Në fund të javës që shkoi, leku është këmbyer në nivelet 127.77 lek/euro dhe 106.17 lek/usd. Gjatë javës, nivelet e tregtimit të lekut ndaj euros kanë qenë pothuajse të qëndrueshme ku është vërejtur një nënçmim i lehtë prej 0.7%. Në këmbimin kundrejt dollarit amerikan, leku është mbiçmuar me rreth 1.26%. Tregu valutor është karakterizuar nga një qëndrueshmëri në këmbimin e valutave, pasi euro ka pothuajse një muaj që luhatet rreth një intervali të ngushtë ndaj lekut, ndërsa periudha e qetësisë ndaj dollarit është disi më e gjatë. Gjithsesi, e llogaritur që nga fundi i vitit 2003, leku pozicionohet i mbiçmuar kundrejt të dy monedhave. Mbiçmimi është më i dukshëm kundrejt euros me 4.9%, ndërsa ndaj dollarit mbiçmimi është vetëm 0.4%. Kryesisht, muaji maj është karakterizuar nga një lek i fortë. Kjo periudhë e vitit e shoqëruar me hyrjen e produktit bujqësor vendas ul presionet nënçmuese për lekun, që vijnë nga importi. Edhe nivelet e ulëta të inflacionit mbështesin një lek të fortë. Por zhvillimi më i fundit në tregun ndërkombëtar, rritja e çmimit të naftës, mund të ketë efekt të kundërt. Për më tepër, ulja më e fundit e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë mund të ndikojë në nënçmimin e lekut. Nëse publiku nuk do të shohë më si të leverdishme investimin në lekë, kjo do të përbëjë presion nënçmues për lekun. Tregtimi i naftës në Botë dhe kurset e këmbimitTregtia e naftës në Botë është e bazuar në dollarë amerikanë. Kjo do të thotë se SHBA është i vetmi vend që nuk përballet me rrezik këmbimi kur tregton në tregun e naftës. Gjithashtu, SHBA është i vetmi vend që mund të shtypë monedhën për të blerë naftë. Tregtia e naftës në dollarë i siguron SHBA pushtet të fortë për të shtypur para pa shkaktuar inflacion. Kështu i lejon asaj të ketë shpenzime të larta për luftra, për mjete ushtarake, shpenzime të larta konsumatore dhe njëkohësisht të ulë taksat e të përballojë deficite të larta tregtare. Pothuajse një e treta e rezervave valutore në Botë është e mbajtur në dollarë amerikanë, pasi importuesit e naftës paguajnë në dollarë dhe eksportuesit e naftës priren t i mbajnë rezervat e tyre në dollarë. Kjo i siguron SHBA-së një kredi me interes zero në një kohë që këto para do të investohen në ekonominë amerikane me rrezik këmbimi valutor zero.Në eurozonë punët janë ndryshe. Europa do të preferonte të shihte zhvendosjen e pagesave për naftën nga dollarë amerikanë në euro. Kjo do të hiqte rrezikun e këmbimit të valutës ashtu siç po ndodh aktualisht me dollarin amerikan. Në të njëjtën kohë do të rriste kërkesën për euro dhe do të ndihmonte në rritjen e vlerës së saj. Në zonën Balltike, Rusia është një eksportuese e madhe e naftës që do të thotë se edhe ky vend do të përfitojë nga çmimet e larta të naftës. Në qoftë se Rusia do të bënte një lëvizje të tillë, që të vinte çmimet e naftës që eksporton në euro atëhere kjo do të përbënte një rrezik të madh për dollarin. Një vendim i tillë mund të pasohej edhe nga shumë vende të tjera. Në qoftë se nafta nuk do të ishte e kuotuar në dollarë, vendet do të kishin më pak nxitje për të mbajtur rezerva në dollarë amerikanë, duke ribalancuar mbajtjen e valutave. Efekti i këtij ribalancimi do të ishte një shitje e dollarëve. Irani, shteti që zë vendin e 5-të si eksportues neto i naftës, e ka shqyrtuar mundësinë e zhvendosjes nga dollarë amerikanë në euro. Pas luftës në Irak edhe Arabia Saudite duket se ka pasur diskutime për të bërë këtë zhvendosje. Nëse një gjë e tillë ndodh, pasojat në këmbimin e dollarit do të ishin tepër negative.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.