Tarifat e krijimit dhe mbajtjes së rezervës së sigurisë paguhen në llogarinë e Agjencisë, në momentin e hedhjes në qarkullim të lirë arkëtohen nga Autoriteti Doganor gjatë mbledhjes së detyrimit doganor të mallrave me akcizë dhe paguhen në llogarinë e Agjencisë.
Sërish në lojë hyjnë privatët, Agjencia mund të delegojë rezervat
Angazhimi i qeverisë për rezervat e sigurisë duket se lidhet me një “presion” të vazhdueshëm të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë për të plotësuar siç duhet këtë hallkë. Viteve të fundit, në çdo raport që vlerëson vendet e Ballkanit Perëndimor duke parë avancimin sipas prioriteteve të Procesit të Berlinit, nuk ka munguar theksi për rezervën e sigurisë. Por në projektligjin e vet, duket se edhe qeveria ka parasysh që krijimi dhe menaxhimi i vetëm i një rezerve sigurie është një mision i vështirë dhe me kosto të larta. Ajo kërkon, së pari, blerjen e produktit, depozita të dedikuara ekstra, përveç atyre ekzistuese që kanë sot bizneset e sektorit, qarkullimin në treg të sasive specifike në mënyrë që të garantohet gjithmonë që rezerva të ketë karburante që nuk kanë humbur vlerën e tyre.
Për t’i hequr vetes këtë dhimbje koke duket se me një pikë të veçantë, qeveria ka sanksionuar atë që njihet si rezerva e sigurisë e deleguar. “Rezervat e sigurisë mund të mbulohen pjesërisht nga një marrëveshje me afat të caktuar, ku sipas së cilës një person tjetër juridik merr përsipër detyrimin e mbajtjes dhe menaxhimit të rezervave të sigurisë dhe fiton të drejtën për të blerë sasitë e rezervave të sigurisë, të mbuluara nga marrëveshja”, – thuhet në projektligj. Operatori ekonomik dhe Agjencia do të nënshkruajnë një marrëveshje, e cila parashikon të drejtën ekskluzive të Agjencisë për të blerë sasitë e rezervave të deleguara në çdo kohë gjatë gjithë periudhës së marrëveshjes, metodën për përcaktimin e çmimit të pagueshëm për rezervat në rast të blerjes së tyre, vendndodhjen e depozitave ku mbahen rezervat e deleguara dhe sasitë përkatëse, afatin e marrëveshjes.
Një tjetër angazhim i privatëve në projektligj është ai që lidhet me shërbime të specializuara, ku Agjencisë i lind e drejta t’i marrë ato nga jashtë në varësi të nevojave. “Gjatë monitorimit, Agjencia në bazë të marrëveshjes, mund të angazhojë dhe persona të tjerë, fizikë ose juridikë, nga fushat përkatëse në kryerjen e ndonjë aktiviteti profesional”, thuhet në projektligj.
Shoqata e Hidrokarbureve: Vendosja e tarifës do të reflektohet në çmim
Vendosja e çdo takse apo tarife mbi karburantet është reflektuar gjithmonë në çmimin final me të cilin konsumatorët blejnë produktin. Propozimi i fundit për vendosjen e një tarife të re duket se do të ndjekë të njëjtën rrugë. Përfaqësues të Shoqatës së Hidrokarbureve në vend thanë për “Monitor” se, nëse ministria parashikon një tarifë të re për krijimin e rezervës, menaxhimin e saj dhe një agjenci të re, sigurisht që çdo kosto shtesë do të transmetohet në çmimin e karburantit.
“Deri më sot, nga krijimi i sektorit, kompanitë kanë mbajtur atë që njihet si rezervë sigurie. Ishte fillimisht 30 ditë mesatare shitjeje dhe më pas u bë 90 ditë. Çdo fillim viti, Ministria e Energjisë, në bazë të shitjes që ka pasur kompania një vit më parë, i çon kuotën sa duhet të jetë rezerva e sigurisë. Kjo rezervë njihej në sasitë që ndodheshin në pikat e karburantit, sasinë në depozitë bregdetare dhe sasinë në udhëtim. Vetvetiu një kompani serioze është e detyruar që ta mbajë këtë sasi, sepse në të kundërt del nga tregu. Rezervat janë mbajtur për shkak të ligjit ekzistues. Me evoluimin e tregjeve ndërkombëtare, kompanitë serioze janë integruar në këto tregje dhe kanë krijuar partneritet me kompani të mëdha furnizimi të cilët mbajnë rezerva në depozitat e tyre për palën shqiptare.
Pra nëse në një ditë, sipas Bursës së Londrës, së cilës i referohemi ne për blerje, ka një çmim të leverdishëm, ne bëjmë rezervimin e një sasie të konsiderueshme. Pra rezerva ekziston. Nëse shteti do të krijojë një agjenci që të mbajë rezervat nuk ka asgjë të keqe, por me kushtin që të mos shtohet ndonjë taksë tjetër mbi karburantin. Nëse kjo ndodh, atëherë është rritje kostoje dhe do të sjellë edhe rritje çmimi. Nëse me mënyrën që operohet sot ka kosto zero dhe ti shton një detyrim ekstra, sigurisht që është kosto. Ne kemi qenë të detyruar të mbajmë rezervën sipas ligjit, sepse ka edhe sanksione.
