Ndërtuesit presin rritje të mëtejshme të çmimeve më 2021

07/04/2021 11:00 PM 0 komente

Ndërtuesit shfaqin pritshmëri të lartë për rritjen e mëtejshme të nivelit të çmimeve në tremujorin e parë të këtij viti, sipas një ankete që Banka e Shqipërisë ka bërë te bizneset e sektorit, në lidhje me gjendjen financiare dhe pritshmëritë për punësimin dhe çmimet.

Ndryshe nga të gjithë sektorët e tjerë që shfaqën doza të larta pesimizmi, për shkak të efekteve negative që ka dhënë pandemia gjatë këtij viti në aktivitetet e tyre, sektori i ndërtimit arriti t’i mbijetojë krizës dhe madje u bë shkak për të frenuar rënien e fortë ekonomike të vitit 2020.

Shumica e ndërtuesve që u pyetën nga Banka e Shqipërisë pohuan se çmimet do të rriten më tej gjatë këtij viti. Balanca e përgjigjeve se çmimet do të rriten, në të gjitha bizneset e sektorit ishte 11% më e lartë se përgjigjet e atyre që mendojnë se çmimet nuk do të rriten.

Balanca e pritshmërive se çmimet do të rriten më tej shënoi nivelin më të lartë së paku të dy viteve të fundit.

Treguesi i Besimit në sektorin e Ndërtimit (TBN) u rrit me 8.0 pikë përqindje në tremujorin e parë. Rritja e TBN-së u përcaktua kryesisht nga rritja e balancës së aktivitetit ndërtues me 15.2 pikë përqindje, në një kohë që balanca tjetër formuese e treguesit, kontratat porositëse, shënoi rritje të lehtë me 0.8 pikë përqindje. Midis balancave të tjera, rritje shënuan edhe gjendja financiare, punësimi dhe pritshmëritë për në tremujorin e ardhshëm.

Sektori i ndërtimit pati një kontribut pozitiv në Prodhimin e Brendshëm Bruto të vitit të kaluar. Vetëm në tremujorin e fundit të vitit 2020, vlera e shtuar në ndërtim ishte 18.48% më e lartë se e të njëjtit tremujor të vitit 2019.

Edhe pse në vitin 2020 ekonomia ishte në krizë, si rrjedhojë e kufizimeve që u morën për frenimin e pandemisë Covid-19 sektori i ndërtimit, jo vetëm nuk u prek, por u zgjerua më tej si në drejtim të prodhimit dhe shitjeve gjithashtu, sidomos në gjysmën e dytë të vitit.

Disa nga ndërtuesit kryesorë që janë duke u përgatitur për zbatimin e projekteve të reja për zonat rezidenciale në kryeqytet parashikuan rritjen e çmimeve të apartamenteve për vitin 2021 në disa intervista që “Monitor” mori në fillim të këtij viti. Ndër arsyet kryesore që ata jepnin për ndryshimin e çmimeve të shtëpive është shtimi i kostove nga taksat dhe rritja e cilësisë së ndërtimit.

Lexo edhe këtë: Çmimet e apartamenteve pritet të rriten sërish në 2021

Ndërtuesit parashikuan një rritje të çmimeve me 10% këtë vit, edhe pse treguesit zyrtarë të ekonomisë nuk tregojnë rritje të ardhurave dhe punësimit, përkundrazi ka përkeqësim./ B.Hoxha

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of