Ndërtimi është sektori i tretë me kontributin më të madh në Prodhimin e Brendshëm Bruto, me rreth 9.3% të totalit dhe që ishte në një rritje të ndjeshme së fundmi.
Ndërtimet e hoteleve në zonën e Golemit, më e frekuentuara nga turistët e huaj, po vijojnë normalisht edhe në këto ditë karantine.
Hajredin Fratari, ndërtues, thotë se edhe pse në situatë kaotike, shumë sektorë mund të punojnë normalisht, si p.sh., ndërtimi ku kontaktet janë të pakta me njëri-tjetrin.
“Unë e shikoj situatën jashtëzakonisht të keqe, pasi në një muaj dhe dy do të shikohen edhe efektet. Këta janë disa sektorë ku punëtorët mezi presin rrogën në fund të muajit, siç është edhe ndërtimi, apo call center dhe fasonët”- tha ai.
Sipas tij, qeveria duhet të mbështesë pezullimin e aktiviteteve financiarisht. Tani që mbaron paga që kanë marrë, duhet menduar ku do hanë gjithë këta njerëz.
Fratari është i mendimit se duhet të ishte shpallur gjendja e jashtëzakonshme.
Ndërkohë që edhe rindërtimi është shtyrë pas pranverës, ai tha se duhet menduar edhe për njerëzit që kanë ngelur në çadra prej tërmetit, të cilët kanë nevojë për mbështetje financiare, pasi shumë prej tyre kanë humbur punën apo biznesin.
Qeveria ndërkohë ka hapur së fundmi dy tenderë për rindërtimin e banesave dhe të shkollave.
Ndikimi i virusit te pasuritë e paluajtshme
Aktiviteti i pasurive të paluajtshme kontribuon në 5.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, sipas INSTAT. Edhe pse e cilësojnë se është ende shpejt për të nxjerrë përfundime, apo për të bërë një analizë të plotë, agjencitë e pasurive të paluajtshme parashikojnë një të ardhme të afërt të zymtë në sektorin e patundshmërisë. Si të gjitha bizneset e tjera të fushës së shërbimeve, edhe agjencitë e pasurive të paluajtshme janë mbyllur.
Juliana Nela, brokere në “Remax”, thotë se do të këtë rënie të konsiderueshme. Ajo argumenton se për të marrë vendime të tilla, individët duhet të jenë të qetë nga ana psikologjike dhe situata e krijuar do të shoqërohet me ngarkesë psikologjike tek individët. Gjithashtu ajo thotë se padyshim kjo periudhë distancimi social e individëve do të ketë ndikimin e vet tek ecuria ekonomike, e cila do të shoqërohet me reduktim të ardhurash, si dhe falimentimin e bizneseve të vogla.
Klajdi Memajdini, menaxher shitjesh në agjencinë “Devinf”, tregon se edhe pse ka telefonata dhe interesime për prona, është e pamundur për të çuar individët te prona fizikisht, pra për të bërë një ndërmjetësim (takim) midis ofertës dhe kërkesës, pasi për shkak të virusit njerëzit po shmangin kontaktet e afërta. Për këtë, edhe drejtuesit e “Devinf” kanë vendosur të mos operojnë në këtë periudhë.
Shpresa e tyre është që kjo situatë të mos zgjasë më shumë se 3 prilli, në të kundërt parashikimet e tyre janë tepër pesimiste për zhvillimin e tregut të patundshmërisë.
Memajdini shpjegon se një pjesë e qiradhënësve kanë si burim të vetëm të të ardhurave qiratë që marrin nga pronat që kanë hedhur në tregun imobiliar. Në rast ngërçi pagesash, shumë familje që mbahen nga ky burim të ardhurash do të jenë në vështirësi, duke sjellë blackout në treg. Edhe sikur pronat e tyre të lirohen nga qiramarrësit, do ta kenë të vështirë që t’i japë sërish me qira.
Ndërsa qiradhënësit që kanë burime të tjera të ardhurash do të jenë më fleksibël.
Sipas Memajdinit, nëse kjo situatë zgjat për një kohë të gjatë do të ketë padyshim rishikim të çmimeve, sidomos për njësitë tregtare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.