Që nga marsi i vitit 2020, disa shtete në Europë kanë marrë një sërë masash kufizuese për të parandaluar përhapjen e COVID-19. Kjo ka ndikuar ndjeshëm në sektorin e udhëtimeve, përfshirë ato me tren.
Përveç një rikuperimi të lehtë në tremujorin e tretë të vitit 2020, numri i pasagjerëve që udhëtojnë me tren u ul më tej në tremujorin e katërt të vitit 2020 në të gjitha Shtetet Anëtare të BE-së.
Në tremujorin e katërt të vitit 2020, uljet më të mëdha të numrit të pasagjerëve në transportin hekurudhor u vunë re në Irlandë (-74% krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2019, -9,5 milionë pasagjerë) dhe Greqi (-68%, -3,8 milionë pasagjerë), ndjekur nga Italia (-61%, -144,9 milionë pasagjerë), Holanda (-61%, -62,0 milionë pasagjerë), Sllovakia (-54%, -11,2 milionë pasagjerë), Sllovenia (-53%, -1.9 milionë pasagjerë) dhe Polonia (-51%, -44.8 milionë pasagjerë).
Pandemia pati më pak ndikim në transportin hekurudhor të pasagjerëve në të njëjtin tremujor në Bullgari (-22% krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2019, -1.1 milionë pasagjerë) dhe Estoni (-29%, -0.6 milionë pasagjerë).
Kur merret parasysh edhe gjatësia e udhëtimeve të pasagjerëve (në pasagjerë/kilometra), uljet krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2019 ishin përgjithësisht pak më të larta se uljet në numrin e pasagjerëve, pasi midis masave parandaluese, udhëtimet në distanca të gjata ose udhëtimet që nuk bëheshin për arsye madhore, nuk rekomandoheshin në atë kohë.
Në tremujorin e katërt të vitit 2020, uljet në numrin e pasagjerëve për kilometra ishin më të larta në Irlandë (-76%) dhe Greqi (-72%), ndjekur nga Italia (-69%), Sllovakia (-66%) dhe Spanja (-65%). / Eurostat