Pas rritjes së fortë në 2017-n, viti 2018 nuk ishte i mirë për sipërmarrjet e ndërtimit, sidomos ato të sektorit rezidencial. Më të mëdhatë raportuan rënie të lehtë pas zgjerimit dyshifror të vitit të mëparshëm. A ka fuqi blerëse për ndërtimet e reja që priten, teksa sipërfaja e lejeve të ndërtimit u rrit me 133% në gjysmën e parë të 2019-s
Nga Ornela Liperi
Rritja dyshifrore e kompanive të ndërtimit, si në sektorin inxhinierik, ashtu dhe atë rezidencial ishte një dukuri tipike e 2017-s, teksa sektori përjetoi një lulëzim të vërtetë. Por kjo zgjati shumë pak. Në vitin 2018, pjesa më e madhe nuk arriti të ruajë ritme të larta, përkundrazi shumë prej tyre, sidomos në sektorin rezidencial panë rënie të të ardhurave, në një sinjal se kërkesa për blerje banesash nuk është e qëndrueshme.
Ndryshe nga viti 2017, kur qarkullimi vjetor i kompanive të ndërtimit në listën e “Monitor 200” të më të mëdhenjve u rrit me 31%, një vit më vonë, zgjerimi ishte më pak se 10% dhe i ndikuar vetëm nga disa sipërmarrje (Mane TCI, koncesioni i Rrugës së Kombit dhe ai i Rrugës së Arbrit). Kompani që vitin e kaluar panë zgjerim dyshifror, disa edhe treshifror, raportuan rënie, madje disa dolën nga lista e të mëdhenjve.
Teksa në 2017-n, ndërtimi sipas INSTAT kontribuoi në një të katërtën e rritjes ekonomike (27%), në vitin 2018, ndikimi i tij ishte i papërfillshëm (shiko grafikun). Subjektet e ndërtimit kanë luhatje të mëdha të aktivitetit, në varësi të projekteve inxhinierike ku janë të përfshira, apo të ciklit të shitjes së apartamenteve.
Turkja “Limak Insaat Sanayi ve Ticaret”, e angazhuar në punimet për HEC-in e Devollit, ka kaluar sërish në operatorin më të madh të ndërtimit në vend, me një qarkullim vjetor prej 7.8 miliardë lekësh, me rritje të fortë 24.5%.
“Alb-Star” zbriti në operatorin e dytë më të madh të ndërtimit në vend, pas një rënieje të të ardhurave me 10.7% në 7.6 miliardë lekë. Kompania është e specializuar në punimet inxhinierike. Sipas të dhënave në faqen e saj të internetit, ka realizuar punime për pedonalen e Korçës, Unazën e Madhe në Tiranë, Ujësjellësin e Pogradecit etj., dhe po ndërton stadiumin me koncesion. Nga dhjetori i vitit 2016, “Alb-Star” është pjesë e grupit holding “Finman”. Edhe një prej subjekteve të grupit, “Vibtis”, me aktivitet në tregti, import-eksport të produkteve industriale, ka shënuar rënie me 7.6% të të ardhurave, në 2.6 miliardë lekë. “APM”, pjesë e grupit “Finman” është një hyrje e re në 200 më të mëdhenjtë, pas dyfishimit të të ardhurave në 2.6 miliardë lekë. Kompania ka aktivitet në prodhimin e materialeve metalike.
“Gener 2” (me aktivitet në ndërtime civile rezidenciale e qendra tregtare) ishte në vitin 2018, operatori i tretë më i madh në fushën e ndërtimit. Të ardhurat ishin 6.8 miliardë lekë, me rënie 20% me bazë vjetore.
“Gjoka Konstruktion” shënoi rritje të fortë të aktivitetit, me të ardhurat që u zgjeruan me 50%, në 6.7 miliardë lekë.
“Mane TCI”, pjesë e grupit “Balfin”, e fokusuar në ndërtim iu rikthye sërish rritjes në vitin 2018, teksa të ardhurat më se u dyfishuan në 6.3 miliardë lekë. Kompania është e përqendruar tashmë në projektet e turizmit.
Rritje kanë raportuar “Gjikuria” (në ndërtim HEC-esh, banesash e rrugësh), me 19%; “Salillari” me 7.6%; “Shijaku” me 15.4%
Në rënie ishin “Alb Building” me 21%, “Rafaelo 2002” me 25% etj., “Joint Venture Dondi Kubota” (Ndërtimi i impiantit të trajtimit të Ujërave të Zeza të Tiranës), me 31.7%; etj.
