Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka nxjerrë për konsultim publik disa ndryshime të ndërmarra në rregulloren “Për vlerësimin e përshtatshmërisë së klientit”, hartuar në zbatim të ligjit për tregjet e kapitalit.
Ndryshimet janë bërë pas sugjerimeve të ekspertëve të huaj, të cilët në kuadër të një projekti të mbështetur nga Banka Botërore, po asistojnë AMF-në në plotësimin e kuadrit ligjor përmes hartimit të të gjithë akteve nënligjore, në zbatim të ligjit për tregjet e kapitalit.
Sipas njoftimit zyrtar, ndryshimet e propozuara në rregullore rrisin kërkesat për vlerësimin e përshtatshmërisë së klientit, proces i cili realizohet përmes pyetësorëve në anekset e rregullores së hartuar nga Autoriteti, duke rritur kështu ndërgjegjësimin e investitorit, si edhe mbrojtjen e tij.
Shoqëritë komisionere/bankat që ofrojnë shërbime investimi nëpërmjet testit të përshtatshmërisë vlerësojnë kuptueshmërinë e investitorit për instrumentet financiare, përpara se investitori të marrë vendim për të investuar në instrumente që janë me risk, ose të papërshtatshëm për shkak të njohurive të tij të pamjaftueshme.
Kur shoqëria ofron shërbime investimi që konsistojnë në marrjen, transmetimin dhe/ose ekzekutimin e urdhërave për llogari të klientëve joprofesionistë, përshtatshmëria e klientit do mbështetet në njohuritë dhe eksperiencën e tij në fushën e investimeve për instrumentin apo shërbimin e ofruar.
Në bazë të vlerësimit të informacionit të marrë nga klienti, nëpërmjet pyetësorit, shoqëria vlerëson nëse instrumenti apo shërbimi është ose jo i përshtatshëm për këtë klient.
Ndryshimet e rregullores konsistojnë kryesisht në hartimin e një testi të plotë, i cili përmban gjithë elementët e nevojshëm për kryerjen e një vlerësimi të drejtë të përshtatshmërisë së klientit, në rastin kur shoqëria komisionere/banka, ofron shërbimin e marrjes, transmetimit dhe ekzekutimit të urdhrave të klientit, test i cili është pjesë e Aneksin 2 të rregullores.
Këto ndryshime marrin rëndësi të veçantë për mbrojtjen e klientit joprofesionist, në rast se ky i fundit dëshiron të investojë në obligacione të ofruara përmes ofertës private.
Tregu i obligacioneve me ofertë private është një prej segmenteve aktualisht më të zhvilluara në tregun shqiptar të kapitaleve, me një tendencë gjithnjë e në rritje. Në këto kushte, shoqëria emetuese e obligacioneve me ofertë private, që konsiderohen si instrument kompleks (obligacione të nënrenditura-borxh i varur) duhet të zbatojë testin e ri të prezantuar në ndryshimet e rregullores, me qëllim që investitori të marrë vendime të mirëinformuara dhe të sigurohet se ai e njeh riskun që paraqesin këto lloj instrumentesh financiare.
Së fundmi rregullorja e Bankës së Shqipërisë saktëson se shitja e instrumenteve të borxhit të pranuar nga bankat te klientët joprofesionistë duhet të kryhet në përputhje me kërkesat e ligjit “Për tregjet e kapitalit”, sipas testit të përshtatshmërisë të përcaktuar në rregulloren e miratuar nga AMF në zbatim të tij.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.