Flet Rigers Bakiu, përgjegjës i Departamentit të Akuakulturës dhe Peshkimit, UBT
Shqipëria është një vend që te peshkimi dhe akuakultura ka potencial për rritje dhe për aq kohë sa nuk ka arritur maksimumin, efektet e ndryshimeve klimatike në këta sektorë do të mbeten të paevidentueshëm. Prof. Asoc. Dr Rigers Bakiu, përgjegjës i Departamentit të Akuakulturës dhe Peshkimit në Universitetin Bujqësor të Tiranës, shprehet se ato që kërcënohen realisht nga ndryshimet klimatike janë lagunat, të cilat Shqipëria i ka me shumicë.
Prania e tyre është shumë e rëndësishme për jetën në det, për aq kohë sa ato shërbejnë si vende për riprodhimin e peshqve. Rritja e kripësisë në to padyshim që pritet të ketë një lloj efekti. Ndërkohë që rritja e temperaturave në det mund të favorizojë disa specie dhe të dekurajojë të tjera, siç është për shembull levreku.
Ndryshimet klimatike janë trajtuar gjithmonë si një nocion abstrakt që nuk do të ndodhte kurrë, por efektet kane nisur të ndihen. A po manifestohen këto ndryshime në Shqipëri në sektorin e akuakulturës dhe atë të peshkimit dhe si?
Ndikimet e ndryshimeve klimatike në sektorin e peshkimit dhe akuakulturës janë më të dukshme në vende të zhvilluara me ekonomi të konsoliduara. Ne jemi vend në zhvillim dhe normalisht, edhe potencialet tona të fokusuara në këta sektorë janë ende në zhvillim, ndaj nuk kemi një manifestim të efekteve, sikurse bie fjala në Greqi. Por mund të themi disa dukuri që janë të pritshme. Për shembull, për ta bërë më të thjeshtë. Në ujërat tona mundet, pas 10 vitesh, që të mos gjesh levrekun që preferon potencialisht të rritet në ujëra të ftohta. Rritja e temperaturave nuk e favorizon ndaj mund të pritet një efekt potencial.
Në tërësi, sa u përket peshqve, ngrohja globale nuk do të ketë efekte në dobi të rritjes së bollshmërisë sikurse ndodh me kallamarin, oktapodin, sepjen. Edhe më e ulët do të jetë prodhimtaria sa u takon krustacëve bivalvorë apo midhjet e ostrikat, siç i njohim ndryshe.
Me rritjen e temperaturave është shumë më e vështirë që të ndodhë kalcifikimi apo krijimi i guaskës. Edhe nëse e kalojnë këtë fazë, do të jenë tepër të brishta ndaj sëmundjeve që mund të vijnë. Ajo që po ndodh është e dukshme në lagunën e Butrintit dhe që ka si shkak klimën.
Një problem që kemi ne ka të bëjë me lagunat. Jemi me fat që kemi kaq shumë të tilla, por ngrohja globale do të rrisë kripësinë në këto laguna. Ato shërbejnë “si maternitete” le të themi për peshq të llojeve të ndryshëm, pra është pjesa ku futen dhe riprodhohen. Në pamje të përgjithshme, në këto laguna do të kemi ndryshime në biodiversitet, pra ulje të specieve.
Biodiversiteti shërben si ekosistem i lidhur mirë me njëri-tjetrin dhe nëse do të mungojë qoftë dhe një hallkë do të lërë pasoja në të gjithë zinxhirin. Ajo që është vënë re në Mesdhe është rritja me 0.4 gradë e temperaturës së ujit në të gjithë detin dhe po ndodh njëfarë tropikalizimi. Në vendin tonë, sipas të dhënave të Bankës Botërore, në rastin më të keq mund të rritet me 1.5-2 gradë Celsius, sipas një parashikimi për vitin 2050 dhe kjo rritje do të sillte pasoja katastrofike.
Ndryshimet klimatike paraqesin kushte të reja. A do të thotë kjo se speciet që kemi aktualisht në det të zëvendësohen nga të tjera të cilat përshtaten me kushtet e reja?
