Nafta, në nivelin më të ulët të 6 muajve

21/05/2012 3:57 PM 0 komente

Nafta bruto amerikane ra në kuotën më të ulët të 6 muajve të fundit, teksa prodhimi i fortë vendas bëri që inventarët të arrinin në nivelet më të larta në dekada.

Treguesi Nymex June West Texas Intermediate, që shërben si referencë për naftën amerikane, arriti deri në 91.81 dollarë për fuçi, niveli më i ulët që nga nëntori.

Treguesi ICE Brent, që shërben si referencë për Europën, zbriti deri në 111.71 dollarë për fuçii.

Dobësia e naftës u përforcua dhe më shumë nga ringjallja e shqetësimeve rreth ekonomisë globale, teksa po vihet në pikëpyetje qëndrimi i Greqisë në eurozonë.

Në SHBA, Departamenti i Energjisë raportoi se rezervat tregtare të naftës bruto u rritën me 2.1 milionë fuçi pak ditë më parë, në 381.6 milionë fuçi, niveli më i lartë që nga 1990-a.

Rezervat në Cushing, Oklahoma, pika e dorëzimit për kontratat e të ardhmes së Nymex, u rritën me 1 milion fuçi, në një nivel rekord prej 45.1 milionë fuçish.

Rritja e prodhimit në SHBA-të qendrore dhe në Kanada ka zgjeruar inventarët e naftës në Cushing, që nga ana e saj ka ndihmuar për të ulur çmimet e naftës dhe në vendet e tjera.

Çmimet, si të treguesit WTI ashtu dhe ai Brent kanë rënë si rrjedhojë e shqetësimeve ekonomike në Europë. Çmimet Brent janë më të larta pjesërisht për shkak të reduktimit të prodhimit të naftës në Nigeri, një furnizues kryesor i naftës së ngjashme me atë që tregtohet në Amerikë.

JPMorgan Chase, në një deklaratë, tha se kërkesa për naftë bruto nga rafineritë aziatike pritet që të rritej, teksa ato do të përfundonin sezonin e mirëmbajtjes dhe kjo kishte të ngjarë që të ulte disi rezervat në Atlantik.

Banka shtoi se “në kontrast me nivelet e larta të ofertës në tregun amerikan, tregu më i gjerë fizik dukej se kishte problem me ofertën”, çka mund të çonte në një rritje të çmimeve më vonë përgjatë vitit.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of