Ndërtimi dhe shërbimet optimiste për punësimin, tregtia dhe industria presin rënie

15/01/2021 2:00 PM 0 komente

Bizneset në sektorin e shërbimeve dhe atë të ndërtimit janë treguar optimiste sa i takon ecurisë së punësimit në tremujorin e fundit të vitit 2020.

Sipas një ankete që Banka e Shqipërisë zhvilloi, në kuadër të indeksit të Besimit rezultoi se balanca e përgjigjeve për bizneset në sektorin e shërbimeve për pritshmërinë e punësimit shënoi rritje me 10 pikë përqindje në tremujorin e katërt të vitit 2020. Në të njëjtin trend janë edhe pritshmëritë e bizneseve të ndërtimit, ku balanca e pritshmërive për punësimin shënoi rritje me 5.6 për qind në tremujorin e katërt 2020.

Në kundërt bizneset në sektorin e tregtisë dhe industrisë anojnë nga pesimizmi. Balanca e përgjigjeve për rënie të punësimit tejkalon ato për rritjen. Sipas Bankës së Shqipërisë tek bizneset në sektorin e industrisë optimizmi për punësimin shënoi rënie me -0.6%. Bizneset e tregtisë gjithashtu shënuan një përkeqësim të pritshmerive për punësimin në tremujorin e fundit të vitit të vitit 2020.

Optimizmi për rritjen e punësimit në ndërtim lidhet me zhvillimet në ekonominë reale. Zbatimi i projekteve për rindërtimin dhe ndërtimet e reja kryesisht në Tiranë e kanë bërë sektorin e ndërtimit sfidues ndaj krizës pandemike. Ndërtimi është i vetmi sektor që përformoi rritje në treguesit e punësimit, shitjeve dhe çmimeve.

Në të kundërt sektori i shërbimeve ishte më i godituri, nga kriza kryesisht për shkak të dobësive që u krijuan nga kufizimet në lëvizje.

Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i tretë i vitit 2019 në tremujorin e tretë të vitit 2020 shënoi rënie me -1,2 %. Në terma vjetorë, rritja e punësimit sipas sektorëve kryesorë të ekonomisë është -3,7 % në sektorin e bujqësisë, -0,2 % në sektorin e industrisë dhe 0,6 % në sektorin e shërbimeve.

Pandemia Covid-19, si në të gjithë globin edhe në Shqipëri krijoi përveç emergjencës shëndetësore edhe një krize ekonomike. Punësimi u godit në mënyrë të drejtpërdrejte për shkak të kufizimeve në lëvizje në tre mujorin e parë dhe të dytë të vitit 2020. Mijëra biznese në sektorin e tregtisë dhe shërbimeve ndërprenë aktivitetin teksa në fazën e parë pandemia la të papunë sipas të dhënave zyrtare mbi 48 mijë persona.

Treguesit e punësimit nisën përmirësimin pas muajit qershor 2020, por rikthimi masave të kufizime në fasha orare në orët e darkës ka penguar aktivitetin normal se sektorin e bareve dhe restoranteve. Në sektorin shërbimeve hoteleria shihet të jetë më e goditura për shkak të rënies së vizitorëve nga jashtë vendit. Për këtë arsye mbylli aktivitetin Hotel Tirana International, duke lënë të papunë rreth 100 persona, teksa të tjerët kanë bërë shkurtime të ndjeshme./B.Hoxha

Burimi: BSH

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of