Pasi armiku i saj sovjetik u shkatërrua, NATO vazhdoi të rritej. Fakti nëse kjo gjë kontribuon në sigurimin e paqes apo përbën një kërcënim, vazhdon të debatohet edhe sot – dhe ka një rol edhe në veprimet e Rusisë ndaj Ukrainës.
Roli i NATO-s – aleanca ushtarake transatlantike e themeluar në vitin 1949 posaçërisht për t’i dalë përballë Perandorisë Sovjetike në Europë – ka qenë një diskutim në vazhdim që nga shpërbërja e BRSS në vitin 1991.
Në atë kohë, shumë ekspertë të politikës së jashtme u kërkonin liderëve triumfues perëndimorë që të krijonin një kornizë të re sigurie për të ripërcaktuar marrëdhëniet me Rusinë, e cila trashëgoi rrënojat e Bashkimit Sovjetik.
Perëndimi “ishte në kontroll të situatës në vitet 1990-1991”, thotë Dan Plesch, profesor i diplomacisë në Universitetin SOAS të Londrës. “Bashkimi Sovjetik arriti të kishte një fund [relativisht] paqësor të perandorisë së vet, gjë e cila është pothuajse e paprecedentë dhe nuk mori asnjë vlerësim,” tha ai.
Fundi i BRSS solli një sërë takimesh dhe negociatash të nivelit të lartë midis zyrtarëve amerikanë dhe atyre sovjetikë – më vonë rusë, – por “ne kurrë nuk bëmë një përpjekje serioze për t’u afruar me rusët”, sipas Plesch.
Një çekiç pa gozhdë
Mes paqëndrueshmërisë së madhe politike dhe ekonomike në Rusi gjatë viteve 1990, kundërshtimi i aleancës perëndimore ishte një nga çështjet e pakta që bashkoi spektrin e përçarë politik të vendit, sipas dokumenteve të deklasifikuara të mbajtura nga Arkivi i Sigurisë Kombëtare në Universitetin George Washington në Washington, D.C.
“Ne besojmë se zgjerimi i NATO-s drejt lindjes është një gabim, madje një gabim serioz,” u tha gazetarëve Boris Yeltsin, presidenti i parë post-sovjetik i Rusisë në një konferencë shtypi në vitin 1997 me Presidentin e SHBA Bill Clinton në Helsinki, ku të dy nënshkruan një deklaratë për kontrollin e armëve.
Në fakt, dokumentet tregojnë disa angazhime në formën e premtimeve që negociatorët amerikanë u bënë homologëve të tyre rusë, si dhe shumë diskutime të politikave që kundërshtojnë zgjerimin e NATO-s në Europën Lindore.
“Në kushtet aktuale, nuk është në interesin më të mirë të NATO-s ose të SHBA-së që shteteve të Europës Lindore t’u jepet anëtarësimi i plotë në NATO dhe garancitë e saj të sigurisë,” sipas një memorandumi të Departamentit të Shtetit në vitin 1990, në një kohë kur këto shtete ishin ende duke dalë nga kontrolli sovjetik pas shpërbërjes së Traktatit të Varshavës. “Ne nuk duam në asnjë mënyrë që të organizojmë një koalicion anti-sovjetik, kufiri i të cilit të jetë kufiri i Bashkimit Sovjetik. Një koalicion i tillë do të perceptohej shumë negativisht nga sovjetikët.”
Rendi i ri pas BRSS: Ndryshimi i politikës së sigurisë
Asnjë nga këto diskutime nuk u bë kurrë një politikë zyrtare dhe asnjë nga premtimet e supozuara nuk u kthye në një dokument ligjor me Rusinë, zbatimi i të cilit do të ishte i detyrueshëm. Për më tepër, ato u zhvilluan në një kontekst të caktuar historik bashkëkohor: Muri i Berlinit sapo kishte rënë në vitin 1989.
Shtetet e Detit Baltik në veҫanti, Lituania, Letonia dhe Estonia – të cilat ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik nga viti 1940 deri në 1991 – patën një shtysë për vetëvendosje politike dhe një riorientim të strukturës së sigurisë të rajonit.