“Fusha sh.p.k.”, e cila fitoi tenderin për ndërtimin e qendrës së Tiranës dhe ka bërë propozimin për ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar, raportoi të ardhura prej 2.4 miliardë lekësh, me rritje 3%.
Kompani që hynë në listën e më të mëdhenjve në 2017-n, pas dyfishimit të të ardhurave, njohën rënie një vit më pas.
“2T”, në fushën e ndërtimeve, e krijuar që në vitin 2000, me aktivitet në ndërtimin e rrugëve dhe projekte rezidenciale, teksa dyfishoi të ardhurat në vitin 2017, në 2.2 miliardë lekë, një vit më pas shënoi rritje minimale prej 1.6%.
Një tjetër kompani ndërtimi, degë e shoqërisë së huaj kuvajtiane, “Combined Group Contracting Company” (K.S.C.) pa një rënie me 27% në vitin 2018, pas dyfishimit një vit më parë.
“G.P.G Company”, e krijuar që në vitin 1996, me aktivitet në fushën e ndërtimit të rrugëve e të tjera, ka dalë sërish nga lista e të mëdhenjve në 2018, pas rënies së qarkullimit vjetor me 23%, në 1.4 miliardë lekë.
“Copri – Aktor”, sipërmarrja greke e angazhuar në ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan, ka reduktuar ndjeshëm aktivitetin, pas përfundimit të rrugës. Nga 6 miliardë lekë në 2017-n (e gjashta nga ndërtuesit më të mëdhenj), të ardhurat një vit më pas ranë në 623 milionë lekë. Kompania në vite ka raportuar humbje të mëdha, që të akumuluara në kapital, arrijnë në rreth 5 miliardë lekë. Ajo ka vazhdimisht probleme me përmbaruesit, pasi nuk paguan faturat e furnitorëve, sipas depozitimeve në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Një dalje tjetër nga lista e të mëdhenjve është dega e shoqërisë së huaj “Strabag”, që raportoi të ardhura prej 774 milionë lekësh, me rënie 67% me bazë vjetore.
Kompania “A.N.K” që ka fituar koncesionin, për ndërtimin e rrugës Milot-Balldren, me një kontratë prej 256 milionë eurosh për 17 kilometra rrugë, të shumë debatuar për vlerën e kripur të saj, nuk figuron në listën e 200 kompanive më të mëdha në vend, teksa nuk ka dorëzuar ende bilancin e 2018-s (në vitin 2017 kishte të ardhura prej rreth 2 miliardë lekësh).
Nuk kanë munguar as hyrjet e reja, ndonëse më pak se vitin e kaluar.
“PWT Wasser-und Abwassertechnik”, degë e shoqërisë gjermane me të njëjtin emër, e specializuar në ndërtimin e impianteve të ujit, është krijuar në prill 2016. Kompania ka kontratë për rehabilitimin e furnizimit me ujë të Durrësit dhe kishte të ardhura prej gati 1.9 miliardë lekësh në vitin 2018.
Sektori rezidencial
Në vitin 2017, kompanitë e përqendruara në ndërtimin e projekteve rezidenciale, përjetuan një lulëzim të vërtetë, me rritje dy apo dhe treshifrore, e nxitur dhe nga shtimi i lejeve të ndërtimit në kryeqytet. Kjo tendencë nuk zgjati shumë. Një vit më pas, ndërtuesit më të mëdhenj të apartamenteve panë rënie të qarkullimit vjetor, ose stanjacion.
“Edil-Al-It” në 2017, raportoi dyfishim të të ardhurave në 2.1 miliardë lekë. Një vit më pas, qarkullimi vjetor ra me 9.2%.
“Parc Construction” rriti të ardhurat me 258% në 2017-n, në gati 1.9 miliardë lekë. Në 2018, kompania pa një rënie prej 14.4%.
“Alba Construction”, kishte pothuajse dyfishim të xhiros në 1.9 miliardë lekë në 2017-n. Një vit më pas, qarkullimi vjetor u reduktua me 6.1%
“Agi Kons” ishte një tjetër hyrje e re në vitin 2017, pas rritjes me 23%, në rreth 1.7 miliardë lekë. Në vitin 2018, edhe kjo kompani pa reduktim të aktivitetit, ndonëse me ritme më të ulëta prej -2.5%.
