Ndryshime të vazhdueshme në politikën italiane

31/08/2019 10:05 PM 0 komente

Asgjë nuk mund të parashikohet me saktësi për të

 

Dy nga Kryeministrat e fundit të Italisë, Silvio Berlusconi dhe Matteo Renzi, u përballën me vështirësi pikërisht në momentin kur shumë mendonin se ata mund të bënin gjithçka që dëshironin. (Renzi dëshironte të ndryshonte Kushtetutën, ndërsa Berlusconi t’i jepte jetë një partie jo të zakonshme).

Tani Matteo Salvini, drejtuesi i Ligës populiste të Veriut, dëshiron të “heqë qafe” partnerët e tij të koalicionit të Lëvizjes anti-establishment, Pesë Yjet (M5S), të rrëzojë qeverinë që drejtohet nga i pavaruri Giuseppe Conte, dhe ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme për t’i dhënë vetes ato që ai vetë i ka cilësuar si “kompetenca të plota”. Ndër të tjera, kjo do t’i mundësonte atij vendosjen e një buxheti rrënjësisht ekspansionist për vitin 2020.

Z. Salvini pretendon se një “tronditje fiskale” është e nevojshme për t’i dhënë një shkundje të fortë ekonomisë italiane e cila duket se ka rënë në një letargji të thellë. Kritikët kanë frikë se kjo gjw, së bashku me nivelin e borxhit në mbi 130% të PBB-së, mund ta çojë vendin në një krizë të re financiare, së bashku edhe me pjesën tjetër të Eurozonës. Më 9 gusht, Liga e Veriut paraqiti një mocion mosbesimi për z. Conte. Megjithatë, as zëvendëskryeministri Salvini dhe as ministrat e tij të kabinetit qeveritar nuk u tërhoqën, një veprim i cili u konsiderua shumë kontradiktor. Disa ditë më vonë, z. Conte u thirr në Parlament për të shpjeguar një krizë për të cilën ai nuk ishte aspak përgjegjës. Situata u përkeqësua në momentin
kur Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte dha dorëheqjen.

 

Dorëheqja e z. Conte përshkallëzon krizën politike në Itali

Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, ka filluar konsultimet me partitë politike në vend, me shpresën se do të gjejë një mazhorancë për një qeveri të re. Vendi u zhyt në një krizë të re politike, pasi Kryeministri Giuseppe Conte dha dorëheqjen, duke u larguar nga kreu i koalicionit qeverisës, që bashkoi partinë e qendrës së djathtë “Liga e Veriut” me Lëvizjen Pesë Yjet. Tensionet ndërmjet dy partive kanë qenë të shumta, edhe pse ato ranë dakord për t’u bashkuar me njëra-tjetrën për të qeverisur vendin. Nëse nuk arrihet krijimi i një qeverie të re, e cila do të ishte e 67-ta që prej Luftës së Dytë Botërore, vendi do të shkonte në zgjedhje të parakohshme.

 

Conte sulmon Salvinin për “vendosjen interesave personale përpara Italisë”

Në fjalimin që ai mbajti në Parlament pasi dhe dorëheqjen, z. Conte e sulmoi Salvinin, duke e cilësuar atë personin përgjegjës për fundosjen e koalicionit dhe për problemet e shumta si ekonomike ashtu edhe sociale që po i krijonte vendit, vetëm e vetëm që ai të përmbushte interesat personale dhe politike.

“Kur një forcë politike dëshiron të përmbushë vetëm interesat e saj, ajo vë në rrezik interesin kombëtar”, shtoi z. Conte. Mënyra në të cilën veproi Salvini, thekson mbi të gjitha një mungesë të theksuar të kulturës institucionale. Dhe, kur një forcë politike paraqet një mocion mosbesimi në qeveri dhe nuk tërheq ministrat e saj është gjithashtu një veprim kontradiktor, tha ai më tej. “Kushdo që mban përgjegjësi politike, nuk duhet të shfrytëzojë simbolet fetare, duke fyer adhuruesit e një besimi të caktuar dhe duke hedhur poshtë parimin e sekularizmit në një shtet modern”, tha në fund Conte.

