Cilat janë sipërmarrjet shqiptare që kanë zgjeruar aktivitetin në Kosovë. Si e vlerësojnë ata tregun. Një ndër problemet më të mëdha, me të cilat ata po përballen është paqëndrueshmëria politike dhe vendimmarrja
Pas pavarësimit faktik të Kosovës nga Serbia, biznesi shqiptar e pa Kosovën si një treg me oportunitete të reja. Megjithatë, ende sot e kësaj dite, kapitali shqiptar nuk ka një peshë shumë të madhe në tregun e Kosovës. Sipas të dhënave nga Banka Qendrore e Kosovës, për vitin e kaluar, investimet shqiptare në Kosovë, në terma neto, kishin vlerën e 15.2 milionë eurove, në rënie me 32% krahasuar me vitin 2018.
Investimet shqiptare përbënin rreth 6% të Investimeve të Huaja Direkte vitin e kaluar, ndërkohë që patën dhënë kontributin më të madh në periudhën 2014-2016, me rreth 13% të totalit të investimeve të huaja në Kosovë. Që nga viti 2007, deri në vitin 2019, kompanitë dhe individët shqiptarë kanë investuar 245 milionë euro dhe renditen si investitori i gjashtë më i madh në Kosovë.
Shqipëria nuk ka arritur t’i shfrytëzojë shanset e Kosovës si një treg i ri eksporti. Statistikat tregojnë se importet nga Shqipëria, në vitin 2019, përbënin 6.4% të importeve totale për vitin 2019. Ky është niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë, i nxitur sidomos nga taksa 100% e Kosovës ndaj mallrave serbe, që i detyroi importuesit dhe distributorët të kërkonin alternativa të tjera. Megjithatë, të dhënat treguan se përfituesi kryesor nga taksa ndaj mallrave serbe në rajon rezultoi Maqedonia e Veriut.
Vështirësitë e prodhuesve shqiptarë për të konkurruar mallrat e vendeve të tjera fqinje në tregun e Kosovës dëshmojnë zhvillimin e dobët dhe konkurrueshmërinë e ulët të sektorit prodhues në Shqipëri. Eksportet shqiptare mbështeten kryesisht tek fasonët dhe eksporti i lëndëve të para, ndërsa mallrat që marrin vlerë të shtuar nga përpunimi në vend ngelen në pakicë në strukturën e eksporteve.
Prania shqiptare mes ndërmarrjeve më të mëdha në Kosovë është e përqendruar kryesisht në tregtinë me shumicë dhe pakicë, me përjashtim të investimit madhor të grupit Balfin në industrinë e nxjerrjes dhe përpunimit të nikelit.
Tobacco Holding Group
Sipas renditjes nga Administrata Tatimore e Kosovës, kompania shqiptare me xhiron më të lartë në tregun e Kosovës për vitin 2019 ishte Tobacco Holding Group. Megjithatë, pasqyrat financiare të kësaj kompanie nuk ishin të disponueshme. Tobacco Holding Group në Kosovë dhe kompania mëmë në Shqipëri nuk iu përgjigjën kërkesave të dërguara nga revista “Monitor” për të na vënë në dispozicion bilancin e vitit 2019.
Tobacco Holding Group është e pranishme në tregun e Kosovës prej vitit 2005. Ajo vepron si distributor ekskluziv i kompanisë së prodhimit të cigareve British American Tobacco (BAT) dhe i grupit të prodhimit dhe shpërndarjes së pijeve alkoolike, Pernod Ricard.
Tobacco Holding Group Kosovë është kompani e kontrolluar nga Tobacco Holding Group në Shqipëri, kompani me aksioner biznesmenin shqiptar Lirim Fezollari. Kjo kompani është distributor për tregun shqiptar të grupeve të mallrave të konsumit, si BAT, Pernod Ricard, Henkel, Unilever, etj. Për vitin e kaluar, Tobacco Holding Group në Shqipëri realizoi një xhiro prej 5.9 miliardë lekësh dhe fitim para tatimit në vlerën e 65 milionë lekëve.
Newco Ferronikeli Complex L.L.C.