-“Curri”, me aktivitet në punime inxhinierike dhe ndërtime rezidenciale, hyri në 2017-n në listën e më të mëdhenjve, pas një rritjeje me 52%, në 1.7 miliardë lekë. Vetëm një vit më vonë, aktiviteti u reduktua me 41%.
-Me rritje të fortë ishte vetëm “Mane TCI”, pjesë e grupit “Balfin”, që dyfishoi të ardhurat në 6.3 miliardë lekë. Ky zgjerim ka ardhur kryesisht si rrjedhojë e investimeve në projektet e turizmit. Grupi është tërhequr së fundmi nga projektet në kryeqytet, për shkak të mbindërtimeve, sipas deklarimeve të mëparshme.
Ndonëse kërkesa nuk duket se premton shumë, kompanitë e ndërtimit nuk tërhiqen, sidomos në kryeqytet. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2018, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi ishte 940 mijë m2, me një rritje prej 80% në raport me vitin e mëparshëm dhe niveli më i lartë të paktën që nga viti 2012.
Ky ritëm ka vazhduar të paktën dhe në gjysmën e parë të 2019-s. Po sipas INSTAT, në 6 muajt e parë të vitit 2019, në Tiranë janë dhënë leje ndërtimi për një sipërfaqe prej 753 mijë m², apo sa 80% e sipërfaqes që u dha gjatë vitit 2018.
Në kryeqytet janë hapur gropat dhe ka filluar ndërtimi i një sërë kullave, si “Down Town” tek ish-7 Xhuxhat, një kullë me 40 kate. “Book Building”, po ndërtohet pas Sahatit dhe sipas lejes zhvillimore është Godinë Shumëfunksionale 4, 5, 11 dhe 21 kate. “MET Building Tirana”, pranë Hotel Dajtit, do të jetë një kullë 12-katëshe. Syri i Tiranës po ndërtohet në pikëlidhjen mes Rrugës së Kavajës dhe asaj të Durrësit.
Ndërkohë, që në qendër kanë nisur punën shumë projekte luksoze apo kulla, çmimet e tyre arrijnë deri në 4 mijë euro/m², më të shtrenjtat në rajon.
Ndërtimet pritet të jenë me ritme të larta për 2019-2021. Bashkia e Tiranës parashikon të mbledhë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja 3.2-4 miliardë lekë në vit, deri në vitin 2021, që i korrespondon minimalisht rreth 350-400 milionë euro investime në vit vetëm në sektorin e ndërtimit në kryeqytet.
Këto projekte po zhvillohen në një kohë që shtesa e popullsisë së kryeqytetit u përgjysmua në vitin 2019. Sipas të dhënave të INSTAT, në 2019-n, në Qarkun e Tiranës kishte gjithsej 895 mijë banorë. Ndonëse Tirana dhe Durrësi janë të vetmet qarqe që po rezultojnë me rritje, në kryeqytet në vitin 2019 u shtuan 11 mijë banorë, nga 21 mijë banorë vitin e mëparshëm. Edhe ky fluks që vjen nuk ka kapacitet për të blerë apartamente të shtrenjta. Operatorët e tregut thonë se prurjet e reja në qytet furnizojnë njëkohësisht tregun e qirasë dhe të shitjes, por ata i përkasin një fashe që kërkojnë çmime ekonomike, gjë që nuk përputhet me bumin e ndërtimeve luksoze dhe me çmime të larta.
Disa ndërtues, me përvojë në treg, shprehen skeptikë, nëse këto projekte do të arrijnë të gjitha të përfundojnë, teksa rrezikojnë të mbeten në gropë, apo si skelete të pambaruara.
Lojërat e fatit po orientohen në ndërtim
Në 2018-n, qeveria mori vendimin që të mbyllte aktivitetin e lojërave të fatit, duke filluar nga 1 janari 2019. Ky aktivitet gjeneronte të ardhura vjetore prej rreth 17 miliardë lekësh (rreth 135 milionë euro) për 14 kompanitë kryesore të kazinove, basteve, loto, bingo, lotari, teksa ishin ndër më fitimprurëset në vend.
“Invest Society”, një subjekt i krijuar në nëntor 2016, po zhvillon në Tiranë 4 projekte luksoze, “Rainbow Center”, “West Residences”, “Book Building”, “Green Terrace”.
