Kontratat e të ardhmes së naftës iu afruan 115 dollarëve për fuçi në fund të javës së kaluar, pasi kreu i bankës Qendrore Europiane njoftoi një program të ri të blerjes së obligacioneve në një përpjekje për të zgjidhur krizën e borxheve të eurozonës.
Treguesi Brent i kontratave të së ardhmes u rrit me 1.48 dollarë në 114.57 dollarë për fuçi, ndërsa nafta bruto e SHBA-ve u shtrenjtua 1.77 dollarë në 97.13 dollarë për fuçi.
Një rritje më e lartë sesa pritej e vendeve të punës në sektorin privat në SHBA i dha më shumë hov çmimeve të naftës së SHBA-së. Punëdhënësit privatë të SHBA-ve shtuan 201,000 vende pune në gusht, sipas të dhënave zyrtare.
Çmimet kishin ngecur gjithsesi, nga bisedimet e vazhdueshme për hedhje në treg të rezervave strategjike të Shteteve të Bashkuara, të cilat e kishin mbajtur treguesin Brent në nivelin e 110-115 dollarëve për fuçi gjatë muajit të fundit.
Oferta e naftës bruto të Detit të Zi që ndikon në ecurinë e kontratës referencë Brent do të rritet nga niveli i ulët rekord i tetorit, duke dobësuar një burim që mbështeste rritjen e çmimeve, sipas të dhënave të eksporteve të planifikuara, që janë publikuar së fundmi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.