Ndarja buxhetore për vitin 2020 zgjatet për muajin mars

13/02/2020 12:12 PM 0 komente

Me 100 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar që ndarja buxhetore për vitin 2020 të zgjatet për muajin mars, pas kërkesës së ministrit të Financave, Besnik Bislimi.

 

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar kërkesën e qeverisë për ndarjen e mjeteve buxhetore edhe për muajin mars.

Ministri i Financave dhe Transfereve, Bisnik Bislimi në arsyetimin e kësaj kërkese ka thënë se kjo kërkesë do të siguroj vazhdimësi të pagesës së detyrimeve.

“Në këtë mbledhje të Kuvendit paraqes kërkesën për zgjatjen e ndarjeve buxhetore edhe për muajin mars në mënyrë që të sigurojmë kryerjen e obligimeve deri në miratimin e buxhetit. Ministria e Financave në përcaktim me ligjin, pasi është plotësuar kushti ligjor ka bërë zgjatjen e ndarjeve buxhetore për dy muajt e parë të vitit 2020. Mirëpo tani kjo ka mjaftuar vetëm për mbulimin e shpenzimeve vetëm deri më 28 shkurt. Ne kemi konstatuar se zgjatja e ndarjeve buxhetore për 2 muaj nuk ka qenë e mjaftueshme për plotësimin e nevojave për disa kategori. Kjo zgjatje buxhetore do të vlejë deri në hyrjen në fuqi të ligjit për buxhetin deri në vitin 2020”, tha Bislimi në Kuvend.

Kurse, Albin Kurti gjatë prezantimit të programit qeverisës në Kuvendin e Kosovës më 3 shkurt, ka premtuar se buxheti i Republikës së Kosovës do të arrijë në 3 miliardë euro gjatë mandatit qeverisës.

Kurti ka premtuar se qeveria e tij do të jetë qeveri e zhvillimit ekonomik dhe punësimit.

“Buxheti i Republikës së Kosovës do të arrijë në 3 miliardë euro gjatë mandatit tonë qeverisës, duke rritur paraprakisht vlerën e ekonomisë dhe duke ruajtur pjesëmarrjen e shpenzimeve publike në Bruto Produktin e Brendshëm”, kishte premtuar Kurti.

Ndryshe, me autorizimet ligjore, Ministria e Financave në qeverinë e kaluar pati bërë zgjatjen e ndarjeve buxhetore dhe alokimin e mjeteve për organizatat buxhetore për dy muajt e parë të vitit 2020.

Kurse për muajin mars, vetëm Kuvendi mund të vendosë për vazhdimin e këtij vendimi apo zgjatjen e ndarjeve buxhetore. Kjo është koha përfundimtare e lejuar për shpenzim buxheti dhe nuk ka asnjë instrument tjetër ligjor që ndarjet buxhetore të shtyhen më shumë se tre muaj, pra jo më vonë se data 31 mars 2020.

Pas kësaj date, Kosova futet në krizë buxhetore, pasi asnjë organizatë buxhetore ose autoritet tjetër publik nuk mund të autorizojë asnjë shpenzim ose pagesë derisa të miratohet Ligji i ri për Ndarjet Buxhetore. 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of