Flet kryetarja e Dhoma Kombëtare të Ndërmjetësve, znj. Drita Avdyli
Çfarë roli ka Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësve dhe cilat kanë qenë sfidat tuaja në vitet që keni nisur funksionimin?
Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësve (DHKN) është Ent Publik Juridik që ushtron veprimtarinë e saj të pavarur nga shteti, bazuar në Ligjin nr. 10385, datë 24.02.2011 “Për Ndërmjetësimin në Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve”, i ndryshuar dhe akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.
Roli i Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësve, është t’u sigurojë qytetarëve shqiptarë, një alternativë të re për zgjidhjen e konflikteve dhe mosmarrëveshjeve të tyre, pa iu drejtuar procesit gjyqësor, ligjor, me një kosto shumë të ulët, për një kohë të shumë të shkurtër, transparente, konfidenciale, me anë të një personi të licencuar, ku janë vetë palët që vendosin në marrjen e këtij vendimi. DHKN merr masa për rregullimin dhe kontrollin e veprimtarisë së ndërmjetësimit, mbron interesat e Ndërmjetësve, si dhe organizon çdo vit trajnim të vazhduar, për të pasur në treg ndërmjetës sa më efektiv. Jo çdo mosmarrëveshje duhet detyrimisht të zgjidhet në Gjykatë.
Një tjetër sfidë është futja e procedurës së ndërmjetësimit, në Kodin e Procedurës Civile, ku detyrimisht Gjyqtarët dhe Prokurorët, në çdo seancë njoftojnë palët dhe i udhëzojnë ato drejt zgjidhjes së konflikteve me ndërmjetësim, brenda 30 ditëve, dhe kur arrihet marrëveshja, gjykimi pushohet.
Ndërmjetësimi është një nga format për të ulur ngarkesat e larta në gjithë shkallët e gjyqësorit dhe sfida më kryesore është se ai ul në një shkallë të lartë korrupsionin në gjyqësor.
Ndërmjetësimi është ajo mënyrë zgjidhjeje, vullnet i lirë i palëve, në të cilën palët nuk kanë mundësi të humbin, nuk ka një gjyqtar apo një prokuror që të vendosë për ta, por janë ata që vendosin për kushtet e Marrëveshjes dhe të dy palët përherë fitojnë. Ndërmjetësi është personi, por jo këshilluesi ligjor, që marrëveshjen e dy a më shumë palëve i jep fuqinë e titullit ekzekutiv, ose e thënë ndryshe, bën të mundur që marrëveshja e palëve, të jetë e barabartë me një vendim gjyqësor të formës së prerë. Ajo:
– Harton dhe zbaton politikat për forcimin dhe zhvillimin e aktivitetit të ndërmjetësimit;
– Promovon nismat dhe veprimtaritë që nxisin zhvillimin e shërbimit të ndërmjetësimit dhe përmirësimin e vazhdueshëm të kuadrit ligjor e rregullativ;
– Promovon ndërmjetësimin nëpërmjet realizimit të takimeve, seminareve, konferencave dhe publikimeve;
– Bashkëpunon me institucione publike dhe/ose subjekte private, vendase dhe/ose të huaja;
– Siguron dhe përpunon të dhëna statistikore mbi shërbimin e ndërmjetësimit; si dhe
– Monitoron çdo subjekt që ofron shërbimin e ndërmjetësimit sipas parimeve të Ligjit nr. 10385, datë 24.02.2011 “Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”, i ndryshuar, Statutit, Rregulloreve dhe Kodit të Etikës së saj.
Menjëherë nga krijimi i DHKN, 7 korrik 2013, lindi domosdoshmëria e rregullimit të këtij profesioni të ri, duke krijuar kuadrin ligjor, por dhe ndërgjegjësimin dhe informimin e publikut me këtë alternativë të re zgjidhjeje me Ndërmjetësim, ku një rol të rëndësishëm kanë luajtur mbështetja e BE dhe USAID, duke sjellë në Shqipëri ekspertë të huaj.
Rritja e rasteve të zgjidhura me ndërmjetësim, nga viti në vit, dhënia e një shërbimi sa më cilësor, ka sjellë jo vetëm zgjidhje të konflikteve por dhe rregullim të marrëdhënieve midis palëve në një shoqëri kaq me probleme, futja e Ndërmjetësit për konflikte në Administratën Publike apo midis Biznesit dhe Administratës Shtetërore, shmangia e burgimit të të miturve deri 21 vjeç, për shkeljet penale, këto janë një ndër sfidat kryesore tonat deri tani. Nëse Komuniteti zgjedh Ndërmjetësimin për konflikte të ndryshme, kjo sjell shmangie të burgimeve, pra nuk ke një Vërtetim të Gjendjes Gjyqësore Negative, e cila të ndjek gjithë jetën e Individit që mua është Perla e sfidës sonë.
Çfarë përfitimesh ka zgjidhja e çështjeve me ndërmjetësim? Si ndodh konkretisht?
Kryesorja është që ndërmjetësimi ofron zgjidhje shumë të shpejtë, deri në pesë seanca, të dy palët kanë një ndërmjetës dhe kohën që përfitojnë nga zgjidhja e shpejtë po ta konvertojmë në para, është shumë domethënës
Meqenëse, marrëveshja e arritur me ndërmjetësim, ai është titull ekzekutiv, ai është një vendim restaurues pasi në këtë proces, të dy palët në konflikt fitojnë pasi vendosin vetë për modalitetet, kushtet dhe procedurën.
