Ndërtimi, arkitektura dhe planifikimi urban, çfarë do të sjellë Expocity Albania
Ndërtimi, ndër vite, ka qenë një ndër sektorët prioritarë dhe motori zhvillimit ekonomik në vend. Për këtë arsye, Expocity Albania do të zhvillojë panairin e ndërtimit, me fokus ndërtimin, arkitekturën dhe planifikimin urban, në datat 26-28 tetor.
Panairi nuk do të jetë vetëm ekspozim apo shkëmbim informacioni mes pjesëmarrësve, por edhe një moment njohje mbi zhvillimet e industrisë së ndërtimit, botës së arkitekturës dhe planifikimit urban, në nivel kombëtar dhe rajonal.
Sot, industria e ndërtimit përfaqëson një sektor, i cili ka qenë dhe vazhdon të jetë jetësor për ekonominë shqiptare, duke u kthyer në një nga motorët dhe promotorët kryesorë të zhvillimit ekonomik.
Në këtë panair të organizuar nga Expocity do të marrin pjesë markat më të njohura të industrisë së ndërtimit, së bashku me një numër të madh të subjekteve dhe profesionistëve të arkitekturës, planifikimit urban dhe të pasurive të paluajtshme.
Mbështetës kryesor i këtij panairi është kompania ADMC, Art dhe Design Metal Construction, e cila ofron ndërtim dhe punime inxhinierike civile, arkitekturë dhe dizajn, pasuri të paluajtshme, burime njerëzore dhe konsulencë për një gamë të gjerë klientësh të sektorit privat dhe publik në të gjithë Europën, Lindjen e Mesme, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Zelandën e Re.
Ndërtimi është një sektor i gjerë, ku përfshihet industria mbështetëse e ndërtimit, arkitektura dhe planifikimi urban. Expocity Albania do të jetë pikëtakimi për të gjithë grupet e interesit nga vendi dhe rajoni.
Gjatë panairit do të organizohen forume ekonomike me tematikë nga sektori. Ditën e parë do të mbahen dy forume. Forumi i parë do të ketë mbështetjen nga Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, si dhe Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifi kimit Urban, pjesë e Universitetit Politeknik të Tiranës.
Expocity Albania fton që në këtë panair të marrin pjesë të gjithë ata individë, subjekte e shoqata, pjesë e këtij sektori, që të njihen me markat e njohura, nismat e reja, produktet, si dhe me të rejat e fundit nga ndërtimi, arkitektura, demonstrimet bashkëkohore teknologjike.
Forumi i dytë do të jetë me tematikë Sfidat e Profesioneve të Lira si Arkitekt, Inxhinier Ndërtimi, apo Konstruktor në realitetin shqiptar. Mbështetës të këtij forumi do të jenë përfaqësues nga Shoqatat e Kategorisë si ajo e Ndërtimit, Arkitektëve dhe Konstruktorëve si dhe Supervizorëve.
Në ditën e dytë, Expocity Albania do të zhvillojë forumin me tematikë “Modernizimi i ndriçimit publik me eficencë të lartë energjie – sfida për pushtetin vendor në Shqipëri”, me mbështetjen e GIZ dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Expocity Albania është organizues i Panaireve dhe Konferencave Kombëtare dhe Ndërkombëtare dhe qendër expo e certifi kuar nga UFI, specializuar në organizimin dhe zhvillimin e panaireve, ekspozitave dhe evente biznesi, drejtuar tregut vendas dhe atij ndërkombëtar.
Që prej vitit 2015, Expocity Albania ofron platformën më të përshtatshme për realizimin me sukses të këtij lloj komunikimi në Shqipëri; një strukturë dhe infrastrukturë të plotë, bashkëkohore, dhe të plotësuar me të gjitha lehtësitë dhe stafin e nevojshëm (5’500m² hapësirë të brendshme dhe 7’000 m² hapësirë të jashtme).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.