Të tre shtetet përdorën Deklaratën e OKB-së për Papranueshmërinë e Ndërhyrjes dhe të Përzierjes me Punët e Brendshme të Shteteve, e cila i referohet “pavarësisë politike të brendshme dhe të jashtme”.
Politika e dyerve të hapura të NATO-s me Rusinë
Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, aleanca ushtarake e Europës Lindore, Traktati i Varshavës, u shpërbë në vitin 1991. Presidenti i SHBA Bill Clinton ndëmori nismën e “Partneritetit për Paqe”, pjesë e së cilës u bë edhe Rusia në vitin 1994. Megjithatë, kishte mosmarrëveshje për faktin nëse kjo nismë ishte një alternativë për anëtarësimin në NATO apo një hap drejt anëtarësimit.
Në vitin 1997, NATO dhe Rusia nënshkruan “Aktin Themelues” mbi marrëdhëniet reciproke, bashkëpunimin dhe sigurinë, ndërsa Këshilli NATO-Rusi u themelua në vitin 2002. Të dyja këto nisma synonin të nxisnin bashkëpunimin. Moska mori akses dhe një prezencë të përhershme në selinë e NATO-s në Bruksel. Por, ky bashkëpunim ka mbetur pezull, sidomos pas sulmit të Rusisë në Ukrainë në vitin 2014.
Gjatë gjithë kësaj kohe, NATO luajti një politikë “të dyerve të hapura” për anëtarësimin dhe mbështeti të drejtën e të gjitha vendeve për të zgjedhur aleancat e tyre. Nga perspektiva e Perëndimit, mbajtja e NATO-s në kufijtë e saj të Luftës së Ftohtë ishte e vlefshme vetëm për sa kohë që forcat sovjetike vazhdonin të qëndronin në Europën Lindore.
Në negociatat “Dy plus Katër” për një Gjermani të ribashkuar në vitin 1990, dy shtetet gjermane dhe katër aleatët e Luftës së Dytë Botërore – SHBA-ja, Britania, Franca dhe Bashkimi Sovjetik – ranë dakord që asnjë ushtar i NATO-s nuk mund të vendosej në territorin e ish-Gjermanisë Lindore komuniste. Deri sot e kësaj dite, në këtë zonë vepron vetëm Bundeswehr-i gjerman.
Ndjeshmëria e Rusisë mbi zgjerimin e mundshëm të NATO-s drejt lindjes njihej shumë mirë. “Pavarësisht se sa nuanca mund t’i jepen kësaj, nëse NATO ndjek një politikë të zgjerimit në Europën Qendrore dhe Lindore pa e mbajtur derën e hapur për Rusinë, kjo do të interpretohej nga Moska si një politikë kundër Rusisë,” shkroi diplomati amerikan James Collins në një kabllogram të Departamentit të Shtetit në vitin 1993.
Por, që nga viti 1990, NATO ka kaluar nëpër pesë raunde zgjerimi për të përfshirë në aleancë vende që dikur kishin qenë pjesë të Bashkimit Sovjetik apo të Traktatit të Varshavës.
Në vitin 2010, koncepti strategjik i NATO-s, i cili drejton politikën e aleancës, thotë se “NATO nuk përbën kërcënim për Rusinë” dhe bën thirrje për një “partneritet të vërtetë strategjik” midis dy palëve. Dokumenti u publikua dy vite pas ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Gjeorgji, por përpara sulmit të saj të parë në Ukrainë. Ai bazohet në shumë prej marrëveshjeve të dakordësuara pas Luftës së Ftohtë, të cilat Putini tashmë duket se dëshiron t’i braktisë.
Në vitin 2008, NATO-ja paraqiti mundësinë e anëtarësimit të Gjeorgjisë dhe intensifikoi bashkëpunimin me Ukrainën në vitin 2014. Në të njëjtën kohë, shumë nga masat parandaluese të Luftës së Ftohtë – si verifikimi i kontrollit të armëve dhe linjat e komunikimit – kanë rënë./ DW