 

Salvini kundërpërgjigjet: “Do të veproja sërish në të njëjtën mënyrë”

“Do të veproja sërish në të njëjtën mënyrë dhe do të bëja sërish gjithçka ashtu siç e kam bërë, me forcën e një njeriu të lirë që nuk i druhet gjykimit të italianëve. Ata që kanë frikë nga gjykimi i popullit italian nuk janë të lirë. Ky është edhe thelbi i demokracisë. Fyerjet e Conte-s duken njësoj si ato të Roberto Savianos apo Matteo Renzit”, tha z. Salvini.

Salvini shtoi se një shtet demokratik funksionon në mënyrën më të mirë kur merr në konsideratë mendimin e sovranit, popullit të tij. TVSH-ja nuk do të rritet nëse deri në nëntor krijohet një qeveri e re, e cila do të votohet në tetor. Ai iu drejtua më pas Partisë Lëvizja Pesë Yjet, duke e akuzuar atë se kishte komplotuar kundër tij, që të qeverisnin së bashku me Partinë Demokratike, duke e nxjerrë jashtë loje Ligën e Veriut.
“Kjo qeveri nuk mund të vazhdojë më tej, sepse sjellja e politikanëve të Lëvizjes Pesë Yjet duke thënë ‘jo’ për çdo vendim të mundshëm, nuk është ajo e duhura”, përfundoi Salvini.

 

Çfarë do të ndodhë tani që Conte dha dorëheqjen?

Silvia Sciorilla Borrelli, korrespondente e Romës për Politico, tha për Euronews pesë skenarët e mundshëm:

1. Qeveria “Ursula”
Qeveria “Ursula” (sipas emrit të Ursula von der Leyen) presidentes së zgjedhur të Komisionit Europian, do të ishte një qeveri qendrore e drejtuar nga Romano Prodi dhe që do të përfshinte Partinë Demokratike, Forza Italia dhe Lëvizjen Pesë Yjet, pikërisht edhe të njëjtat parti që luajtën një rol vendimtar në zgjedhjen e znj. Von Der Leyen në krye të KE-së. Por sfida kryesore e një qeverie të tillë do të ishte lufta ndërmjet Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Pesë Yjet, e cila do të çonte në një forcim të Ligës.

2. Partia Demokratike dhe Lëvizja Pesë Yjet
Partia Demokratike dhe Lëvizja Pesë Yje. Një ndër Kryeministrat e mundshëm mund të jetë edhe anëtari i Lëvizjes Pesë Yjet, njëkohësisht edhe presidenti aktual i Dhomës së Deputetëve, z. Fico. Problemet e një zgjedhjes në fjalë: Cili do të ishte roli i Renzi në këtë qeveri të re? Dhe sa do të ishte kohëzgjatja e saj?

3. Një qeveri e unitetit kombëtar
Ajo do të drejtohet me siguri ose nga Presidenti i njërës prej dy Dhomave të Parlamentit, z. Fico ose nga presidentja e Senatit, znj. Casellati, të cilët do të përpiqeshin për të nxitur reformat ekonomike dhe për të stabilizuar vendin.
Por kush do ta mbështeste këtë qeveri?

4. Teknokratët
Të udhëhequr nga Conte, Raffaele Cantone (ish-prokuror dhe kreu i njësisë antikorrupsion) ose Enrico Letta (ish-kryeministri i Italisë) ata do të fokusoheshin kryesisht në buxhetin e Italisë.

5. Zgjedhje të parakohshme, nëse asnjëra nga mundësitë e mësipërme nuk merr mazhorancën e mjaftueshme
Fundi i Salvinit?
Për znj. Borrellin e Politico, është Salvini ai që mund të përfundojë si humbësi më i madh në rast se kjo qeveri rrëzohet. “Italia asnjëherë nuk ka pasur një krizë qeveritare në mes të verës. Mundësitë janë shumë të pakta që Sergio Mattarella, Presidenti i Italisë, t’i çojë italianët përsëri në votime në mes të bisedimeve të ndërlikuara me Brukselin mbi buxhetin e vendit.

“Le të shpresojmë se Lëvizja Pesë Yjet dhe Partia Demokratike të ketë sukses në bashkëpunimin e tyre të mundshëm qeveritar dhe që Matteo Salvini, nga shpresa për t’u bërë Kryeministër të hiqet fare nga qeveria”, tha në fund znj. Borreli.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of