Vendet bëjnë thirrje për një gjurmim më të kujdesshëm të armëve, për të ndaluar shitjet në tregun e zi të Europës.
Shtetet e NATO-s dhe të BE-së po bëjnë thirrje për një gjurmim më të mirë të armëve që dërgohen në Ukrainë, në përgjigje të frikës se grupet kriminale po i kontrabandojnë ato jashtë vendit, drejt tregut të zi të Europës.
Që kur Rusia nisi luftën e saj kundër Ukrainës, shtetet perëndimore kanë premtuar më shumë se 10 miliardë dollarë mbështetje ushtarake për Ukrainën, duke filluar nga raketa-hedhës portativë dhe automjetet e blinduara, e deri te armët dhe sasitë e mëdha të municioneve.
Disa vende anëtare të NATO-s po diskutojnë me Kievin për format e sistemit të gjurmimit ose të listave të detajuara të inventarit për armët që dërgohen drejt Ukrainës, thanë për Financial Times dy zyrtarë perëndimorë me informacione mbi bisedimet.
Qeveria e Ukrainës po krijon një sistem më të gjerë monitorimi dhe gjurmimi të armëve me ndihmën e vendeve perëndimore, tha një person i tretë me informacione me situatën.
“Të gjitha këto armë zbarkohen në Poloninë jugore, dërgohen në kufi dhe më pas ndahen në automjete për t’i sjellë në Ukrainë: kamionë, furgonë, ndonjëherë edhe makina private,” tha një nga zyrtarët perëndimorë. “Dhe, që nga ai moment, ne nuk kemi më dijeni se ҫfarë ndodh me këto armë dhe ku përfundojnë ato, ku përdoren apo edhe nëse qëndrojnë brenda vendit apo jo.”
Mundësia që armët amerikane që dërgohen në Ukrainë të bien në duart e gabuara është “duke u konsideruar”, duke pasur parasysh “situatën sfiduese” në terren në Ukrainë, tha të martën Bonnie Denise Jenkins, nënsekretare e SHBA për kontrollin e armëve dhe sigurinë ndërkombëtare.
“SHBA e merr shumë seriozisht përgjegjësinë për të ruajtur teknologjinë ushtarake të mbrojtjes me origjinë amerikane dhe për të parandaluar devijimin ose përhapjen e paligjshme të tyre,” tha Jenkins për gazetarët në Bruksel, duke shtuar se SHBA ishte në “kontakt të vazhdueshëm” me Kievin për këtë çështje.
“Ne jemi të sigurt lidhur me angazhimin e qeverisë ukrainase për të mbrojtur në mënyrë të përshtatshme dhe për të ruajtur armët e SHBA,” shtoi Jenkins.
Yuriy Sak, këshilltar i ministrit të mbrojtjes së Ukrainës, tha: “Çdo lëvizje e armatimeve qoftë në Ukrainë apo jashtë saj, kur një lëvizje e tillë është e nevojshme për riparime, monitorohet dhe mbikëqyret nga afër si nga Ukraina, ashtu edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë”.
Çështja e trafikut të armëve nga Ukraina u diskutua edhe në një takim të ministrave të brendshëm të BE-së këtë javë, ndërsa të hënën, Komisioni Europian lanҫoi “EU Support Hub” në Moldavinë fqinje për të ofruar ekspertizë dhe bashkëpunim në luftën ndaj problemeve të tilla si kontrabanda e armëve.
“Është e vështirë që të shmanget totalisht trafikimi apo kontrabanda e armëve. Ne nuk arritëm ta bënim këtë në ish-Jugosllavi dhe ndoshta nuk do ta shmangim dot as në Ukrainë”, tha për gazetarët në Pragë të premten Jana Černochová, ministrja çeke e mbrojtjes. Ajo tha se besonte që vendet donatore po merrnin të gjitha hapat e nevojshëm për të gjurmuar armët e tyre, por paralajmëroi se nuk do të ishte e mundur që të gjurmohej çdo artikull.
Europol, agjencia e zbatimit të ligjit në BE, tha në prill se hetimet e saj tregonin që kishte filluar trafikimi i armëve nga Ukraina për në vendet e bllokut për të furnizuar grupet e krimit të organizuar dhe kjo gjë përbënte një kërcënim potencial për sigurinë e BE-së.
“Agresioni i luftës ruse kundër Ukrainës ka rezultuar në përhapjen e një numri të konsiderueshëm të armëve të zjarrit dhe të eksplozivëve në vend”, tha Europol në një shënim informues dërguar qeverive të BE-së.
“Fillimisht, zyrtarët ukrainas mbanin regjistra për armët e zjarrit që u shpërndaheshin civilëve, por kjo praktikë nuk u ndoq më me përparimin e luftës. Armët e zjarrit janë shpërndarë pa regjistruar asnjë të dhënë që nga ky moment,” deklaron Europol, duke bërë thirrje për “një regjistër të armëve dhe të materialeve të tjera ushtarake që dërgohen nga BE-ja për në Ukrainë”, në mënyrë që agjencitë e zbatimit të ligjit të mund t’i gjurmojnë ato.
“Informacioni se Ukraina po bëhet një qendër kryesore për kontrabandën e armëve nuk përputhet me realitetin,” tha Sak, duke shtuar se ata që e pretendojnë këtë gjë “mund të jenë pjesë e luftës së informacionit të Rusisë për të dekurajuar partnerët ndërkombëtarë që t’i ofrojnë Ukrainës armatimet e nevojshme për fitoren tonë.”/ Reuters