Ndërtimi, 24 projekte në dy muaj, Tirana me pallate, bregdeti me hotele e komplekse

03/11/2019 11:03 PM 0 komente

Të paktën 24 projekte kanë kaluar në duart e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për të dhënë vendim lidhur me kërkesat që kanë paraqitur subjekte të ndryshme për zbatimin e projekteve nga pallatet te komplekset turistike.

Ajo që bie në sy është një qendërzim i ndërtimit në kryeqytet dhe kjo për ndërtime me orientim banimin, ndërkohë që një pjesë e vogël mbeten të lidhura me hotele apo shërbime. Kërkesat janë për ndërtime në zona si Kodra e Diellit, në rrugën “Skënder Kosturi”, në atë “Qemal Stafa” e kështu me radhë. Kryesisht bëhet fjalë për ndërtesa banimi 2-11 kate, por edhe komplekse që kanë në total ndërtime me lartësi katesh të ndryshme. Rekordin e mban kompania 2T, e cila ka kërkuar autorizimin nga AKM për vlerësim paraprak lidhur me godinë banimi dhe shërbime 6, 8, 10 dhe 13-22 kate me 3 kate parkim nëntokë.

Në bregdet bien në sy të kërkesat nga dy subjekte, ku i pari ka kërkuar ndërtim kompleks vilash në Kepin e Rodonit, kurse i dyti, kompleks turistik në zonën e Hamallajt.

Për një pjesë të mirë të projekteve, agjencia ka dhënë vendim lidhur me vlerësimin e ndikimit në mjedis, ndërsa për një pjesë tjetër ka kërkuar informacion shtesë lidhur me projektin.

Gjatë këtij viti, në total nga ana e AKM janë mbajtur të paktën 55 mbledhje ku merren në analizë kërkesat e subjekteve të ndryshëm të lidhura me aktivitete si ndërtimi i objekteve të banimit, ndërtime hidrocentralesh, kompleksesh turistikë. Tendenca edhe gjatë këtij viti është ajo e kërkesave të shumta për vlerësim lidhur me hidrocentralet, minierat por edhe pallatet. Ndërkohë agroturizmi ka shfaqur gjithashtu lulëzim duke qenë se subjektet që kanë dorëzuar dokumentacionin për të marrë miratimin nga ana e autoriteteve kanë qenë të shumta dhe të shpërndara në të gjithë vendin.

Subjektet sipas ligjit kanë detyrimin që të paraqesin një vlerësim të ndikimit në mjedis paraprak e cila pasohet nga një vlerësim i dytë më i thelluar.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of