Dëshira për udhëtime është ngado që të hidhni sytë. Pyetja më pas është se ku të shkoni.
Më poshtë është lista e përvitshme e destinacioneve më të mira për vitin tjetër – vende të mrekullueshme, që do të kënaqnin udhëtarët e të gjitha moshave, të cilat promovojnë komunitetet dhe ekosistemet lokale.
Të zgjedhura nga redaktorët e National Geographic dhe të ndara në pesë kategori (Komuniteti, Natyra, Kultura, Familja dhe Aventura) – këto janë 25 destinacionet që duhet të mbani nën radar në vitin 2023, të cilat ju presin që t’i zbuloni.
Komuniteti – Aty ku mbrojtja është në avantazhin e të gjithëve.
Udhëtoni në Karpathos, në Greqi, një vend befasues dhe magjepsës në Ishujt e Dodekanezi, ku sipërmarrjet të cilat drejtohen nga gratë janë në avangardë të turizmit të qëndrueshëm.
Kaloni një fundjavë në Milwaukee, Wisconsin, një qytet i gjallë i Great Lakes, i cili promovon komunitetin e tij kulturor, po aq sa birraritë.
Zbuloni se si ndërthuren traditat e së shkuarës dhe perspektivat bashkëkohore me operatorët e turizmit indigjenë të Alberta, në Kanada. Hipni në një tren me shpejtësi të lartë, në të cilin turistët do të udhëtojnë në rajonet më pak të njohura të Laosit, duke iu ofruar mundësi ekonomike vendasve.
Shkoni në Gana për të zbuluar trashëgiminë e popullit dhe bëhuni pjesë e njerëzve të kryeqytetit, Acra.
Natyrë – Arratisje në vende të egra e të bukura
Zbuloni biodiversitetin e Botswana si dhe programet për rehabilitimin e specieve të rrezikuara, krijimin e korridoreve të kafshëve të egra dhe zhvillimin e projekteve turistike në pronësi të komunitetit.
Ndaluni në Highlands skoceze, ku një lëvizje e rewilding synon të rikuperojë peizazhin e dikurshëm dhe florën dhe faunën vendase.
Në Slloveni, vend lider prej një kohe të gjatë i turizmit të qëndrueshëm, mund të përshkoni me biçikletë itinerare të reja gastroturistike, duke vizituar ferma, vreshta, prodhues djathi dhe prodhues të tjerë ushqimesh.
Në Big Bend National Park do të përjetoni legjendën e kufirit të Teksasit, por edhe peizazhi do t’ju mrekullojë.
Në Azzore duhet të përgëzoni programet e vlerësuara mbi qëndrueshmërinë që ruajnë mrekullitë natyrore të këtij arkipelagu vullkanik, i njohur për vëzhgimin e balenave dhe burimet termale.
Kulturë – Vende ku sundon historia dhe trashëgimia
Vizitoni shtëpinë e re të Mbretit Tut në Egjipt në Grand Egyptian Museum në Kajro, si dhe Rrugën antike të Sfinksave në Luxor.
Përfshihuni nga energjia krijuese e festivalit më të rëndësishëm kinematografik në Azi dhe shijoni birrë artizanale në Busan, Korenë e Jugut, qyteti i dytë më i madh në vend.
Bëni një udhëtim në kohë përgjatë Rrugës Appia në Itali, “superstrada” antike e Europës. Zbuloni kulturën dhe historinë – duke shijuar edhe kuzhinën Low Country – në International African American Museum të Charleston në Karolinën e Jugut.
Vizitoni një nga grumbullimet më të mëdha të statujave prej guri në botë në Longmen Grottoes, Trashëgimi e UNESCO-s, në provincën Henan në Kinë.
Familja – Udhëtime frymëzuese për të gjitha moshat
Në Zvicër, udhëtoni me tren deri në qytetet piktoreske të Alpeve për të shijuar çokollatë, për të bërë ekskursione dhe për të bërë ski.
Jepni ndihmën tuaj për të shpëtuar breshkat në Trinidad e Tobago.
Në San Francisko, Kaliforni, mblidhuni rreth një zjarri me pamje nga Golden Gate në Presidio Tunnel Tops dhe ecni përgjatë shtegut urban Crosstown Trail.
Shikoni zogjtë në parajsën e zogjve, Kolumbi, toka e magjepsur e Encanto Disney. Vizitoni fushat e lojës të një ekipi legjendar të futbollit në Mançester, Angli dhe zbuloni jetën artistike të qytetit.
Aventurë – Ekskursione në natyrë me shumë adrenalinë
Udhëtoni në Choquequirao, Peru, një vend i izoluar i Inkave që është nën radar – por së shpejti do të jetë më i arritshëm. Në Zelandën e Re, vendi që shpiku bungee jumping, rindizni dëshirën tuaj të aventurës pas pandemisë.
Ndjeni adrenalinën në zona më pak të vizituara të shtetit të famshëm të Utah.
Në Austri, përshkoni rrjetin e fshatrave malorë Bergsteigerdörfer për të zbuluar kulturën lokale
Në fund shtoni në itinerarin tuaj Parkun kombëtar të Revillagigedo, në Meksikë. Në ujërat e tij të mbrojtura, me mbështetjen e Nismës Pristine Seas të National Geographic ndodhet një nga grumbullimet më të mëdha të peshkaqenëve dhe peshqve manta në botë.
/ National Geographic