Kryesia e Sindikatës së Pavarur të Hekurudhave – Trainkos, ka njoftuar se sot do të ndalohet qarkullimi i të gjithë trenave në Kosovë, ku përfshihen trenat e mallrave dhe ata të udhëtarëve.
Ky vendim është marrë pas takimit të Kryesisë së SPH – Trainkos me Kryetarë të Shoqatave Sindikale për shkak se gjatë ditës së djeshme Policia e Kosovës, ka arrestuar makinistin e trenit 4200 (relacioni Pejë – Prishtinë).
Në njoftimin e bërë të kësaj shoqate, thuhet se makinisti i trenit 4200 relacioni Pejë -Prishtinë është ndaluar në mënyrë të padrejtë.
“Me datën 18.09.2019 në ora 19:30 minuta, është mbajtur takimi i Kryesisë së SPH – Trainkos me Kryetarë të Shoqatave Sindikale, dhe merret vendimi i lartcekur, si pasojë e arrestimit/ndalimit të kolegut tonë, makinistit të trenit 4200 (relacioni Pejë – Prishtinë) të datës 17.09.2019 nga Policia e Kosovës në mënyrë të padrejtë”.
Shoqata ka kërkuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministria e Punëve të Brendshme, që të bëhet lirimi në mënyrë sa më të shpejtë i kolegut të tyre dhe të fillohet të respektohet Ligji mbi Hekurudhat e Kosovës.
“Kësisoj, kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministria e Punëve të Brendshme, që të bëhet lirimi në mënyrë sa më të shpejtë i kolegut tonë dhe të fillohet të respektohet Ligji mbi Hekurudhat e Kosovës. Qarkullimi i trenave do të fillojë me lirimin e kolegut tonë nga Policia e Kosovës”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.