Ndalet rritja e depozitave në korrik, ulen kursimet e individëve në valutë

28/08/2020 1:00 PM 0 komente

Pandemia shfaqi dhe një anë tjetër të njerëzve, atë për të kursyer në momentin që e ardhmja është e pasigurt. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se në maj dhe qershor, depozitat shfaqën prirje rritëse.

Por në korrik, që përkon me rifillimin e lëvizjeve dhe aktivitetit ekonomik, kjo tendencë duket se është ngadalësuar. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, stoku i depoztave në banka arriti në 1.05 trilionë lekë, ose 8.5 miliardë euro. Në krahasim me muajin e mëparshëm u shënuar një rënie e lehtë prej 133 milionë lekësh (0.01%).

Kursimet në lekë u rritën lehtë në korrik, ndërsa ato në valutë u tkurrën, ndonëse me ritme të ngadalta, duke ndikuar në uljen e gjithë stokut të depozitave në muajin e nxehtë të verës.

Rritja e depozitave në lekë erdhi kryesisht nga individët, të cilët shtuan kursimet e tyre në llogari pa afat. Ndryshe nga qershori, kur u rritën ndjeshëm, kursimet e bizneseve shënuan tkurrje në korrik.

Në euro, tkurrja erdhi tërësisht si rrjedhojë e rënies së kursimeve të individëve në valutë, që e reduktuan me 2.3% me bazë mujore, rënia më e lartë nga të gjitha llojet e tjera të kursimeve.

Në fund të muajit korrik, kursimet në valutë përbënin 53.5% të totalit, duke qenë prej disa vitesh më të preferuara ndaj monedhës vendase.

Individët zotërojnë pjesën më të madhe të kursimeve në banka, me 81% të totalit, sipas të dhënave që I përkasin fundit të korrikut.

Në krahasim me korrikun e vitit të kaluar, depozitat janë rritur ndjeshëm me 5.5%, ose me gati 450 milionë euro.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of