Kompania e dytë më e madhe me kapital shqiptar në tregun e Kosovës për vitin e kaluar ishte Newco Ferronikeli Complex L.L.C. Aktivitetet e kompanisë, në parim, përfshijnë eksplorimin, nxjerrjen, përpunimin e xehes nikel dhe shitjen e ferro-nikelit, lëndës së parë dhe produkteve dytësore. Për vitin 2019, ajo raportoi xhiro totale në vlerën e 71.2 milionë eurove, në rritje të fortë me 96% krahasuar me vitin 2018. Diferenca vjen sidomos prej faktit që, gjatë vitit 2018, kompania ka operuar vetëm pesë muaj. Puna nisi vetëm në muajin korrik, pasi kompania u ble nga grupi Balfin.
Pavarësisht rritjes së lartë të xhiros, kompania rezultoi sërish me humbje edhe për vitin 2019. Humbja preku nivelin e 14 milionë eurove, por megjithatë në përmirësim krahasuar me vitin 2018, kur humbjet patën arritur vlerën e 34.5 milionë eurove.
Kompania raportoi një fitim të lehtë operativ, por humbja u përcaktua nga shpenzimet e amortizimit dhe zhvlerësimit, si dhe shpenzimet financiare të lidhura kryesisht me interesat e kredive dhe humbjet nga kursi i këmbimit. Në fund të vitit 2019, kompania kishte kredi totale për vlerën e 59 milionë eurove, ndërsa shpenzimet vjetore për interesat arritën në 8.1 milionë euro.
Newco Ferronikeli Complex L.L.C. zotërohet nga grupi shqiptar i biznesit Balfin, përmes kompanisë së regjistruar në Britaninë e Madhe, NKL Limited.
Neptun Kosova
Kompania e tretë më e madhe shqiptare për nga xhiroja në Kosovë i takon përsëri grupit Balfin. Neptun Kosova ka aktivitet të tregtimit me pakicë të pajisjeve elektronike dhe elektroshtëpiake. Kompania, për vitin 2019, realizoi një xhiro në vlerën e 44.6 milionë eurove, në rritje me 6.5% krahasuar me një vit më parë.
Kompania është fitimprurëse, me një rezultat financiar pozitiv prej 2.9 milionë eurosh, në rritje me 8.6% krahasuar me vitin 2018. Neptun Kosova zotërohet në masën 60% nga grupi Balfin, ndërsa 40% e aksioneve mbahen nga ortakët e Samir Manes në disa prej bizneseve rajonale, Arsim dhe Ilir Papraniku. Neptun është kompania më e madhe e tregtimit të pajisjeve elektroshtëpiake edhe në Shqipëri, me një qarkullim prej 7.1 miliardë lekësh në vitin 2019.
Kosmonte Foods
Kompania e katërt më e madhe me kapital shqiptar në tregun e Kosovës për nga xhiroja është Kosmonte Foods, me aktivitet në distribucionin e produkteve ushqimore. Për vitin 2019, Kosmonte në Kosovë realizoi xhiro totale në vlerën e 40.2 milionë eurove, në rritje me 6.6% krahasuar me vitin 2018. Rezultati financiar i kompanisë para tatimit ishte pozitiv për 2.6 milionë euro. Fitimi i Kosmonte Foods u rrit me 14.5% krahasuar me vitin 2018.
Kosmonte Foods në Kosovë është në pronësi të plotë të biznesmenit shqiptar, Lulzim Begaj. Kompania ka një aktivitet të ngjashëm edhe në Shqipëri, por me xhiro ndjeshëm më të ulët krahasuar me Kosovën. Për vitin 2019, Kosmonte në Shqipëri raportoi shitje në vlerën totale të 1.5 miliardë lekëve.
Banka Kombëtare Tregtare
BKT-Kosovë është kompania e pestë shqiptare për nga xhiroja dhe e fundit që bën pjesë në listën e 50 kompanive më të mëdha në Kosovë. Megjithëse Banka Kombëtare Tregtare është kompani me kapital turk, në pronësi të grupit Çalik, biznesi në Kosovë është pjesë e bankës shqiptare dhe zyrtarisht klasifikohet si investim shqiptar.
Deri në fund të vitit 2018, BKT Kosovë veproi si degë e bankës shqiptare, ndërsa në fillim të vitit 2019 nisi aktivitetin si bankë e veçantë, për shkak të rritjes së përmasave të saj. Në vitin 2019, BKT realizoi një xhiro prej 26.2 miliardë lekësh, në rritje vjetore me 29%.
