Prodhimi i Brendshëm Bruto në sektorin e ndërtimit, në vitin 2019, ishte rreth 146 miliardë lekë (1.17 miliardë euro), duke shënuar tkurrje të lehtë për herë të parë që nga 2014, kur ky sektor kishte nisur sërish ciklin rritës.
Pesha e ndërtimit ndaj PBB-së në total u ul me 0.3 pikë përqindje, në 8.7%. Me përjashtim të tremujorit të parë, kontributi i ndërtimit në rritjen ekonomike ishte negativ, duke kulmuar në të katërtin. Kjo ecuri u lidh kryesisht me ngadalësimin e aktivitetit të sipërmarrjeve të lidhura me gazsjellësin TAP, si dhe me tërmetin me pasoja shkatërruese të 26 nëntorit.
Në rënie ishte qarkullimi i disa kompanive të përfshira në projektet industriale në ndërtimin e rrugëve e të tjera. Edhe shpenzimet kapitale të buxhetit u tkurrën me rreth 4.3% me bazë vjetore në vitin 2019.

Ecuri më pozitive kishin sipërmarrjet e përqendruara në sektorin rezidencial, ndonëse ritmet e rritjes janë të ngadalësuara në krahasim me vitin 2017, kur kulmuan shumë prej tyre. Në të njëjtën linjë, me rritje rezultuan shoqëritë që tregtojnë materiale ndërtimi (kryesisht hidrosanitare).

Qarkullimi vjetor i kompanive të ndërtimit, ose të lidhura me to, të renditura në “Monitor 200”, shënoi rënie prej gati 7% me bazë vjetore.
Subjektet e ndërtimit kanë luhatje të mëdha të aktivitetit, në varësi të projekteve inxhinierike ku janë të përfshira, apo të ciklit të shitjes së apartamenteve.
“Alb-Star” kaloi sërish në operatorin e dytë më të madh të ndërtimit në vend. Të ardhurat u rritën me 12.3% në 8.5 miliardë lekë. Kompania është e specializuar në punimet inxhinierike. “Nga analiza e gjendjes dhe performancës financiare të shoqërisë, rezulton se në ushtrimin 2019 është rritur shifra e afarizmit dhe fitimi tregtar”, thuhet në raportin vjetor. Nga dhjetori i vitit 2016, “Alb-Star” është pjesë e grupit holding “Finman”. “Vibtis”, po pjesë e grupit “Finman” me aktivitet në tregti, import-eksport të produkteve industriale (materialeve inerte), ka shënuar rënie me 28% të të ardhurave, në 1.9 miliardë lekë.
“Shijaku”, me aktivitet në tregtimin e materialeve të ndërtimit, është sipërmarrja e dytë më e madhe e ndërtimeve në vend për 2019-n. Të ardhurat e saj ishin rreth 6 miliardë lekë, me zgjerim 2.2% me bazë vjetore. Kompania është zgjeruar vitet e fundit në sektorin e ndërtimit, hotelerisë e HEC-eve. Në raportin vjetor, sipërmarrja parashikon se për vitin 2020, pavarësisht situatës së papërshtatshme ekonomike, si rrjedhojë e pandemisë, shoqëria të qëndrojë në nivelet e vitit të kaluar, duke kompensuar tkurrjen në pjesën e parë të vitit me muajt në vijim.
Turkja “Limak Insaat Sanayi ve Ticaret”, e angazhuar në punimet për HEC-in e Devollit, ka zbritur nga vendi i parë ku ishte vitin e kaluar në renditjen “Monitor 200”, teksa të ardhurat u tkurrën me 64%, në 2.9 miliardë lekë.
“Gjoka Konstruktion” shënoi rënie të aktivitetit, me të ardhurat që u tkurrën me 11%, në 5.9 miliardë lekë.
Në rritje ishin “Salillari” me 10.2%; “Alb Building” me 63%.
Rënie kanë raportuar “Gjikuria” (në ndërtim HEC-esh, banesash e rrugësh), me -37%; “Rafaelo 2002” me -11.4%.
“Fusha sh.p.k.”, raportoi të ardhura 2.9 miliardë lekë, me rritje 21%.
