Ora policore duke filluar nga dita e enjte do të fillojë në orën 20:00. Nga kjo orë edhe aktiviteti i bareve dhe restoranteve do të ndalohet, përveçse shërbimit “delivery”.
Mësimi do të zhvillohet online në bashkitë me risk të lartë, gjithashtu do të zgjatet edhe sezoni i provimeve për lëndë specifike.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi se ekzistojnë të gjitha dyshimet se në vend qarkullojnë edhe variantet e reja të koronavirusit, pasi vihet re një shtim i rasteve, si dhe është ulur mosha e të prekurve.
“Ndodhemi në një situatë kur, dyshimet e arsyeshme na bëjnë të mendojmë për praninë e mutacioneve të reja të virusit. Jemi në një situatë kur, me gjasë prej këtyre mutacioneve, kemi një shtim të ndjeshëm të infektueshmërisë. Jemi në një kohë kur, kushtet atmosferike – jemi në mes të dimrit – e bëjnë edhe më të pafavorshme situatën. Jemi në një situatë kur, kemi shtim të numrit te infektimeve, kemi ulje të moshës së të prekurve si rrjedhoje dhe e relaksimit të sjelljes pas festave të fundvitit dhe periudhës më pas, ndaj si pasojë e çfarë përmenda më sipër kemi një shtim të ndjeshëm të misioneve të Urgjencës Kombëtare, të misioneve në banesë dhe transferimeve në spitale. Kjo situatë është shoqëruar dhe shtim të shtrimeve në spitale dhe rritje të numrit të pacienteve në terapitë intensive.
Komiteti ka vendosur në mbledhjen e ditës së sotme:
-Ndalimi i qarkullimit të lëvizjes për qytetarët nga ora 20:00 e mbrëmjes – 6:00 të mëngjesit, me përjashtim të emergjencave shëndetësore dhe për arsye pune (në këtë rast është e domosdoshme leja nëpërmjet aplikimit tek e-Albania) për një afat 14 ditor, duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt – 25 Shkurt.
– Ndalimi i aktiviteteve të bareve, restoranteve, klubeve, nga ora 20:00 e mbrëmjes – 06:00 të mëngjesit (me përjashtim të shërbimit delivery), duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt – 25 Shkurt.
– Nisur nga rritja e rasteve të infektimeve të reja në grupmoshën 15-24 vjeç, shkollat e mesme do të aplikojnë skenarin e tretë, pra atë online ne zonat e riskut të lartë, ku përfshihen bashkitë: Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamëz, për periudhën 11 shkurt – 26 shkurt.
– Sezoni i provimeve për universitetin do të zgjatet, për të siguruar kombinimin e provimeve online dhe në auditor, për lëndët që kërkojnë prezencë, sipas vlerësimit të MASR, duke zbatuar rreptësisht protokollet AntiCovid.”
Formë e rëndë të moshat e reja
“Forma të rënda të moshave të reja, shoqëruar dhe me humbje jete, fluksi është i përballueshëm., por i shtuar nga ana numerike dhe unë bëj thirrje që këto masa janë të detyrueshme, në terapi intensive është shtuar numri i pacientëve të shtruar dhe theksoj që është i përballueshëm fluksi, por ka një gjë që ne garantojmë punën tonë, por stërmundimi i bluzave të bardha, popullata shqiptare mund t’i përgjigjet vetëm me respektimin e masave sepse jemi për të mbrojtur shëndetin, do punojmë me çdo kusht deri kur të kemi pacientin e fundit, por popullata duhet të na ndihmojë”, tha Shefja e Infektivit, Najada Çomo.
Dyshime për variantin britanik dhe afrikan
“50 mostra që po dërgohen në ISHP të Londër, janë mostra të përzgjedhura nga ri-infeksionet, nga ato që ne kemi dyshuar, së bashku edhe me laboratorët provat, të dyja llojet mund të jenë prezentë, ai i Afrikës së Jugut ose i Britani, nga rritja e numrit të infeksioneve, prekjes së moshave të reja. Këto laboratorë janë laboratorë referencë, të mbingarkuar, por ne kemi marrë konfirmimin që mostrat tona do të shikohen”, tha Silva Bino.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.