Një transparencë për çmimet, një sqarim për të keqinformuarit dhe një kujtesë për politikëbërësit
Nga Luigj ALIJAJ
Duke analizuar faktin që çmimi i karburantit në shitje me pakicë rezulton rreth 30 lekë për litër më i lartë se vendet e rajonit, Maqedoni, Kosovë dhe Mal i Zi, kjo ka bërë që, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2014, të kemi një ulje konsumi me rreth 1,800 tonë/muaj. Në analizën tonë, kjo po ndodh për arsye se jo vetëm rrethet kufitare tona me vendet e rajonit, por dhe mjetet që lëvizin transit nëpër territorin e Republikës së Shqipërisë preferojnë të shmangin furnizimin e mjeteve të tyre me karburant në Shqipëri.
Në analizën tonë, çmimi më i lartë i shitjes në Shqipëri është më i lartë për të vetmin faktor se në çmimin e karburantit vjelim disa taksa, të cilat nuk i aplikojnë vendet e rajonit dhe më gjerë.
Ky total taksash i shtohet çmimit të blerjes së naftës në bursë i konvertuar me kursin e këmbimit të dollarit në datën e caktuar dhe mbi të aplikohet TVSH 20% (nisur nga çmimi i blerjes në bursë, i konvertuar me kursin e dollarit në të njëjtën, datë rezulton që vlera e TVSH-së për litër varion nga 23 Lek/Lit. deri në 33 Lek/Lit.).
Në analizën e krahasimit me rajonin po fiksojmë si shembull datën 20 shkurt 2015:
Në këtë datë rezulton se TVSH për t’u paguar për 1 litër naftë është 26,2 Lek/Lit.
Pra, në këtë datë, në vendin tonë, çmimit të karburantit që kanë kompanitë i shtohen taksa fikse 94,2 Lek/Lit. (Ak. 37 Lek/Lit. + T.Q. 27 Lek/Lit. + T.K. 3 Lek/Lit. + T.M. 1 Lek/Lit. + TVSH 26,2 Lek/Lit.).
Vendet e rajonit në të njëjtën datë:
Nga kjo panoramë del qartë se Shqipëria shton në çmimin e karburantit tre taksa që nuk i ka askush në rajon dhe më gjerë, të cilat janë: T. qarkullimi + T. karboni + T. markimi të cilat së bashku bëjnë 31 Lek/Lit. dhe duke i shtuar dhe TVSH-në shkojmë në nivelin 37.2 Lek/Lit.
Për të qenë të ndershëm edhe në rajon, këto taksa paguhen, por ato paguhen nga automjetet, varësisht nga vjetërsia, tonazhi dhe cilindrata. Ndërsa te ne është gjykuar se është më e drejtë të tërhiqen mbi konsumin e naftës për dy arsye:
-E para: Mblidhen më lehtë nga autoritetet
-E dyta: Konsumi i karburantit lidh më drejt përdorimin e rrugës dhe ndotjen që jep në ambient çdo automjet.
Por, nga ana tjetër, rrezikon uljen e konsumit dhe për rrjedhojë, do të japë efektin e uljes në mbledhjen e këtyre taksave, çka do të bënte shumë automjete të konsumojnë naftën e vendeve fqinje, duke përdorur rrugët tona dhe duke ndotur ambientin pa asnjë përfitim për vendin.
Në këto kushte, gjykojmë të jetë në vëmendjen e politikëbërësve:
a)Spostimi i Taksës së Karbonit dhe Taksës së Qarkullimit tek automjetet
b)Anulimi i VKM-së nr. 498, datë 30.05.2013 çka detyron kompanitë e naftës të bëjnë markimin tek e vetmja kompani koncesionare që është shoqëria GFI. Ky anulim do bënte që markimi i karburanteve të bëhej pothuajse me kosto zero dhe qeveria shqiptare nuk do të kishte asnjë pasojë për kontratën e koncesionit, pasi ajo mund të ruhet, siç është duke hequr këtë detyrim, i cili ka dalë pas lidhjes së kontratës së koncesionit.
Duhet të jetë e qartë që, edhe po të bëhet ky lehtësim në taksa, përsëri efekti i TVSH-së që te ne është më i lartë, pra 20%, do të bënte që çmimi i shitjes të jetë më i lirë se rajoni (kjo për arsye se kompanitë shqiptare realizojnë marzhe fitimi më të ulëta se ato të rajonit në vite).
Ndërkohë kjo situatë ka krijuar edhe një perceptim publik të gabuar dhe një paragjykim për kompanitë e këtij sektori në Shqipëri, pasi askush nuk thellohet të gjejë arsyet, por thjesht shihen çmimet e rajonit dhe akuzohen sipërmarrësit e kësaj fushe në Shqipëri se po abuzojnë.
Duke mbetur me shpresën se ky informacion do t’ju vlejë konsumatorëve për të hequr paragjykimet, të keqinformuareve për të bërë analiza dhe politikëbërësve në reformat që ata ndërmarrin në këtë sektor.
*SHOQATA E SHOQËRIVE HIDROKARBURE
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.