Këtë nuk mund ta themi me siguri, pasi ne nuk e dimë si ka qenë ekosistemi para 10 mijë vitesh. Po shohim disa specie, të cilat nuk janë native, apo nuk jemi mësuar t’i shohim zakonisht në detet tona. Janë specie që përdorin ngushticën e famshme të Suezit në Detin Mesdhe dhe po popullojnë jo vetëm pjesën tonë, por gjithë pjesën qendrore të Mesdheut.
Gaforrja blu, për shembull, është një rast tjetër që lidhet me praninë e llojeve invazive. Origjinën e ka nga Gjiri i Meksikës. Anijet tregtare, gjatë proceseve të tyre e kanë sjellë atë në Mesdhe dhe ajo u përshtat tek ne dhe është duke u bërë invazive. Nevojiten më shumë studime për të parë nëse është stabilizuar dhe nëse këto popullata janë bërë problematike. Apo nëse po e ndikojnë zhdukjen e gaforreve endemike që ne kemi këtu. Raste të shumta tregojnë se gaforrja blu shkon dhe konsumon larvat e peshqve.
Doja të shtoja diçka të rëndësishme sa i takon invazionit të specieve që vijnë nga kanali i Suezit. Janë disa që janë të dëmshme për shëndetin, si për shembull Lagocephalus sheleratus është i dëmshëm. Vetëm një individ është konstatuar se ka ardhur pasi është kapur, por nuk dimë saktësisht sesa prani mund të ketë. Një specie tjetër është “Lionfish”, nga Deti i Kuq dhe tani kanë populluar pjesën e Mesdheut Lindor pra Qipro, Turqi dhe deri Greqi.
Është shumë i bukur si peshk, por edhe i rrezikshëm. Ky lloj peshku ka disa luspa tepër të gjata, pra janë zgjatim që vijnë në formën e thikave. Janë të mprehta, por përmbajnë një neurotoksinë që mund të paralizojnë atë gjymtyrë që e ka prekur dhe nëse nuk merren masa për 48 orë, individi rrezikon edhe jetën. Prej kohësh ekziston një grup në rrjetin social Facebook, për speciet invazive në bregdetin shqiptar dhe aty mund të gjendet informacioni për ato specie që kapen apo vërehen në ujërat tona.
Po nëse flasim për akuakulturën në veçanti, a paraqesin rrezik ndryshimet klimatike?
Sa i përket akuakulturës nuk ka ndonjë vulnerabilitet, por ndoshta ngrohja mund të reflektohet në rritje të kostove, si rezultat i bllokimit të koshave notues në det apo bregdet, apo vështirësimit të kushteve të rritjes, përfshirë këtu edhe llojet e akuakulturës të ujërave të ëmbël.
Shqipëria është një aktor i vogël në aspektin politik global, por një kontribuues jo modest në efektin negativ që sjell në ujërat e saj. Çfarë duhet të bëhet që të zvogëlohet ndikimi?
Aktualisht, në kuadër të kësaj marrëveshje mbi klimën që ekziston prej një kohe të gjatë, çdo katër vite dalin raporte dhe përpilohen plane masash. Këtë herë, në planin e masave që i paraqitet Këshillit të Ministrave ku jam pjesë e grupit të punës, është propozuar rritja e sigurisë në det.
Me ardhjen e specieve të reja kërkohen metoda të reja peshkimi, që bëhet në thellësi më të mëdha. Duke parë edhe rritjen e frekuencës së këtyre furtunave detare, që ishte e paimagjinueshme, këto mund të përsëriten dhe kërkon modernizim të peshkimit, sofistikim dhe pajisje më moderne sa i takon përballjes me të tilla fenomene anormale dhe rritja e vigjilencës dhe parashikimeve të menjëhershme.
Lexoni edhe:
“Emergjencat që vijnë nga ndryshimet klimatike, Shqipëria e papërgatitur”
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.