“Book Building”, që ka filluar të ndërtohet pas Sahatit, sipas lejes zhvillimore, është godinë shumëfunksionale 4, 5, 11 dhe 21 kate, me 3 kate nëntokë. “WEST Residence” 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8 dhe 9 kate, tek ish-Blloku, është godinë shumëfunksionale në rrugën “Ibrahim Rugova”.
“Rainbow Center”, po tek Blloku, është godinë me 7 kate (nga të cilat dy kate janë qendra tregtare). Burime nga agjencitë pohojnë se për këto projekte, çmimet zyrtare variojnë nga 3,500 euro/m² në këtë fazë ndërtimi deri në 4,000 euro/m² kur të ketë përfunduar karabinaja.
Aksionerët e “Invest Society” janë themeluesit dhe më pas kanë pasur interesa në kompaninë “APEX – AL”, që ishte kazinoja elektronike më e madhe në vend.
“MET Invest” është krijuar në janar 2018, me aktivitet në fushën e ndërtimit. Kompania po zhvillon projektin e “MET Building Tirana”, që do të jetë një kullë 12-katëshe, fasada dhe tarracat e së cilës do të jenë të gjelbëruara dhe po ndërtohet pranë Hotel Dajtit. Aksionerët e saj janë të njëjtë me “Top Start”, që ishte një nga më të mëdhatë për bastet sportive në vend.
Prodhimi i çimentos, me rënie
Në linjë me aktivitetin e ndërtimit, prodhuesit e çimentos kanë parë stanjacion, ose rënie të të ardhurave në 2018-n, pas rritjes së shpejtë vitin e mëparshëm.
“Fushë Krujë Cement Factory” ka marrë sërish vendin e parë, me të ardhura prej 6.7 miliardë lekësh, pothuajse të pandryshuar në raport me një vit më parë.
“Antea Cement”, e cila u rrit me shpejtësi në 2017-n (me 52%), duke kaluar në vend të parë, një vit më pas ka parë rënie të të ardhurave me 15%, në 5.8 miliardë lekë, duke zbritur sërish në vend të dytë.
“Colacem Albania”, pas rritjes prej 56%, në 1.8 miliardë lekë në 2017-n, raportoi tkurrje prej 27%, duke dalë nga lista e të mëdhenjve.
“Elbasan Cement Factory” ka dalë nga lista e më të mëdhenjve.
Industria mbështetëse
Ashtu si industria e çimentos, që ka pasur të njëjtën gjatësi vale me sipërmarrjet e ndërtimit, viti 2018 nuk ka qenë fort i mirë edhe për industrisë mbështetëse, së cilës gjithsesi i kanë dhënë një dorë dhe investimet në turizëm. Tregtuesit dhe përpunuesit e materialeve të ndërtimit kanë deklaruar në përgjithësi ritme më të ngadalësuara se vitin e mëparshëm.
Më i madhi në treg është “Brunes”, me aktivitet në tregtimin e materialeve të ndërtimit, qeramikë dhe hidrosanitare, që ka parë një rënie të lehtë të të ardhurave me 4%, në 3 miliardë lekë.
Me aktivitet më pozitiv ishte “DELTA” (tregti pllaka dhe pajisje hidrosanitare) që pa zgjerim aktiviteti me 4%, në 2.4 miliardë lekë.
“Everest”, me aktivitet në prodhimin e profileve të aluminit, pas rritjes me 45% në 2017-n, raportoi rënie me 10% një vit më pas, në 2.4 miliardë lekë.
“DAST” (Delta Adhesive Structural Tech) me aktivitet në pajisje hidrosanitare, inerte, pas rritjes me 27% vitin e kaluar, në 2018-n u zgjerua më pak se 1%, në 2.1 miliardë lekë.
Prodhuesi i profileve të aluminit, “Alumil” raportoi të ardhura prej 2.5 miliardë lekësh, duke shënuar rritje të lartë me 20%.
“Hidrosanitare Sinani” është një hyrje e re në listën e më të mëdhenjve, pas rritjes me 21%, në 1.7 miliardë lekë. Haki Sinani, administrator i kompanisë, thotë se rritja e shitjeve ka ardhur nga realizimi i volumeve më të larta, kryesisht për shkak të bumit të ndërtimeve, por edhe ndërtimit dhe rinovimit të hoteleve në zonat turistike, si dhe kërkesës nga pronarët e shtëpive private.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.