“2T”, në fushën e ndërtimeve, e krijuar që në vitin 2000, me aktivitet në ndërtimin e rrugëve dhe projekte rezidenciale, shënoi rënie prej 17.2% në 1.9 miliardë lekë.
Një tjetër kompani ndërtimi, degë e shoqërisë së huaj kuvajtiane, “Combined Group Contracting Company” (K.S.C.) shënoi rënie me 64% në 1.6 miliardë lekë.
“G.P.G Company”, e krijuar që në vitin 1996, me aktivitet në fushën e ndërtimit të rrugëve e të tjera, ka hyrë sërish në listën e të mëdhenjve në 2019, pas rritjes së qarkullimit vjetor me 28%, në 1.8 miliardë lekë.
“Trema Engineering 2” ka hyrë sërish në renditjen e më të mëdhenjve të ndërtimit, pas trefishimit të qarkullimit vjetor në 2.4 miliardë lekë. Kompania thotë në raportin vjetor se menaxhimi pret që të ketë shtyrje të afatit të kontratave, si rrjedhojë e pandemisë, duke ndikuar në aktivitetin e saj.
Kompania “A.N.K” që ka fituar koncesionin për ndërtimin e rrugës Milot-Balldren, me një kontratë prej 256 milionë eurosh për 17 kilometra rrugë, e shumëdebatuar për vlerën e kripur të saj, nuk figuron në listën e 200 kompanive më të mëdha në vend.
“Joint Venture Dondi Kubota”, që ndërtoi Impiantin e Trajtimit të Ujërave të Zeza të Tiranës, ka dalë fare nga tregu, duke raportuar zero të ardhura në vitin 2019.
Sektori rezidencial
Në vitin 2017, kompanitë e përqendruara në ndërtimin e projekteve rezidenciale përjetuan një lulëzim të vërtetë, me rritje dy apo dhe treshifrore, e nxitur dhe nga shtimi i lejeve të ndërtimit në kryeqytet. Kjo tendencë nuk zgjati shumë. Në vitin 2018, ndërtuesit më të mëdhenj të apartamenteve panë rënie të qarkullimit vjetor, ose stanjacion. Ndërsa në vitin 2019, rritja ka rifilluar për disa, ndonëse jo me ritmet e 2017-s. Të tjera kanë vijuar tkurrjen.
“Mane TCI”, pjesë e grupit “Balfin”, e fokusuar në ndërtim, shënoi rënie me 31% të të ardhurave në 4.3 miliardë lekë. Kompania është e përqendruar tashmë në projektet e turizmit. Grupi është tërhequr së fundmi nga projektet në kryeqytet, për shkak të mbindërtimeve, sipas deklarimeve të mëparshme.
“Edil-Al-It” në 2017, raportoi dyfishim të të ardhurave në 2.1 miliardë lekë. Një vit më pas, qarkullimi vjetor ra me 9.2%. Ndërsa në vitin 2019 iu rikthye rritjes së lehtë me rreth 3%, në 2 miliardë lekë.
“Parc Construction” rriti të ardhurat me 258% në vitin 2017, në gati 1.9 miliardë lekë. Në vitin 2018, kompania pa rënie prej 14.4%. Në vitin 2019, shoqëria ka dalë nga lista e “Monitor 200”, pasi qarkullimi u tkurr me 24% në 1.2 miliardë lekë.
“Alba Construction” kishte pothuajse dyfishim të xhiros në 1.9 miliardë lekë në 2017-n. Një vit më pas, qarkullimi vjetor u reduktua me 6.1%. Në vitin 2019, kompania iu rikthye rritjes, me 15.4%, në gati 2.1 miliardë lekë.
“Agi Kons” ishte një tjetër hyrje e re në vitin 2017, pas rritjes me 23%, në rreth 1.7 miliardë lekë. Në vitin 2018, edhe kjo kompani pa reduktim të aktivitetit, ndonëse me ritme më të ulëta prej -2.5%. Ndërsa në 2019-n iu rikthye rritjes së fortë me 48%, në 2.4 miliardë lekë, sipas të dhënave nga Tatimet.

