Qytetarët e Kosovës duhet të aplikojnë sa më parë për legalizimin e ndërtimeve të tyre, përndryshe automatikisht rrezikojnë ndërtimin e objekteve të tyre. Kështu u tha në Forumin Virtual për Legalizimin e Ndërtimeve pa Leje të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Aty u tha se është i madh potenciali i humbur ekonomik nga pamundësia e shfrytëzimit të pronave të legalizuara, ndërsa u theksua se pasi të legalizohen dhe regjistrohen në kadastër, ndërtimet pa leje hyjnë në qarkullim zyrtar ekonomik dhe mund të shfrytëzohen për të lehtësuar qasjen në financa dhe rritjen ekonomike duke ndikuar pozitivisht në zhvillimin ekonomik të vendit.
Avni Ahmeti nga Agjencia Kadastrale e Kosovës tha se një pronë e palegalizuar nuk mund të regjistrohet në kadastër.
Si rezultat i reformave të ndërmarra nga kjo agjenci, Ahmeti tha se kanë arritur të shmangin procedurat burokratike, teksa ftoi institucionet publike që të veprojnë në përputhshmëri me këto kornizat ligjore që janë në fuqi.
Ai përmendi edhe përfitimet nga procesi i legalizimit.
“E rëndësishme në këtë fazë është aplikimi për legalizim të objektit, pastaj çështjet teknike dhe pronësore mund të zgjedhën me një fazë të ardhshme. Mirëpo, nëse nuk aplikon tash automatikisht e rrezikon ndërtimin që e ke bërë për rrënim. Një pronë e legalizuar dhe e regjistruar në kadastër mund të jetë pjesë e hipotekës, një pronë e legalizuar dhe e regjistruar në kadastër mund të shitet dhe mund të blihet, mund t’i lihet trashëgimtarëve me një akt noterial, por edhe për një pronë për të cilën ne aplikojmë për legalizim ne sigurojmë mosrrënimin e atij objekti. Kështu që inkurajoj të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë këtë mundësi, kjo mundësi nuk vjen dy herë”, tha ai.
Për ndërtimet në zona publike, Ahmeti bëri të ditur se edhe këto raste duhet të aplikojnë për legalizim, teksa shtoi se kjo ka ardhur si rezultat i keqmenaxhimit të institucioneve ndërsa për një kohë do të jenë në listë të pritjeve.
Drejtori i Departamentit për Planifikim Hapësinor, Ndërtimit dhe Banimit, Servet Spahiu tha se në 6 mujorin e fundit ka rritje të interesimit të qytetarëve për legalizim.
Spahiu bëri të ditur se deri në muajin shkurt në bazën e të dhënave e aplikacionit për legalizim janë regjistruar tre mijë aplikime, teksa shtoi se ky numër tashmë mund të sillet rreth 5 mijë.
Ai tha se Komuna e Prishtinës dhe ajo e Graçanicës kanë arritur të kenë 465 legalizime të finalizuara, teksa shtoi se vlera e tyre arrin shumën prej 72 milionë euro deri në 96 milionë euro, e të cilat mund të kthehen në treg dhe të përdoren.
“Deri në shkurt janë në regjistër në databazën për legalizim 3 mijë aplikacione. Prej këtyre 3 mijë aplikacioneve që janë, në bazë të dhënave të fundit del se janë 800 ndërtime që kanë marrë certifikatë të ndërtimit dhe që janë regjistruar në kadastër dhe i kanë kryer të gjitha procedurat, pronarët i kanë marrë certifikatën e legalizimit dhe regjistrimin e pronës. Ndërsa pjesa tjetër, munden me qenë në procedura, ose munden me qenë në listë të pritjes”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.