BKT Kosovë zotëronte aktive totale në vlerën e 536 milionë eurove, ose 11.3% e tregut. Gjatë vitit 2019, BKT arriti një rritje të aseteve me 31%, niveli më i lartë i rritjes vjetore për sektorin bankar në Kosovë. BKT raportoi një fitim para tatimit në vlerën e 11.2 milionë eurove, rreth dy herë më shumë krahasuar me vitin 2018. Banka Kombëtare Tregtare është banka më e madhe në Shqipëri, me një total aktivesh prej 3.3 miliardë eurosh.
Marketing & Distribution
Kompania e gjashtë shqiptare për nga xhiroja në tregun e Kosovës është distributori i mallrave të konsumit, Marketing & Distribution. Në Kosovë, kompania realizoi vitin e kaluar një xhiro prej rreth 17 milionë eurosh, në rritje vjetore me 13.5%. Rezultati financiar para tatimit ishte pozitiv për rreth 2.1 milionë euro, në rritje me 16.7% krahasuar me një vit më parë.
Vlen të theksohet se kompania raportoi një normë fitimi para tatimit në masën 12.3%, ndjeshëm më e lartë se distributorët e tjerë të mallrave të konsumit në tregun e Kosovës. Marketing & Distribution Kosovë është kompani në pronësi të plotë të biznesmenes shqiptare, Vilma Nushi. Në tregun shqiptar, Marketing & Distribution ka përmasa më të mëdha, me një xhiro totale në vlerën e 8.7 miliardë lekëve.
Kid Zone Kosova
Kid Zone Kosova është kompania e tretë e grupit Balfin mes ndërmarrjeve më të mëdha shqiptare në Kosovë për nga xhiroja. Ajo operon në shitjen me pakicë të lodrave dhe artikujve jo-ushqimorë nën markën Jumbo.
Për vitin 2019, Kid Zone Kosova realizoi një xhiro në vlerën e 16.1 milionë eurove, në rritje me 13.5% krahasuar me një vit më parë. Shoqëria realizoi një fitim para tatimit në vlerën e 3.06 milionë eurove, në rritje me 19.3% krahasuar me një vit më parë. Kid Zone Kosova kontrollohet në masën 55% nga grupi Balfin i Samir Manes, 35% nga biznesmeni i Kosovës, Arsim Papraniku, dhe 10% nga Julian Mane.
Në Shqipëri, Kid Zone realizoi për vitin 2019 një xhiro në vlerën e 2.3 miliardë lekëve.
INTERVISTA
Intervistë me Steven Grunerud, Zv.President i Grupit BALFIN për Bashkimet dhe Blerjet e Bizneseve
Steven Grunerud, zëvendëspresident i grupit Balfin për Bashkimet dhe Blerjet e Biznesit, thotë në një intervistë për revistën “Monitor” se investimi në industrinë e ferro-nikelit në Kosovë, deri tani, ka qenë sfidues.
Rënia e çmimeve ka sjellë humbje dhe në aktivitetin e kompanisë Newco Ferronikeli në vitet e fundit, madje grupi mori në konsideratë një ndërprerje tjetër të aktivitetit në vitin 2019.
Megjithatë, z. Grunerud thotë se ferro-nikeli duhet parë si investim afatgjatë dhe do të nevojitet ende kohë për të parë rezultatet. Sipas tij, paqëndrueshmëria politike është një problem serioz për investitorët në Kosovë, veçanërisht në sektorë strategjikë, ku mbështetja me politikat e duhura është e domosdoshme për të siguruar suksesin e biznesit.
Cila ka qenë, deri tani, ecuria e përgjithshme e investimit të Grupit Balfin në ndërmarrjen Newco Ferronikeli?
Grupi BALFIN ka zbatuar një program investimesh prej 30 milionë eurosh që do t’ia zgjasë jetën Newco Ferronikelit, do të përmirësojë eficiencën e proceseve dhe rritjen e kapaciteteve të prodhimit. Deri tani kemi plotësuar 70% të planit, i cili pritet të përmbyllet brenda vitit të ardhshëm. Performanca e së shkuarës ka qenë e vështirë dhe vitet 2018 dhe 2019 ishin nën pritshmëritë tona.
Kemi parë përmirësime në 2020-n, falë programit tonë të investimeve dhe përmirësimit të fokusit të menaxhimit. Ne presim që në 2021 të përmirësohemi edhe më në krahasim me vitin e fundit. Newco Ferronikeli është një investim afatgjatë dhe do të duhet kohë që të shihen rezultatet.