Përkundrejt tendencës tkurrëse të popullsisë dhe rritjes së ngadaltë të të ardhurave zyrtare, sektori i ndërtimit rezidencial po vijon aktivitetin, sidomos në kryeqytet. Në vitin 2019, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit arriti nivel rekord të dekadës së fundit. Ndonëse kërkesa nuk duket se premton shumë, kompanitë e ndërtimit nuk tërhiqen, sidomos në kryeqytet. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2019, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi ishte rreth 1.5 milionë m2, me një rritje prej 55% në raport me vitin e mëparshëm dhe niveli më i lartë të paktën që nga viti 2012.

Në kryeqytet ka filluar ndërtimi i një sërë kullave, si “Down Town” tek ish 7 Xhuxhat, një kullë me 40 kate. “Book Building” po ndërtohet pas Sahatit dhe sipas lejes zhvillimore, është godinë shumëfunksionale 4, 5, 11 dhe 21 kate. “MET Building Tirana”, pranë Hotel Dajtit, do të jetë një kullë 12-katëshe. “Syri i Tiranës” po ndërtohet në pikëlidhjen mes Rrugës së Kavajës dhe asaj të Durrësit.
Ndërkohë, që në qendër, kanë nisur punën shumë projekte luksoze apo kulla, çmimet e tyre arrijnë deri në 4 mijë euro/m², më të shtrenjtat në rajon.
Prodhimi i çimentos, me rënie
Prodhuesit e çimentos kanë parë stanjacion, ose rënie të të ardhurave edhe në 2019-n, për të dytin vit radhazi.
“Antea Cement” kaloi në prodhuesin më të madh të çimentos në vend. Qarkullimi vjetor ishte 6.7 miliardë lekë, me tkurrje 2.2%.
“Fushë Krujë Cement Factory” raportoi të ardhura 5.8 miliardë lekë, me rënie 13%.
“Colacem Albania” raportoi të ardhura 1.56 miliardë lekë, me rritje të lehtë, por sërish mbeti jashtë listës së të mëdhenjve, për të dytin vit radhazi.
“Elbasan Cement Factory”, sipas Tatimeve, kishte të ardhura prej 1.8 miliardë lekësh, duke hyrë sërish në listën e më të mëdhenjve.
Industria mbështetëse
Rimëkëmbja e kompanive rezidenciale dhe ndërtimet në turizëm kanë ndikuar pozitivisht dhe industrinë mbështetëse.
Më i madhi në treg është “Brunes”, me aktivitet në tregtimin e materialeve të ndërtimit, qeramikë dhe hidrosanitare, që ka parë rritje të të ardhurave me 6%, në 3.2 miliardë lekë.
“DELTA” (tregti pllaka dhe pajisje hidrosanitare), sipas Tatimeve kishte tkurrje të ardhurash me 4%, në 2.3 miliardë lekë.
“Everest”, me aktivitet në prodhimin e profileve të aluminit, raportoi rënie me 14%, në rreth 2 miliardë lekë.
“DAST” (Delta Adhesive Structural Tech) u zgjerua lehtë me 2.4% në 2.1 miliardë lekë.
Prodhuesi i profileve të aluminit, “Alumil”, raportoi të ardhura prej 2 miliardë lekësh, duke shënuar rënie prej 13%.
“Hidrosanitare Sinani” ka vijuar rritje me 6%, në 1.8 miliardë lekë.
“Billa” u rrit me 13%, në 2.3 miliardë lekë. Kompania thotë në raportin vjetor se trendi pozitiv u ruajt si rrjedhojë e zgjerimit të qëndrueshëm, kryesisht në tregun vendas, por edhe në rajon. Sipas raportit, pas fillimit të pandemisë këtë vit, aktiviteti i shoqërisë u reduktua për një periudhë disamujore, gjatë së cilës shoqëria punoi me kapacitet jo të plotë. Kjo pritet të sjellë në periudhën pasardhëse edhe një rënie të shitjeve dhe si pasojë, edhe ulje të rezultatit të shoqërisë, por nuk rrezikon aspak vijimësinë e biznesit. Kohëzgjatja dhe ndikimi i pandemisë COVID-19, si dhe efektiviteti i përgjigjeve të qeverisë dhe Bankës Qendrore, mbetet i paqartë në këtë kohë, theksohet në raport.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.