Ndikimi i krizës Covid-19 në kreditë dhe depozitat në Bullgari

08/01/2021 10:16 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Viti 2020 nuk ishte pozitiv në aspektin ekonomik, por për fat të mirë, kriza e provokuar nga pandemia Covid-19 nuk arriti shkallën e krizës financiare botërore të periudhës 2008-2009. Bankat në të gjithë globin dhe në Bullgari hynë në krizë me pozicione të mira likuiditeti, gjë që e lejoi sistemin të funksionojë si një sektor strategjik i cili vazhdoi të operonte me shpejtësi të plotë.

Për shkak të pasojave ekonomike të Covid-19, Banka Kombëtare Bullgare (BNB) vendosi një moratorium në pagesat e kredive me vlerë rreth 4,5 miliardë euro. Kjo u ka dhënë hapësirë klientëve, por ka çuar në uljen e fitimeve të bankave – në fillim të tetorit, ato kishin rezultate pozitive, por fitimet ishin 45% më të ulëta në krahasim me vitin 2019.

Nga mesi i verës, huadhënia kishte rifilluar, normat e interesit mbetën të pandryshuara dhe kërkesa për kredinë hipotekore u kthye në nivelet e para krizës. Sipas të dhënave të BNB, që nga tetori, kreditë konsumatore dhe ato të strehimit u rritën me 7.1%. Me fjalë të tjera, parashikimet e një rënieje të mprehtë të kërkesës për hua të shkaktuar nga pandemia, nuk u bënë realitet. Për sa u përket depozitave – në fund të tetorit, ato të familjeve bullgare arritën gati 58.87 miliardë BGN, çka tregon një rritje prej 8.6% të kursimeve, krahasuar me vitin e kaluar.

Pavarësisht nga nevojat, kompanitë janë bërë gjithashtu shumë më të kujdesshme kur marrin borxhe të reja. Kjo shpjegon parashikimet e BNB-së për një rritje simbolike të huadhënies së korporatave këtë vit. Banka Bullgare e Zhvillimit / BDB / është një përjashtim.

Me miratimin e masave emergjente në mars, BDB mori leje nga qeveria për të ngritur dy programe antikrizë për të mbështetur individët, puna e të cilëve u ndal për shkak të pandemisë, si dhe një tjetër për të mbështetur bizneset. Në një intervistë për Radio Bulgaria, kryeekonomisti i bankës shtetërore, Iliya Lingorski, foli rreth qëllimeve të tyre dhe përparimit që kanë bërë deri tani.

Sipas tij, huatë u japin një frymë të freskët si bizneseve, ashtu edhe njerëzve, të ardhurat e të cilëve janë cenuar nga masat anti-epidemike. Sipas këtyre programeve, BDB garanton deri në 80% të vlerës së kredive dhe bankat tregtare vendosin të arrijnë klientët në të gjithë vendin.

Fondet e marra nga mbi 1.000 kompani që kërkuan ndihmë në kuadër të programit të dytë të bankës lidhur me biznesin, kapin gjithsej shifrën 136 milionë BGN. Partnerët e BDB janë 8 banka tregtare në vend:

“Kompanitë që kemi ndihmuar, operojnë në të gjitha fushat e ekonomisë. Përparësi për ne ishin ato në sektorët më të prekur – tregtia, turizmi, transporti dhe prodhimi. Ne morëm leje nga Këshilli i Ministrave dhe Komisioni Europian, për të zgjeruar fushën e programit në mënyrë që Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme, të mund të përfitojnë nga kreditë më vlerë deri në 1 milion BGN. Periudha në të cilën ato mund të aplikojnë për këtë ndihmë, është zgjatur deri në fund të qershorit 2021. 60% e programit do të jetë në dispozicion për ato”.

Zgjerimi gjithashtu i lejon prodhuesit dhe ndërmarrjet e mëdha që sigurojnë punësim për rajone të tëra, të marrin hua të garantuara nga BDB, deri në shumën 2 milionë BGN. Të dhënat e programit në lidhje me individët, tregojnë se ai ka siguruar hua për 23,000 njerëz. Cili është bilanci i punës së BDB-së në dy programet?

“Efekti sasior shprehet në likuiditet me vlerë mbi 235 milionë BGN ofruar në muajt e fundit”, thotë Iliya Lingorski. “Efekti i përgjithshëm i masave të zbatuara nga qeveria përmes BDB-së, mund të gjurmohet lehtësisht nga dinamika e punësimit. Në këtë vend, papunësia nuk u rrit ndjeshëm, siç pritej në pranverë, gjë që tregon se masat fiskale dhe të likuiditetit, kanë pasur një efekt pozitiv”.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of