“Ndalimi i importit, për mjetet mbi 10 vjet, pritet të zgjerojë tregun”

30/10/2018 10:31 AM 0 komente

Flet Dorin Maraku, Administrator i Landeslease

 

Tregu i qirasë financiare, përpos rritjes së qëndrueshme vit pas viti, pritet të ketë zgjerim më të madh në vijim, nxitur nga një sërë faktorësh, ku rolin kyç do ta ketë vendimi për ndalimin e importit të mjeteve me moshë mbi 10 vjet.

Dorin Maraku, Administrator i kompanisë Landeslease, nënvizon se parashikimet janë që zgjerimi të jetë të paktën 10% në treg. Lidhur me ecurinë në vitin 2017 dhe atë aktuale, ai nënvizon se nga kategoria e biznesit, bien në sy dy sektorë, ai që lidhet me distribucionin, pra kompanitë po zgjerojnë flotat e shpërndarjes për t’u gjendur sa më afër klientit, si dhe sektori rent-a-car (makinat me qira).

 

Si ka qenë ecuria e këtij tregu gjatë vitit 2018 nga të dhënat që keni paraprakisht?

Sipas të dhënave të deritanishme mbi tregun e qirasë financiare, duket se gjatë këtij viti do të ruhet i njëjti nivel financimesh me atë të vitit të mëparshëm, ku impaktin kryesor e ruan përsëri financimi i automjeteve. Sa i përket portofolave, edhe pse janë vështirë të matshme si pasojë e mungesës së informacionit zyrtar dhe amortizimit të shpejtë të tyre, pritet të reflektohet një rritje e lehtë deri në përfundim të vitit kalendarik.

Mund të thuhet se tregu i qirasë financiare është kryesisht i ndërlidhur me atë të automjeteve, duke qenë se këto të fundit përbëjnë rreth 80% të totalit të portofolave, e për rrjedhojë ai ndikohet gjerësisht nga numri i ulët i shitjeve të automjeteve të reja nga distributorët vendas, krahasuar me vende të tjera të rajonit dhe në raport me mjetet e përdorura të importuara. Mungesa apo moszhvillimi i tregjeve të tjera të aseteve tipike për qira financiare, si pajisje, makineri, etj., bën që ky treg të mos njohë zhvillimin e duhur e për pasojë, të mbetet i varur në numër të kufizuar asetesh dhe sektorësh.

Si e shihni qasjen e dy kategorive kryesore, bizneseve dhe individëve për të përfituar nga produktet që ofron tregu i qirasë financiare në vend?

Për vetë potencialin që ofron, biznesi është kategoria e cila tregon më shumë interes për qiranë financiare. Jo më kot, kjo kategori përbën peshën kryesore të portofolave të sektorit, kjo edhe për faktin se produktet e ofruara kundrejt kësaj kategorie, të ndërthurura me asetet, janë më dinamike, pra mund të thuhet se ka një vëmendje të tregut të qirasë financiare të orientuar drejt kësaj kategorie. Nga ana tjetër, individët reflektojnë potencial më të ulët pasi edhe gama e aseteve dhe produkteve të ofruara për ta është më e kufizuar. Mund të them se kjo kategori ruan ende tendencën e të investuarit në automjete me moshë mbi 5 vjet, për shkak dhe të mundësive financiare, të cilat shpeshherë përjashtohen nga skemat e financimit nga shoqëritë e qirasë financiare.

Si e cilësoni ecurinë e tregut gjatë vitit 2017 dhe çfarë tendencash u vunë re në të, qoftë dhe anemike?

Ecuria gjatë 2017 mund të cilësohet e kënaqshme për sektorin e qirasë financiare, pasi ai njohu rritje si në aspektin e financimeve të reja, edhe në rritjen e portofolave të shoqërive operative, me të paktën 10% krahasuar me një vit më parë. Ndikimi kryesor vjen nga tregu i automjeteve, ku disa distributorë shënuan rritje të flotave të shitura, ndërkohë që nga ana tjetër, qiraja financiare shërbeu kryesisht për financimin e sektorit të distribucionit, rent-a-car dhe disa marrëveshje të qirasë operacionale të destinuara për shtetin shqiptar. Edhe financimi i pajisjeve përtej objektivave të parashikuar, ndikoi pozitivisht që disa nga operatorët të regjistrojnë shitje të kënaqshme.

Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se ka një rritje me rreth 4 milionë USD të portofolit të qirasë financiare në vitin 2017, ndikuar nga mjete transporti personale dhe pune? Si e shpjegoni këtë?

