Ndahen 1.5 milionë euro për Zonën Ekonomike

17/07/2018 9:40 AM 0 komente

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përmes një komunikate për medie ka bërë të ditur se ka ndarë rreth 1.5 milionë euro për Zonën Ekonomike në qytetin e Vushtrrisë, transmeton “Zëri.info”.

“Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani dhe kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit për projektin Zonës Ekonomike në Vushtrri “Parku Industrial në Lumadh”. Më këtë marrëveshje MTI merr përsipër financimin e Zonës Ekonomike “Parku Industrial në Lumadh”, realizimin i së cilës do të fillojë këtë vit dhe do të përfundojë në vitin 2020, ndërsa shuma do të jetë 1.5 milion euro”, thuhet në komunikatë, transmeton tutje “Zëri.info”.

Tutje në komunikatë thuhet se krijimi i kësaj zone do të shërbej në të mirë të qytetarëve si dhe që këto punime do të zhvillohen në kuadër të MTI-së.

“Sot nënshkruam kontratën për fillimin e investimeve në Vushtrri dhe besojmë që është një ditë e madhe për këtë qytet, sepse këtu do të ketë punësim dhe mundësi për bizneset për hapësira të reja. Këto investime janë në kuadër të prioriteteve të MTI-së, që të krijojmë zona ekonomike. Po ashtu, këto zona do të shërbejnë për investitorët e huaj, e konkretisht bizneseve, që do të investojnë në Vushtrri. Ne po marrim përsipër mbështetjen financiare, që kjo zonë mund të kapë shumën e 1.5 milion eurosh, por krejt varet sa do të shkojë projekti, por për pak nuk do ta lëmë keq, dhe për këtë e siguruam kryetarin. Kjo kontratë do të realizohet brenda tri viteve të ardhshme dhe shumë shpejt do të fillojmë punën në këtë zonë”, tha Hasani.

Prezent në rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshje ishte edhe Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, i cili tha se kjo zonë ekonomike do t’i ketë 14.8 hektarë dhe do  të jetë në funksion të zhvillimit të biznesit dhe të krijimit të vendeve të reja të punës.

“Ky është investimi më i madh në 50 vitet e fundit për biznesin në Vushtrri, i cili iu mundëson bizneseve kushte më të mira të punës. Shumë shpejt do të fillojnë investimet në Lumadh dhe pastaj do të fillojë edhe thirrja publike për bizneset që të vendosen aty”, tha  Tahiri.

Ky projekt i financuar nga MTI-ja parashihet t’i gjenerojë 1 mijë vende të reja pune pas përfundimit të të gjithë infrastrukturës. /ZËRI

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of