Ndryshime të reja priten të miratohen së shpejti në Parlament, që lidhen me aktivitetin e detarëve në Republikën e Shqipërisë. Specifikisht, disa ndryshime në ligjin për shërbimin e detarëve, do të sjellë një kontroll më të detajuar të certifikatave të kopentencës për ushtrimin e këtij profesioni, duke parandaluar çdo mundësi mashtrimi.
Nga ana tjetër, do të rishikohen orët e punës së kësaj kategorie që shërben në det në hapur, si dhe do vendosen baza për standardet e përshtatshmërisë mjekësore për detarët.
Objektivat që synohen të arrihen nëpërmjet këtij projektligji janë, si më poshtë vijon:
−Përmirësimi i masave për të parandaluar praktikat mashtruese që lidhen me dhënien e certifikatave të kompetencës dhe për të forcuar procesin e vlerësimit;
−Rishikimi i kërkesave për orët e punës e të pushimit dhe kërkesat e reja për parandalimin e abuzimit me drogën e alkoolin, si dhe standardet e përditësuara në lidhje me standardet e përshtatshmërisë mjekësore për detarët;
−Kërkesa të reja të certifikimit për detarët;
−Kërkesa të reja në lidhje me trajnimin në teknologjinë moderne, siç janë tabelat elektronike dhe sistemet e informacionit (ECDIS);
−Kërkesa të reja për trajnimin e paralajmërimin për ndotjen ndaj mjedisit detar dhe trajnimin e drejtuesve e punës në grup;
−Kërkesa të reja të trajnimit dhe certifikimit për oficerët elektroteknikë;
−Përditësimi i kërkesave të kompetencës për personelin që shërben në të gjitha llojet e cisternave, duke përfshirë kërkesat e reja për personelin që shërben në cisternat me gaz të lëngët;
−Kërkesa të reja për trajnimin e sigurisë, si dhe dispozita për të siguruar se detarët janë të trajnuar siç duhet për të përballuar nëse anija e tyre bie nën sulmin e piratëve;
−Futja e metodologjisë së trajnimit modern duke përfshirë mësimin në distancë dhe trajnimin në internet;
−Udhëzime të reja trajnimi për personelin që vepron në sistemin pozicionues dinamik.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.