Inspektorati Kombëtar i Mjedisit dhe Territorit ka vijuar me shembjen e ndërtesave që paraqesin rrezik si rezultat i dëmtimeve që kanë pësuar pas tërmetit të 26 nëntorit. Prej disa ditësh tashmë aksioni i përqendruar kryesisht në Durrës dhe Thumanë po merr masat në mënyrë që këto ndërtesa që përbëjnë rrezik potencial të eliminohen. Aktualisht vetëm në Durrës mësohet se janë të paktën 10 grupe inspektimi që kanë në përbërje të tyre ekspertë nga arkitektura, inxhinierë si dhe inspektorë që po vijojnë paralelisht me vlerësimin e situatës së ndërtesave të tjera. Pothuajse të gjithë ndërtimet do të kalojnë në sitën e vlerësimit duke parë parametrat e tyre dhe në ato që konstatohet se janë cënuar në mënyrë të pariparueshme standardet e sigurisë po vendoset shiriti i bllokimit duke mos lejuar as banorët që të futen brenda për shkak të rrezikshmërisë.
Aktualisht në terren vlerësimi po bëhet jo vetëm nga ekipet shqiptare por edhe nga pjesa e asistencës që ka ardhur nga jashtë nga Kosova, Italia, Franca, Letonia, Lituania, Hungaria.
Një ditë më parë në Këshillin e Sigurisë thirrur nga Presidenti Ilir Meta u bë me dije se Prokuroria do të nisë hetimet për situatën e krijuar në Tiranë dhe Durrës duke kërkuar përgjegjësi për mënyrën sesi janë kryer një pjesë e ndërtimeve dhe se sa janë respektuar standardet dhe kërkesat ligjore.
Tërmeti i 26 nëntorit kishte një magnitudë 6.4 ballë duke shkaktuar dëme kolosale por mbi të gjitha me pasoja edhe në humbjen e jetës së 51 personave.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.