Flet Emil Georgakiev, Drejtor Ekzekutiv i ONE Telecommunications
2019-a dhe 2020-a janë vitet e ndryshimeve të mëdha të “One Telecommunication”, (ish-Telekom Albania).
Operatori i telefonisë celulare arriti të përmirësonte ndjeshëm rezultatet e saj financiare në vitin 2019, periudhë që u shoqërua dhe me ndryshimin e pronësisë, nga grupi grek OTE – i cili është në pronësi të rrjetit gjerman të telekomunikacionit, “Deutsche Telecom” – dhe zotëronte 99.79% të aksioneve të “Telekom Albania”, te sipërmarrja bullgaro-shqiptare “Albania Telecom Invest AD”.
Emil Georgakiev, Drejtor Ekzekutiv i ONE Telecommunications, pohon se menaxhimi i ri është angazhuar që të investojë 92 milionë euro në rrjet dhe sistemet e TI-së, dhe aktualisht po vazhdon implementimi i këtyre planeve.
Z. Georgakiev shton se, së shpejti, do të ketë një ndryshim të aksionerëve të kompanisë dhe aksioneve që ata zotërojnë. Elvin Guri do të jetë aksioneri kryesor i kompanisë me rreth 54% të aksioneve. Pjesa tjetër do të zotërohet nga aksioneri i ri, Atanas Dobrev, një emër shumë i njohur në fushën e telekomunikacionit në Bullgari dhe në rajon.
Si ka qenë ecuria e kompanisë gjatë vitit 2019?
Kemi arritur të ruajmë një performancë të mirë gjatë këtij viti, pavarësisht nga kushtet sfiduese të tregut. Arritëm të ruajmë të ardhura në nivel të njëjtë me vitin 2018, edhe pse ka pasur rënie drastike të të ardhurave nga thirrjet ndërkombëtare.
Për këtë, kemi zhvilluar linja të reja të ardhurash në kompani, të cilat kanë ndihmuar në zvogëlimin e impaktit negativ nga mungesa e të ardhurave nga thirrjet ndërkombëtare. Arritëm gjithashtu që të rrisim EBITDA-n nga 3.749.000 euro në vitin 2018, në 18.614.000 euro, dhe mendoj se ky është një rezultat mbresëlënës.
Pas dy viteve me humbje të mëdha (2017-2018), kompania ka rezultuar me fitim në vitin 2019. Si e shpjegoni performancën negative dhe rikthimin me rezultat pozitiv?
2017-2018 ishte një vit shumë i vështirë për të gjithë operatorët, jo vetëm për ONE. Tregu shqiptar nuk ka hapësirë për katër operatorë, dhe ky ka qenë problemi i asaj periudhe. Me qëllim që t’ia dilnin, operatorët shkuan shumë larg në luftën e çmimeve, duke shitur shpesh edhe produkte nën kosto. Kjo rezultoi në një situatë aspak të shëndetshme, si për operatorët edhe për klientët, të cilët panë përkeqësim të shërbimit. Në fund të vitit 2018, tregu filloi të rigjenerohet dhe të rikthehet në normalitet.
Së bashku me rigjenerimin e tregut, ne morëm një sërë masash brenda kompanisë dhe rritëm shitjet me pakicë me 3.2%. Gjithashtu, gjatë kësaj kohe kemi zbatuar një sistem shumë eficient për kontrollin e kostove. Të gjithë këta faktorë çuan në një rezultat pozitiv në vitin 2019.
Çfarë ka ndryshuar në filozofinë e menaxhimit dhe investimeve të kompanisë, pas ndryshimit të pronësisë?
Që në fillim, ne jemi përpjekur të jemi sa më transparentë me punonjësit tanë. Për këtë qëllim, krijuam struktura raportimi horizontale dhe përshpejtuam procesin e vendimmarrjes. Emëruam njerëzit e duhur në pozicionet e duhura të punës, dhe kemi filluar të shpërblejmë performancën e mirë, por edhe të kemi zero tolerancë kur nuk arrihet kjo performancë.
Gjithashtu, jemi angazhuar që të investojmë 92 milionë euro në rrjet dhe sistemet e TI-së, dhe aktualisht po vazhdon implementimi i këtyre planeve. Praktikisht, jemi duke ndryshuar gjithçka në rrjet dhe Teknologjinë e Informacionit. Ne besojmë se cilësia është ajo që bën dallimin, ndaj synojmë që të kemi rrjetin dhe TI-në më të mirë në treg.