Ndërmjetësimi nuk zgjidh vetëm konfliktin, por normalizon, përmirëson dhe rregullon marrëdhëniet midis palëve në konflikt dhe krijon premisa për vazhdimin e tyre në të ardhmen, duke pasur kështu fytyra të gëzuara dhe duar të shtrënguara, duke ndryshuar rrënjësisht nga një vendim gjykate, i cili është vendim ndëshkues, pasi një palë fiton dhe pala tjetër humb.
Arsye tjetër, ndërmjetësimi kryhet nëpërmjet një procesi civil, tolerant, jo stresues, nuk ka të humbur, nuk ka të paditur dhe paditës, por palë të barabartë në zgjidhjen e konfliktit tyre me mirëkuptim
Avantazh tjetër është se nëse palët me kontratë apo marrëveshje me shkrim kanë parashikuar kushtin se ndërmjetësimi do të jetë alternativa e parë e zgjidhjes së Konfliktit, para asaj gjyqësore, gjykata nuk e merr në shqyrtim çështjen pa u zbatuar ky kusht, pra ti nuk i hyn kalvarit të gjatë të procesit gjyqësor.
Përfitime të tjera:
-Shmangia e dënimeve të të miturve etj.
-Në ndërmjetësim flitet për formësimin (dizajnimin) dhe rregullimin e së ardhmes
-Nëse nuk e zgjidh konfliktin me ndërmjetësim, u drejtohesh Gjykatave
-Për komunitetin në nevojë, ndërmjetësimi është falas.
Pra pse duhet të shkoni në ndërmjetësim?
*Është procedurë më e shpejtë krahasuar me procedurën gjyqësore;
*Të gjitha palët fitojnë;
*Palët vendosin vetë për çështjen e kontestuar;
*Është më e lirë;
*Të gjitha informatat mbesin fshehtësi;
*Palët bien dakord për marrëveshjen e tyre;
*Marrëveshja është e vlefshme dhe raportet mbesin të mira;
*Vlerat personale, kultura, zakonet dhe traditat respektohen
Çfarë çështjesh keni ndërmjetësuar më tepër ndër vite? (tregtare, familjare etj.)
Ndërmjetësimi përdoret në të gjithë fushat: civile, familjare, të pronës, tregtare, të punës, pronësisë intelektuale, të drejtën e autorit, në mbrojtjen e konsumatorit, në çështjet penale sipas nenit 59 dhe 284 të Kodit Procedurës Civile, por një përdorim prej një viti, në momentin e daljes së Kodit për të Miturit, po përdoret në shmangien e burgimit të të rinjve, duke dhënë dënime alternative.
Më të suksesshme janë më shumë çështjet familjare, tregtare dhe çështjen e pronave që me Marrëveshje ndërmjetësimi, këto ndryshime pronash regjistrohen direkt në Kadastër, madje në Kartelën e Pronës bëhet shënimi ‘Marrëveshje Ndërmjetësimi.’
Cilët janë kushtet e ushtrimit të këtij profesioni?
Për të ushtruar profesionin e Ndërmjetësit, duhet të marrësh Licencën e Ndërmjetësimit, kur:
– të kesh mbushur moshën 28 vjeç
– të kesh mbaruar ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë, jo detyrimisht juridik
– të kesh jo më pak se 3 vjet përvojë
– të mos jetë i dënuar
– të ketë dhënë me sukses provimin pas trajnimit fillestar të organizuar nga Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësve
A është tregu i ndërmjetësve i zhvilluar në Shqipëri?
Ky treg ka pasur vetëm kurbë rritje, pasi janë vetë palët që po e kërkojnë ndërmjetësimin, falë avantazheve që ka ky proces, ka shumë raste që vetë avokatët e palëve vijnë për t’i zgjidhur konfliktet me ndërmjetësim për shpejtësinë e shërbimit tonë. Numri i rasteve të zgjidhura me ndërmjetësim ka arritur në mijëra, vetëm gjatë vitit 2018 janë zgjidhur 4780 raste.
Ndryshime ligjore
Plani 2018-2021 parashikon ngritjen e dhomave vendore dhe ofrimi i shërbimit të ndërmjetësimit. Hapja e dhomave pritet të bëhet pas procesit të organizmit dhe trajnimit në vitin 2020.
Cilat janë të mirat e ndërmjetësimit?
Efikasiteti — Informaliteti e shmang paefektshmërinë, i cili shkakton vonesa në procedurat gjyqësore. Shumica e rasteve zgjidhen me vetëm disa seanca.
Fleksibiliteti — Qendra e Ndërmjetësimit do të përshtasë orarin tuaj. Kontrolli i palëve, ndërmjetësimi është vullnetar dhe rezultati i tij përcaktohet nga palët.
Konfidencialiteti — Palët dhe ndërmjetësuesi duhet ta ruajnë konfidencialitetin e procesit. I suksesshëm—ndërmjetësimi është i suksesshëm në mbi 80% të rasteve dhe në mbi 90% të rasteve palët i përmbushin obligimet e tyre.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.