Siç u shpreha më lart, kemi të paktën dy kontribuues kryesorë të cilët ndikuan pozitivisht në rritjen e portofolave të qirasë financiare gjatë 2017-s. Sektori i distribucionit apo edhe të tjera të ngjashme, të cilat kanë si qëllim blerjen e mjeteve të punës, njohën zhvillim të kënaqshëm për shkak të rinovimit të flotave të tyre, por edhe në kuadër të shtimit të flotave ekzistuese, për të rritur, nga ana e tyre, shërbimin e ofruar. Gjithashtu sektori rent-a-car, prej disa vitesh tashmë po rritet progresivisht me ritme të larta, duke shërbyer çdo vit e më shumë kërkesën në rritje për këtë shërbim dhe ku së fundmi, është treguar më shumë vëmendje nga operatorët mbi cilësinë e shërbimit, pasi po implementojnë mjete kryesisht të reja në flotat e tyre.

Si shfaqet pjesa e problematikave në këtë treg, e lidhur kjo me aftësinë paguese të përfituesve, flasim këtu për kreditorët problematikë?

Sipas bisedave edhe me aktorë të tjerë të qirasë financiare, mund të them se sektori nuk shfaq problematika të theksuara në këtë drejtim. Raporti i qirave financiare me vonesa në perceptimin tim duket të jetë më i ulët se raporti i kredive problematike në tërësi, pra qiraja financiare është një sektor i cili shërbehet më mirë në këtë aspekt. Përveç ndërgjegjësimit të klientëve të këtij sektori kundrejt shërbimit të tij, këtu faktor është edhe aplikimi i filtrave nga shoqëritë e qirasë financiare në analizën e klientëve potencialë, si dhe ndjekja në vijimësi e marrëdhënies. Aplikimi i procedurave më të thjeshta në kuadër të rikuperimit të aseteve të financuara mendoj se kanë ndikuar pozitivisht në ruajtjen e këtij raporti, në nivel të pranueshëm për sektorin.

Në kuadër të nismës së deeurozimit që nuk fokusohet te tregu i leasing në fakt, a ka një tendencë për të shkuar drejt produkteve që ofrohen në lekë dhe jo në euro? Ka ndonjë zhvillim në këtë treg?

Në parimet e qirasë financiare, kjo formë financimi shërben për t’u mundësuar klientëve blerjen e aseteve që ata dëshirojnë dhe çdo aset që është tipik për qira financiare në vendin tonë është një produkt i importuar, kryesisht nga shtetet europiane. Kjo bën që asetet të shiten në euro dhe klientët të kërkojnë shërbime financimi gjithashtu në euro. Në këtë logjikë, e shoh të vështirë implementimin e nismës së deeuroizimit për sektorin e qirasë financiare.

Cilët janë sektorët që kanë pasur edhe kërkesën më të lartë sa u përket mjeteve të transportit të punës apo pajisje pune dhe linja prodhimi? (p.sh., ndërtimi apo të tjerë)

Referuar raporteve historike, në kërkesën për mjete pune, dominues është sektori i shërbimeve të distribucionit, ndërsa kërkesa për pajisje pune dhe makineri, kryesisht dominohet nga sektori i ndërtimit. Linjat e prodhimit njohin kërkesë relativisht të ulët, të cilat vijnë më së shumti nga industria e lehtë/ përpunimi.

Çfarë mund të bëhet për të nxitur më tej rritjen e këtij tregu në vend?

Një ndër instrumentet mendoj se është rritja e sensibilizimit të publikut kundrejt sektorit, pasi njohja e tij me avantazhet e produktit që ofrohet, do t’i mundësonte një formë alternative dhe më të thjeshtuar financimi, çka do të kontribuonte në rritjen e sektorit në tërësi. Sa u shpreha më lart, tregu i qirasë financiare është i ndërlidhur me tregjet e aseteve tipike të financuara prej saj, siç janë automjetet dhe pajisjet, e për rrjedhojë, rritja e tregut të qirasë financiare varet nga ecuria e tregjeve të ndërlidhura.

Sa u përket automjeteve, vihet re tendencë në rritje gjatë viteve të fundit dhe kufizimet e caktuara nga shteti shqiptar mbi importet e tyre, duke filluar nga viti 2019, duket se do të kontribuojnë pozitivisht (parashikimet janë për të paktën 10% rritje) në zhvillimin e mëtejshëm të qirasë financiare. Sa u përket pajisjeve, mund të them se për këtë treg duhet që të ketë më shumë operatorë që ofrojnë produktet e tyre në formën e distributorëve të autorizuar, pasi prania e tyre do të mund të garantojë më shumë klientët potencialë dhe shoqëritë e qirasë financiare.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of