Si ka qenë ecuria e kompanisë deri më tani, sa është prekur aktiviteti juaj nga pandemia e Covid-19?
Problemi më madhor ka qenë situata e paparashikueshme. Rregullat ndryshonin pothuajse çdo ditë, dhe kjo i bëri klientët disi më të matur në sjelljen e tyre ndaj blerjeve. Por jam i gëzuar që, pavarësisht situatës së vështirë, ia kemi dalë të përshtatemi në këtë mjedis të ndryshueshëm dhe t’u shërbejmë si duhet klientëve tanë.
Sa ka ndikuar pandemia në planet tuaja për investime?
Përveçse një muaj vonesë, për shkak të mbylljes gjatë karantinës, asnjë ndryshim tjetër. Vijojmë normalisht me planet tona.
Ju keni vendosur të ndryshoni emrin e brandit. Pse dhe si do ta marketoni emrin e ri të kompanisë?
Ne nuk po ndryshojmë vetëm emrin. Po ndryshojmë shumë më tepër. Po ndryshojmë qasjen ndaj klientëve tanë, sjelljen tonë në treg, dhe vlerat e kompanisë, të cilat do të udhëheqin të gjithë veprimtarinë tonë këtej e tutje. Arsyeja kryesore për këto ndryshime është kërkesa e klientëve. Ata kërkojnë qasje të ndryshme në dyqane, shërbime dhe plane tarifore ndryshe, si dhe shërbim e cilësi ndryshe.
Prandaj, këto do të jenë shtyllat për markën tonë të re: rrjeti më i mirë, plane të reja me internet pa limit, gamë të zgjeruar telefonash inteligjentë dhe aksesorë me çmime shumë të mira, rrjet dyqanesh të rimodeluara dhe një përvojë të përmirësuar për klientët.
Nga tre operatorët celularë, kompania juaj është e vetmja që nuk ka investuar në rrjetin e telefonisë fikse e kabllore. A keni në plan të bëni një investim të tillë?
Për momentin, nuk e kemi këtë plan. Ne besojmë që mund të ofrojmë produkte të mira interneti në shtëpi për shqiptarët, nëpërmjet rrjetit të telefonisë së lëvizshme, prandaj do të prezantojmë produktin tonë Home Net. Një produkt i cili fillon të funksionojë menjëherë në momentin e blerjes dhe pa kabllo. Pra, klientëve nuk do t’ju duhet më që të presin teknikun për ta instaluar shërbimin.
Si e vlerësoni ecurinë e tregut të komunikimeve elektronike në vend?
Në krahasim me rajonin, Shqipëria mbetet pak mbrapa në cilësinë e shërbimit dhe përdorimin e internetit. Përdorimi i telefonave inteligjentë nuk është gjithashtu në nivelet e dëshiruara. Për këtë arsye, mendoj se u detyrohemi shqiptarëve më shumë internet dhe një shërbim më të mirë, për këtë kemi përmirësuar rrjetin tonë dhe po sjellim në treg planet tarifore pa limit.
Si do ta vlerësonit mjedisin e të bërit biznes në Shqipëri?
Mjedisi ekonomik në Shqipëri nuk ndryshon shumë nga ai i vendeve të tjera të rajonit, me të mirat dhe të këqijat e veta nga pikëpamja e operatorëve. Përderisa ne jemi shumë të lidhur me teknologjinë dhe ajo zhvillohet shumë shpejt, për disa gjëra na duhet të mendojmë që tani për të ardhmen.
A kanë në plan investitorët e rinj të diversifikohen më tej në Shqipëri, dhe cilët sektorë shihen me më shumë potencial?
Së shpejti, do të ketë një ndryshim të aksionerëve të kompanisë dhe aksioneve që ata zotërojnë. Elvin Guri do të jetë aksioneri kryesor i kompanisë me rreth 54% të aksioneve. Pjesa tjetër do të zotërohet nga aksioneri i ri Atanas Dobrev, një emër shumë i njohur në fushën e telekomunikacionit në Bullgari dhe në rajon.
Ky ndryshim forcon fokusin e kompanisë në industrinë e telekomunikacionit, si dhe objektivat tona për t’u zgjeruar më tej në rajon dhe krijimit të një kompanie lider në rajon, por me rrënjë shqiptare. Kjo është dhe një garanci për interesat afatgjata të pronarëve në vend.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.