Flet Rigers Kaçorri, Kantina Arbëri
Kantinave të verës do t’ju duhet të ndryshojnë në afatgjatë qasjen në prodhim dhe menaxhim. Sipas Rigers Kaçorit, nga Kantina Arbëri, kjo lidhet ngushtë me kërcënimin që vjen nga ndryshimet klimatike.
Vende si Franca apo Italia tashmë po i ndiejnë këto ndryshime në mënyrë më të dukshme, por edhe në Shqipëri, treguesit duket se po ndryshojnë gradualisht, duke dhënë paralajmërimin për atë që po vjen.
Sipas z. Kaçori, situata do të ndikojë te kostot, të ardhurat dhe fitimet e kantinave.
Si ka qenë viti 2022 në përgjithësi për kantinat e verës në ecurinë e prodhimit, shitjeve?
Nëse vitin e kaluar flisnim për rimëkëmbjen e këtij sektori post-pandemi, mund të them që tanimë, sektori i prodhimit po rikthehet në normalitet. Viti 2022 ka qenë shumë i mirë, pasi përveçse kemi një rritje në sasinë e prodhimit, kjo është shoqëruar edhe me rritje në kërkesë për produktin vendas nga konsumatori shqiptar dhe jo vetëm.
Duket sikur po përjetojmë edhe një kthesë në konceptin që konsumatori ka pasur më parë për verën “Made in Albania”, e cila ka bërë që kërkesa për produktin vendas të jetë në një trajektore në rritje.
Sipas Ministrisë së Bujqësisë, në një vit, Shqipëria konsumon afërsisht 6 milionë litra verë dhe në vitin 2021, prodhimi vendas mbuloi konsumin me 212 tonë. Këto të dhëna flasin për një trend pozitiv dhe shpresëdhënës për pozicionimin që po merr vera shqiptare në tregun tonë.
Cilat janë sfidat që e kanë vështirësuar aktivitetin nëse flasim për kostot e lëndës së parë, kostot e qelqit dhe letrës, energjisë. Si kanë ndikuar ato në industrinë e prodhimit të verës?
Nëse pandemia na mësoi të përshtatemi me mbylljen, mungesën e kërkesës, apo rritjen e kostove të transportit, ky vit, për shkak edhe të luftës Rusi-Ukrainë, na mësoi me të tjera sfida, të cilat janë reflektuar edhe në sektorin tonë.
Pikërisht këto sida përkojnë jo vetëm me rritjen e çmimeve të lëndës së parë, por edhe me mungesën e tyre në treg. Ndryshimi i sasisë dhe çmimit të lëndës së parë është shoqëruar me rritjen e çmimit të produktit final.
Të gjitha kantinat e verës i kanë reflektuar këtë kosto, pasi si letra edhe qelqi janë prodhuar në sasi të reduktuara dhe kushtojnë trefish nga çmimi i mëparshëm, për shkak të krizës energjetike. Mendoj se këto rritje të nivelit të çmimeve do ta pengojnë sjelljen e inovacionit apo investime të tjera nga vetë prodhuesit në këtë sektor.
Ka një shqetësim masiv në gjetjen e punëtorëve në industri të ndryshme. A e konstatoni ju këtë fenomen dhe si e keni përballuar?
Fenomeni është i pashmangshëm të mos ndihet edhe në industrinë tonë. Përballë largimit masiv të shqiptarëve, ne kemi ngritur politikat e stimulimit të punonjësve tanë, duke u krijuar kushte të kënaqshme pune dhe pagese.
Mendoj se kjo është një strategji që duhet ta ketë në vëmendje jo vetëm sektori privat, por edhe ai shtetëror. Ne jemi përpara një realiteti ku duam t’i bashkohemi familjes së madhe europiane dhe ky është një motiv tjetër, që na shtyn t’u afrohemi standardeve të tyre si punëdhënës.
Deri më tani, 2022 ka qenë viti më i mirë historik për turizmin në vend. A është reflektuar kjo edhe te kantinat tuaja me interes për ture dhe vizita nga turistët?
Rritja e numrit të turistëve është reflektuar edhe në rritjen e tureve pranë Kantinës Arbëri. Nëse do ta krahasoja me 2021-shin, këtë vit numri i turistëve të huaj, kryesisht nga Europa, është rritur me 4-5%.
