Hajredin Fratari, një nga ndërtuesit e hershëm shqiptarë, i cili e zhvillon këtë sipërmarrje edhe në Itali, kujton se kur ndodhi tërmeti në Aquila në vitin 2009, ku humbën jetën 309 persona, shteti italian nxori një urdhër sipas të cilit për të gjitha ndërtimet, do të duhej të rritej me një shkallë niveli i sigurisë ndaj tërmeteve. Kjo kërkon që të rritet sasia e hekurit dhe e betonit që përdoret.
Në Shqipëri, ai thotë se gjatë viteve të fundit, ndërtimet janë cilësore dhe se të paktën në Tiranë, ato janë të tilla që mund të përballojnë tërmete deri në 7-8 gradë për shkallën Rihter, për apartamentet dhe deri në 6 gradë për vilat.
Sipas tij, duhet të rriten kontrollet në ndërtime, për të siguruar që zbatohen siç duhet standardet dhe nuk abuzohet me materialet, siç janë hekuri dhe betoni. E këtu rol kanë edhe institucionet shtetërore që duhet të kërkojnë rigorozisht realizimin e analizave për pjesët e ndryshme të ndërtimeve. Ndërtuesi Fratari thotë se Tirana është një qytet më i sigurt për shkak se shtresat e nëntokës janë më shumë me përbërje qymyri dhe kjo amortizon lëkundjet.
Ndërsa, sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Ndërtuesve, Maksim Muçi, thotë se ndërtimet në Tiranë janë të sigurta, por duke hapur një parantezë që ka të bëjë me kushtet e zbatimit dhe fazat që kalon projektimi. Rol të rëndësishëm ka edhe materiali i ndërtimit që përdoret për realizimin e këtyre objekteve. Hekuri, thotë ai, është cilësor, pasi një pjesë e mirë vjen nga vende si Italia apo Greqia që janë zona sizmike e ku rregullat janë rigoroze. Nga ana tjetër, niveli i lartë i ndërtimeve ka diktuar edhe rritje të standardeve si një përgjigje për konkurrencën.
Por, drejtuesi i Shoqatës së Ndërtuesve ngre shqetësimin se duhet të rishikohen standardet pasi janë ende në fuqi ato të vitit 1989. “Kemi mbi 15 vjet që e kërkojmë një gjë të tillë, por asgjë nuk është bërë. Ndërtimet duhet të zbatojnë standardin e Euro Kod 8. Vetëm Anglisë, për ta vënë në zbatim këtë standard, iu deshën rreth gjashtë vjet”, thotë z. Muçi.
Rishikimi standardeve
Drejtuesi i Shoqatës së Ndërtuesve ngre shqetësimin se duhet të rishikohen standardet pasi janë ende në fuqi ato të vitit 1989. “Kemi mbi 15 vjet që e kërkojmë një gjë të tillë, por asgjë nuk është bërë. Ndërtimet duhet të zbatojnë standardin e Euro Kod 8. Vetëm Anglisë, për ta vënë në zbatim këtë standard, iu deshën rreth gjashtë vjet”, thotë z. Muçi.
Shoqëritë e sigurimeve: Kultura tepër e ulët; rreziku i madh
Kultura e shqiptarëve për t’u siguruar nga fatkeqësitë natyrore, ku bëjnë pjesë edhe tërmetet është tejet e ulët. Shoqëritë e sigurimeve thonë se ka një kërkesë të dobët për këtë lloj produkti. Për veç mungesës së kulturës, ato e lidhin këtë edhe me handikapin që ka legjislacioni. Edhe pse është një draft që parashikon nxitjen e këtyre produkteve ai ende nuk ka marrë formë ligjore.
Sipas të dhënave të AMF-së për periudhën janar-korrik 2016, primet e sigurimit nga zjarri dhe forcat e natyrës u llogaritën në rreth 834 milionë lekë ose rreth 12% më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë. Kjo shifër e uli në 11.2% peshën e kësaj klase ndaj totalit të sigurimeve të Jo-Jetës. Po sipas të dhënave të AMF-së për këtë periudhë, dëmet e paguara nga shoqëritë e sigurimeve për mbrojtjen nga zjarri dhe forcat e natyrës u llogaritën në rreth 239 milionë lekë me rritje modeste në rreth 1.4%.
Gjatë vitit 2015, në kuadër të përmbushjes së rekomandimeve të programit të vlerësimit të sektorit financiar (FSAP) dhe me mbështetjen e Bankës Botërore, nëpërmjet First Initiative (Financial Sector Reform and Strengthening Initiative) AMF ka punuar për zbatimin e projektit të asistencës teknike për reformën e tregut të sigurimeve.
Projekti ka një kohëzgjatje prej 24 muajsh, e cila është kërkuar të zgjatet nga Banka Botërore deri në fund të muajit mars 2017, dhe përmban tre komponentë kryesorë të cilat janë:
– Sigurimi i produktit MTPL
– Mbikëqyrja e sigurimeve të përgjithshme
– Programi kombëtar i sigurimit nga tërmetet.
Përmes programit kombëtar të sigurimit nga tërmetet. Në këtë komponent synohet plotësimi i bazës ligjore dhe rregullatore me elementet e sigurimit nga tërmeti dhe përmbytja. Në bashkëpunim me Bankën Botërore, pritet të vijojë puna së bashku me palët e tjera të interesit për hartimin e këtij ligji.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.