Naomi Osaka, atletja femër më e paguar e të gjitha kohërave

23/05/2020 4:20 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Naomi Osaka ishte vetëm një vjeçe kur Serena Williams fitoi titullin e saj të parë Grand Slam në vitin 1999. 19 vjet më pas, Osaka mund Williams në finalen e US Open, duke fituar Grand Slam-in e saj të parë.

Kjo ka qenë një ndër ndeshjet më të diskutuara në historinë e US Open. Sot, tenistja 22-vjeçare ka mundur edhe një herë rivalen legjendare, duke u bërë atletja femër më e paguar në botë.

Osaka ka fituar 37,4 milionë $ në 12 muajt e fundit, mes çmimeve në para dhe sponsorizimeve, 1,4 milionë $ më shumë krahasuar me Serena Williams, duke vendosur një rekord të ri në fitime, në të gjitha kohërat, që është arritur ndonjëherë nga atletet femra në një vit të vetëm. Rekordi i mëparshëm mbahet nga Maria Sharapova, me 29,7 milionë $ në vitin 2015.

Naomi Osaka renditet e 29-ta mes 100 atletëve më të paguar në botë, ndërsa Serena Williams në vendin e 33-të. Kjo është hera e parë, që nga viti 2016, kur dy gra renditen ndër 100 atletët më të paguar në botë. Klasifikimi i plotë i vitit 2020 do të publikohet javën tjetër.

“Për ata jashtë botës së tenisit, Osaka është një fytyrë relativisht e re, por me një histori të jashtëzakonshme” – thotë David Carter, profesor i çështjeve sportive në USC Marshall School of Business.

Ngjitja e Osaka i jep fund një serie vendimtare fitoresh për Williams, e cila ka qenë atletja femër më e paguar në botë në katër vitet e fundit, me të ardhura vjetore, para tatimit, mes 18 – 29 milionë $. 23 herë kampionia e Grand Slam ka fituar thuajse 300 milionë $ në karrierën e saj nga disa mbështetës.

Ngjitja e Osaka në krye të klasifikimit është një ndërthurje e përsosur faktorësh të ndryshëm. Së pari, për atë çfarë ka treguar në fushë, duke fituar tituj Grand Slam në US Open 2018 dhe në Australian Open 2019. Kjo, përveç origjinës së saj – e ëma japoneze dhe i ati haitiano-amerikan – e cila e ka nxjerrë në pah. Që kur fitoi titullin e saj Open, në moshën 20-vjeçare, spikaste për personalitetin e saj.

Osaka ka nënshtetësi të dyfishtë, por ka bërë zgjedhjen e mençur për të përfaqësuar Japoninë në Lojërat Olimpike Tokio 2020, të cilat u shtynë për shkak të pandemisë. Vendimi e bën atë edhe më interesante për sponsorët olimpikë si Procter & Gamble, All Nippon Airways dhe Nissan, të cilët kanë firmosur marrëveshje sponsorizimi me Osaka-n për marketingun e Lojërave

Tenisi mbetet një nga rrugët e pakta për gratë që të klasifikohen ndër yjet më të paguara. Maria Sharapova, Li Na, Serena Williams dhe tani Naomi Osaka janë të vetmet gra që klasifikohen në mesin e 100 burimeve më të mira sportive që nga viti 2012. Atletet femra më të paguara çdo vit, që kur Forbes nisi të mbledhë të dhënat në vitin 1990, kanë qenë teniste, me Steffi Graf e Martina Hingins të parat, në vitet ’90.

Tenisi mbetet i vetmi sport në botë, në të cilin burrat dhe gratë kanë një nivel të caktuar barazie në pagat e tyre, falë një audience me dimensione të ngjashme që merr pjesë në turne. Edhe çmimet, në para, në katër turnetë Grand Slam kanë qenë të njëjta që nga viti 2007, edhe pse meshkujt fitojnë edhe më shumë në turnetë e niveleve të ulëta.

Pikë referimi për Osaka është agjencia IMG, e cila filloi ta ndjekë kur tenistja arriti sukseset e para, pas përfaqësimit edhe të Maria Sharapova e Li Na. Stuart Duguid është agjenti i saj kryesor në IMG. Marrëveshjet me markat e veshjeve kanë qenë gjithnjë mbështetja më e madhe financiare për yjet e tenisit, dhe tempizmi i Osaka ka qenë i përsosur edhe aty. Nike ka paguar më shumë se 10 milionë $ vitin e kaluar në një marrëveshje që do të zgjasë deri në vitin 2025.

Sot, Osaka numëron 15 partnerë sponsorizues duke përfshirë edhe marka botërore si Nissan Motor, Shiseido e Yonex, thuajse të gjithë vlejnë shifra me 6 zero në vit. Vitin e kaluar, Osaka nënshkroi marrëveshje me disa kompani, ndër to pija për sportistët BodyArmor dhe Hyperice, që prodhojnë produkte për rikuperimin e atletëve.

Mike Fedele, drejtues marketingu në BodyAmor, thotë se Osaka ka qenë një ndër frymëzueset për fushatën “OnlyYou” e lançuar këtë javë. “Naomi është e angazhuar në përsosjen e lojës së saj në fushë por edhe jashtë saj me stërvitjen, ushqimin dhe hidratimin” pohoi ai.

“Kam porositur ekipin tim të gjejnë marka në përputhje me personalitetin dhe interesat e mia” –tha Osaka. Dhe ato janë vënë në radhë për të hyrë në kontakt me biznesin që përfaqëson Naomi Osaka.

Burimi: Forbes

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of