Ndërlidhja e Ballkanit

16/07/2019 3:29 PM 0 komente

Bashkimi Europian është angazhuar prej kohësh në Ballkanin Perëndimor. Që në Samitin e Selanikut në 2003, ai ka mbështetur të ardhmen e rajonit si një pjesë e cila po integrohet në BE, thuhet në raportin e fundit të Axhendës së Ndërlidhjes së BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Në 2014, me nismën e shumë shteteve anëtare të BE-së, drejtuesit e Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë u takuan në Berlin për herë të parë, si pjesë e një serie samitesh, të cilat synojnë përforcimin e bashkëpunimit rajonal dhe për të ndihmuar zhvillimin ekonomik në këtë pjesë të rëndësishme të Europës.

Për të mbështetur këtë qëllim, në 2015, Bashkimi Europian prezantoi Axhendën e Ndërlidhjes, një nismë, e cila kombinon nivelet e larta të angazhimit politik nga BE dhe të rajonit me një premtim financiar prej 1 miliard eurosh nga fondet e parahyrjes së BE-së për të përmirësuar transportin dhe infrastrukturën e energjisë. Bazuar në progresin e arritur, në samitet në vijim u shtua më tej fokusi për të ndërlidhur njerëzit në rajon në të gjitha dimensionet: transport, energji, ekonomi dhe lidhje sociale e dixhitale.

Ballkani Perëndimor është i rrethuar nga territoret e shteteve anëtare të BE-së. Është një prioritet politik që të lidhet infrastruktura midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Si pjesë e një plani ambicioz për të lidhur Europën Lindore me Perëndimore, dhe Verioren me Jugore, BE po zgjeron rrjetet energjetike dhe transportin Trans-Europian në rajon dhe po mbështet shpërndarjen e infrastrukturës së lidhjeve me internet.
Përmirësimi i lidhjes brenda Ballkanit Perëndimor paraqet edhe një interes strategjik për rajonin, si dhe për BE-në. Përmirësimi dhe zgjerimi i lidhjeve të energjisë dhe transportit përmirëson konkurrencën, nxit rritjen ekonomike dhe garanton sigurinë e furnizimit dhe është njëkohësisht një parakusht i rëndësishëm për integrimin ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor.

Ndërlidhja dhe ndërtimi i infrastrukturës energjetike dhe të transportit në Ballkanin Perëndimor nënkupton afrimin e njerëzve dhe ekonomive brenda rajonit dhe me BE-në. Ndërlidhja është një nxitës për rritje dhe vende pune, dhe ndihmon tërheqjen e investimeve. Ajo krijon mundësi për bizneset dhe qytetarët, si dhe promovon marrëdhënie të mira fqinjësore. Kjo është arsyeja pse Bashkimi Europian ka kontribuar që nga vitet 1990 më shumë se 11 miliardë euro për transportin dhe zhvillimin e infrastrukturës energjetike në rajon përmes granteve nga Komisioni Europian dhe kredive nga Banka Europiane e Investimeve, duke rezultuar në investime të përgjithshme të gati 22 miliardë euro.

Angazhimi u rrit më tej me futjen e axhendës së ndërlidhjes në vitin 2015, ku janë lënë mënjanë 1 miliard euro në grante për projekte të transportit dhe energjisë deri në vitin 2020. Deri tani, Bashkimi Europian ka lëvruar pothuajse 90% nga 1 miliard eurot e premtuara për periudhën 2015-2020. Këto grante do të gjenerojnë 4 miliardë euro investime dhe do të krijojnë më shumë se 45,000 vende pune.

Cilat sektorë janë të përkrahur?

Axhenda e Ndërlidhjes adreson boshllëqet e transportit dhe energjisë dhe gjithnjë e më shumë nevojat dixhitale. Sektori i transportit përfshin rrugët kryesore rrugore dhe hekurudhore, si dhe portet më të rëndësishme. Sektori i energjisë përfshin transmetimin e energjisë elektrike dhe gazit, si dhe prodhimin e energjisë së rinovueshme. Krijimi i mundësive dixhitale do të thotë të sjellësh njerëzit dhe ndërmarrjet në shekullin e 21.

Si funksionon?

Fondet e ndërlidhjes së BE-së kanalizohen përmes Strukturës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF). Kjo platformë e koordinimit dhe bashkëpunimit konsolidon fonde nga burime të ndryshme: nga Komisioni Europian, Institucionet Ndërkombëtare të Financimit, si dhe nga shumë shtete anëtare të BE-së dhe vende joanëtare. Partnerët e Ballkanit Perëndimor luajnë rol kryesor në identifikimin dhe përgatitjen e aplikacioneve të projekteve, në përputhje me “Single Project Pipelines”*.

Kontributi financiar nga Komisioni Europian – në formën e granteve të pakthyeshme – ndihmon në qasjen e kredive të institucioneve financiare ndërkombëtare. Ky proces, i quajtur “tërheqja e financimeve” ka një efekt shumëfishues, duke gjeneruar investime shtesë me vlerë të paktën katër herë më të madhe se sa grantet e BE-së.

1 miliard euro të parave të BE-së të rezervuara për Axhendën e Lidhjes do të ndihmojnë që të investohet një total prej 4 miliardë eurosh. Në këtë mënyrë, Komisioni Europian tërheq vëllimet e investimeve të nevojshme për projektet me rëndësi strategjike për rajonin.
Aplikimet që vijnë nga vetë autoritetet e Ballkanit Perëndimor, kontrollohen nga Komisioni Europian dhe palët e tjera të interesit, siç janë Sekretariatet e Traktateve të Komunitetit të Energjisë dhe Transportit, kundrejt kritereve të ndryshme. Parametrat më të rëndësishëm janë maturimi i projekteve dhe rëndësia e tyre strategjike.

Çdo vit, gjatë Samitit të Ballkanit Perëndimor, Komisioni Europian shpall një paketë të re projektesh të përzgjedhura për investime. Kjo pastaj reklamohet politikisht dhe përfundimisht miratohet nga Komiteti Drejtues i WBIF. Pasi miratohen, këto projekte të mëdha të infrastrukturës janë gati për zbatim 6-12 muaj më vonë, kur procedurat e tenderimit janë përfunduar. Qëllimi është që të fillojnë punimet për 50% të të gjitha projekteve të axhendës së lidhjes deri në fund të vitit 2019.

“Single Project Pipelines”*- Projekte që zhvillohen shtet më shtet duke përdorur fonde ose rezerva financiare të Bashkimit Europian.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of