Ndërmarrjet publike në Kosovë “zhyten” më tepër në humbje

24/05/2018 10:03 AM 0 komente

Ndërmarrjet publike në Kosovë nga vitin në vit punojnë me humbje. Në Komisionin Parlamentar për Zhvillim Ekonomik thonë se qeveria e vendit duhet të ndërmarrë masa për ta ndryshuar këtë gjendje, ndërsa njohësit e çështjeve ekonomike thonë se zgjidhja më e mirë është privatizimi i tyre.

Gjatë vitit 2016 ndërmarrjet publike kanë operuar me një humbje prej 29 milionë euro. Këto janë gjetjet e bazuara në raportet vjetore të auditorëve të jashtëm, ndërsa të dhënat për vitin 2017 priten të publikohen në fund të këtij muaji.

Anëtari i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Enver Hoti, deputet i NISMA-s, thotë se Qeveria e Kosovës, si e vetmja aksionare në ndërmarrjet publike, duhet të ndërmarrë masa dhe ta stopojë këtë gjendje.

“Qeveria duhet të ndërmarrë masa, duhet të bëjë një vlerësim dhe analizë të shpejtë. Unë do të doja të bëhet një auditim krejtësisht i pavarur nga ndonjë kompani e huaj e cila është profesionalisht e përgatitur, e cila do të hapte perspektivë të re në aspektin e përgjegjësive dhe llogaridhënies. Të paraqitet një plan emergjent i punës për ndërhyrje në këto ndërmarrje, sepse jam i bindur që ndërmarrjet janë në interes të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës”, tha ai.
Njësia për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, në një përgjigje me shkrim për Radio Kosovën ka thënë se duke pasur parasysh situatën e rëndë në të cilën gjinden shumica e ndërmarrjeve publike, janë rekomanduar masa për rritjen e të hyrave dhe reduktimin e shpenzimeve, kritere që duhet të pasqyrohen edhe në planet e biznesit te kompanive.

E njohësi i ekonomisë, Fadil Osmani, ka folur rreth metodës së mirëfunksionimit të këtyre ndërmarrjeve .

“ Unë mendoj se forma më e mirë e funksionimit të këtyre ndërmarrjeve është privatizimi. Privatizimi ka efektin pozitiv në menaxhimin dhe qëndrueshmërinë e tyre ekonomike në treg si për klasën punëtore ashtu edhe për të hyrat financiare që mund t’i krijojnë këto ndërmarrje publike”, tha ai.

Osmani konsideron se procesi i privatizimit është i hapur kudo në botë, prandaj edhe Kosova duhet t’i përkrahë këto procese.

Të dhënat e raportit të auditimit të jashtëm thonë se faktorët që ndikojnë në humbje të ndërmarrjeve publike janë: shkalla e lartë e amortizimit dhe zhvlerësimit pasi që ndërmarrjet publike kanë trashëguar një infrastrukturë të vjetërsuar, shkalla e lartë e borxheve që konsumatorët kanë ndaj ndërmarrjeve publike, humbjet teknike, numri i lartë i të punësuarve, pagat e larta etj. /Rtk

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of