Ligji aktual parashikon që, nëse vjen për inspektim shteti dhe nuk më gjen pjesën e rezervës, gjoba është sa 50% të vlerës së gjithë rezervës që duhet të mbahet nga kompania. Ende nuk janë dhënë shumë specifika për mënyrën sesi do ta mbajë shteti këtë rezervë, por shtete që e kanë mbajtur vetë këtë rezervë, kanë krijuar humbje për shkak se nafta kuotohet në bursë dhe lëvizjet vjetore minimum / maksimum shkojnë deri në 500-600 dollarë për ton. Plus që duhet të kemi parasysh që ka ca afate për mbajtjen e naftës, nëse ajo mbahet më shumë se 4 vjet, bëhet e papërdorshme.
Kompanitë që kanë treg e qarkullojnë, por agjencia ende mbetet e paqartë si do ta qarkullojë. Plus që për 300 mijë tonë depozita do të duhet të investohet një vlerë 40 milionë euro, të cilat duhet t’i ketë agjencia me logjikë ose do të nënkontraktohet si shërbim që sërish ka kosto”, – sqaron Shoqata Shqiptare e Hidrokarbureve. Nga ana tjetër, kjo shoqatë nënvizon se tendenca e qeverisë për të dhënë çdo shërbim që lidhet me këtë sektor me koncesion që ka bërë që taksat direkte dhe indirekte të rriten shpesh, po shkon në të kundërt këtë herë. Pra po shtojmë shërbime tek sektori publik, por edhe këto, me një kosto. Në fund, pothuajse çdo nismë në sektorin hidrokarbur është shoqëruar me një faturë të majme që e paguajnë qytetarët.
Ministria: Nuk do të ketë rritje të kostos, kompanitë 15% më pak
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka reaguar menjëherë ndaj deklaratave të shoqërive hidrokarbure se projektligji për rezervën e sigurisë sjell kosto që mund të reflektohen në çmim. Në argumentin e saj ministria ka theksuar se kostot për këto shoqëri në fakt do të ulen me të paktën 15%. “Ligji ‘Për krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave minimale të sigurisë të naftës bruto dhe nënprodukteve të saj’, është një detyrim i padiskutueshëm i Qeverisë Shqiptare pasi është: Pjesë e kapitullit të 15 të paketës së MSA (Marrëveshja e Stabilizim Asocimit); pjesë matricës së masave të buta të procesit të Berlinit; pjesë e paketës së tretë të energjisë.
Në ligjin ekzistues të rezervave të sigurisë, parashikohet që bizneset në disa forma duhet të kenë 90 ditë tregu rezervë sigurie. Me çmimet e sotme të tregut, kjo rezervë sigurie është e përfshirë në kostot e tregtarëve, duke zënë minimumi 25% të kostove të produktit të blerë nga ana e tyre.
Ajo që propozohet në ligjin e ri është që kjo kosto të ulet, sepse në totalin e rezervës së sigurisë në nivel kombëtar mund të përfshihet edhe nafta bruto, deri në 50% të rezervës. Kjo do të thotë që kostot aktuale do të ulen me mbi tre herë për këtë pjesë (50% të sasisë aktuale).
Mënyra e operimit, e parashikuar në projektligj, duke qenë se përfshin naftën bruto, kostoja e së cilës është më shumë se 3 herë më e ulët, ul kostot e përgjithshme të bizneseve në sektorin e hidrokarbureve, subjekt i këtij ligji me më shumë se 15%”, – thuhet në deklaratën e Ministrisë.
Pse deklarata e ministrisë nuk justifikon dot që kostot do të ulen
Ulja e kostove për shoqëritë hidrokarbure me logjikë duhet të shoqërohet me ulje të çmimit të naftës. Por nëse kjo është e vërtetë atëherë nuk do të kishte nevojë për një tarifë shtesë tek nafta që sërish do të paguhet nga shoqëritë e rafineritë të cilat do ta transmetojnë atë tek çmimi i konsumatorit fundor. E kundërta në fakt është e vërtetë. Shoqëritë deri më tani kanë njohur si rezerva anijet në det, gjendjen në pikat e karburanteve, cisternat. Me ligjin e ri, këto nuk do të njihen. Pra 30 ditë mesatare shitjeje duhet të jenë në depozita, përveç sasisë që kompanitë kanë zakonisht për aktivitetin e tyre të tregtimit.
E njëjta gjë vlen dhe për rafineritë. Kjo automatikisht shton një detyrim të ri. Nëse kushti i rezervës së sigurisë do të ishte përmbushur deri më sot, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë nuk do të kishte nevojë që të nënvizonte në çdo raport të tij monitorues për avancimin e reformave sipas Procesit të Berlinit, se Shqipëria ende nuk ka krijuar rezervën e sigurisë së naftës për një periudhë 90-ditore. Nga ana tjetër kemi krijimin e një agjencie që do të ushtrojë aktivitetin e saj mbi të ardhurat që do të merren nga subjektet përmes taksimit të çdo litri nafte apo benzine. Kjo sigurisht do të thotë një kosto ekstra që deri më sot nuk ka ekzistuar gjithashtu.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.