Vizitat ka qenë të programuara, kjo pasi një turist i huaj është tërhequr jo vetëm të vizitojë Shqipërinë, por të eksplorojë edhe varietetet autoktone të prodhimit të verës.
Komentet e marra nga këta turistë na bëjnë të ndihemi krenar që një vend si Shqipëria, me një histori jo fort të gjatë në prodhimin e verës, arrin të tërheqë vëmendjen përtej kufijve dhe të krahasohet me verëra prestigjioze të huaja.
Vihet re një rritje e përgjithshme e çmimeve, thuajse në çdo segment. A ka ndikuar kriza dhe rritja e çmimeve te konsumi i verës apo interesi për të blerë nga shqiptarët?
Përmenda pak më lart se ky vit solli edhe rritje të kërkesës për produktin verë shqiptare. Rritja raportohet në nivel krahasues me vitin e kaluar, kur ne ende përjetonim krizën që solli pandemia.
Trendi i rritjes së kërkesës krahasohet me një periudhë ku turizmi pati një moment të gjatë pushimi. Ndërkohë që për këtë vit, kriza e luftës nisi në tremujorin e dytë dhe përkoi me sezonin veror, i cili për fatin tonë të mirë tërhoqi një numër të kënaqshëm të turistëve të huaj, të cilët u bënë blerësit e prodhimit vendas.
Si rrjedhojë, shitjet tona kanë qenë të kënaqshme në zonat bregdetare në Jug dhe Veri të vendit. Përgjithësisht, bashkëpunimi me hotelet dhe restorantet në këto zona në sezonin e verës është në shifra pozitive.
Si ka qenë interesi nga tregjet e huaja në lidhje me eksportet?
Mund të them se interesi është shumë i lartë. Tregu i huaj ka vend edhe për prodhimin shqiptar, por kostot e larta të transportit vijojnë të jenë pengesë për rritjen e shifrave të eksportit.
Megjithatë, referuar të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, mbi 10% e totalit të verës së prodhuar në vend shkon për eksport, ndërsa industria e verës në vendin tonë është në fazën e rritjes së cilësisë së produktit sipas standardeve më të mira, me qëllim tregtimin e verës “Made in Albania” në tregun ndërkombëtar.
Si e parashikoni vitin 2023 në lidhje me kantinat e verës. Cilat janë pritshmëritë tuaja?
Parashikojmë sfida ekonomike, të cilat nuk varen vetëm nga politikat e vendit tonë, por edhe ato ndërkombëtare. Një sfidë që do të doja t’i jepja vëmendje lidhet me ndryshimet klimatike, të cilat po sjellin efekte negative në industrinë e verës.
Ndryshimet drastike të temperaturës përcaktojnë se cilat varietete rrushi mund të rriten, si dhe formësojnë cilësinë dhe rendimentin e lëndës së parë produktit rrush.
Fenomeni i ngrohjes globale dhe efektet në këtë industri janë bërë temë diskutimi nga shumë specialistë të fushës, të cilët hulumtojnë më gjerë mbi këtë problematikë. Do të doja të risillja një koment, të një profesori në Universitetin e Linfield, Oregon, i cili shprehet se “rritja e temperaturave ka ndryshuar jo vetëm karakteristikat e rrushit, por edhe kohën e pjekjes së tij apo sezonin kur është gati për t’u vjelë.
Çdo vit, është identifikuar rritje e nivelit të sheqerit dhe janë prodhuar verëra pak më të larta me alkool dhe për këtë arsye, stilet e verës kanë ndryshuar”.
Të gjitha këto ndryshime sigurisht do të vënë në pikëpyetje të ardhmen e prodhimit të verës, pasi do të ndikojnë në kostot e prodhimit, të ardhurat dhe fitimet e prodhuesve të verës, të cilët duhet të gjejnë strategji të menaxhimit të rrezikut dhe të përshtatin biznesin e tyre të prodhimit të verës për një botë më të ngrohtë.
Një tjetër pritshmëri për ne si prodhues vere është edhe hartimi i një ligji të ri të verës dhe vreshtarisë, të cilin urojmë t’i japë fokus dhe mbështetje prodhimit të verës shqiptare.
Lexoni edhe:
“Lulëzimi” turistik nxit kantinat e verës, por i sfidon ndryshimi klimatik
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Shqiperia ka klimen ne rajon me te favorshme per te prodhuar cfo gje