Ndërtimi i “Nord Stream 2”, Shtetet e Bashkuara paralajmërojnë Gjermaninë për sanksione

24/03/2021 12:13 PM 0 komente

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se tubacioni i gazit “Nord Stream 2” që po ndërtohej nga Rusia në Gjermani bie ndesh me interesat e vetë Bashkimit Europian dhe mund të minojë Ukrainën.

Shtetet e Bashkuara e kanë kundërshtuar për më shumë se një dekadë këtë projekt, pasi mendon se Rusia mund ta përdorë “Nord Stream 2” si një levë për të dobësuar shtetet e unionit duke rritur varësinë nga Moska.

“Presidenti (Joe) Biden ka qenë shumë i qartë, ai beson se tubacioni është një ide e keqe, e keqe për Europën, e keqe për Shtetet e Bashkuara, në fund të fundit është në kundërshtim me qëllimet e sigurisë së BE-së,” tha Blinken ndërsa u takua me Sekretarin e NATO-s -Gjenerali Jens Stoltenberg.

“Ka potencial të minojë interesat e Ukrainës, Polonisë dhe një numri partnerësh dhe aleatësh të ngushtë”, shtoi Blinken, duke thënë se një ligj i Shteteve të Bashkuara parashikon që Uashingtoni mund të vendosë sanksione ndaj kompanive që marrin pjesë në projektin “Nord Stream 2”.

“Nord Stream 2” do të anashkalojë Ukrainën, një aleat perëndimor, duke e privuar atë potencialisht nga tarifat e vlefshme të tranzitit. Ai gjithashtu do të rrisë varësinë e energjisë europiane nga Rusia dhe do të konkurrojë me dërgesat e gazit natyror të lëngshëm të Shteteve të Bashkuara. Rreth 95 për qind e tubacionit është ndërtuar, dhe pritet të përfundojë në shtator, sipas analistëve që e monitorojnë atë./Reuters

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of