Vitet e fundit, kompania ka pësuar humbje. Pse ka ndodhur kjo?
Ecuria e kompanisë varet shumë nga ecuria e çmimit në bursat ndërkombëtare. Tregu i nikelit ka hasur vështirësi dhe prodhimi ka vuajtur pasojat e pajisjeve të vjetërsuara. Mos harroni se uzina është mbyllur dy herë në 2017 dhe 2018, për shkak të çmimeve të tregut.
Edhe pse e konsideruam mbylljen e përkohshme në vitin 2019, ne vendosëm që të vazhdonim të operonim dhe të përpiqeshim të përmirësonim proceset. Ne besojmë se i kemi përmirësuar disa prej tyre dhe do të vazhdojmë ta përditësojmë dhe përmirësojmë procesin, në mënyrë që t’ia zgjasim jetën Newco Ferronikelit edhe 25 vite të tjera dhe të vijojë të jetë një ndër aktorët kryesorë të ekonomisë së Kosovës.
Si do ta cilësonit klimën e të bërit biznes në Kosovë dhe çfarë problemesh mund të identifikonit? Në rast se shihni ndonjë nga këndvështrimi i një investuesi ndërkombëtar.
Ç’është e vërteta, nuk ka qenë aspak e lehtë. Newco Ferronikeli është eksportuesi më i madh në vend dhe një ndër punëdhënësit më të mëdhenj, me mbi 1.000 të punësuar direktë dhe rreth 2.000 të punësuar indirektë. Gjithashtu, ne jemi konsumatori më i madh i energjisë në vend.
Sikurse e përmenda, kur tregu paraqiti vështirësi, ne mund të ishim mbyllur për 6 muaj, por ne vendosëm të vazhdonim të shlyejmë të gjitha detyrimet në kohë me fokus të veçantë mosndërprerjen e pagesës për punonjësit tanë në asnjë moment. Nuk jam i sigurt nëse mund të thuhet e njëjta gjë për minierat dhe shkritoret e tjera në Kosovë.
Një ndër problemet më të mëdha, me të cilat ne po përballemi në Kosovë, është paqëndrueshmëria politike dhe vendimmarrja duke e bërë shumë të vështirë për të gjetur një kundërpalë për të diskutuar mbi sfidat e industrisë. Kosova ka fare pak industri të mëdha, dhe qeveria nuk po i jep rëndësinë e duhur zgjidhjes së këtyre sfidave dhe rëndësinë që ka ky sektor për ekonominë e Kosovës. Çështja e pronës mbetet një tjetër sfidë për zhvillimin e sektorit minerar së cilës i duhet dhënë një zgjidhje.
Ne po përpiqemi të qasemi ndaj qeverisë në mënyrë që të garantojë që Newco Ferronikeli të ketë të njëjtin regjim rregullues, ashtu sikurse kompanitë e tjera europiane që operojnë në të njëjtën fushë. Kjo do të garantonte që ferro-nikeli të mbetej konkurrues, të ndikonte në zhvillimin ekonomik të vendit dhe sigurimin e punësimit të qëndrueshëm për mijëra njerëz.
Si është situata e tanishme në tregun ndërkombëtar dhe në cilën shkallë u prek tregu nga pandemia COVID-19?
Tregu i nikelit u prek keqas nga COVID-19, ashtu sikurse të gjitha industritë dhe bizneset. Të gjithë partnerët tanë ishin shumë të kujdesshëm në lidhje me planet për të ardhmen dhe blerjet në rast se pandemia dhe situata ekonomike do të përkeqësoheshin edhe më.
Tani që ka një mundësi që vaksina të shpërndahet, ne po shohim një dritë të gjelbër të përmirësimit të kushteve të ekonomisë dhe shpresojmë që kjo të vazhdojë edhe në 2021. Sidoqoftë Newco Ferronikeli vazhdon të jetë i përqendruar në përmirësimin e eficiencës së tij operacionale.
Cilat janë pritshmëritë dhe objektivat e biznesit tuaj për vitin 2021?
Pritshmëritë tona janë që situata ekonomike të përmirësohet, niveli i ardhshëm i investimeve do të synojë mbështetje e një rritje të qëndrueshme të prodhimit në uzinë dhe më tej të krijojmë vende të reja pune. Megjithatë, për realizimin e këtyre objektivave do të duhet edhe mbështetja e qeverisë dhe agjencive rregulluese.
Intervistoi: Ersuin Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.